Sht. Nën 23rd, 2024

Meta: Ballkani i Hapur, një nismë imponuese dhe e paqartë

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka deklaruar sot se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të pranueshme nga të gjithë, e cila garanton që këto dy shtete të bëhen sa më parë anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai këto komente i bëri gjatë një ligjërate me temë “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Kreu i shtetit shqiptar tha se nuk beson që zgjidhja për çdo çështje në raportet mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë më pak serbë në Kosovë apo më pak shqiptarë në Serbi.

“Thelbi është që këto dy vende duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian dhe nëse duhet t’i bashkohen, duhet të ecin në rrugën e parimeve dhe vlerave evropiane, por jo të vendosin në diskutim parimet dhe vlerat, sikurse ka qenë ideja e papranueshme për ndryshimin e kufijve”, u shpreh ai.

Lidhur me iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, presidenti Meta tha se është një nismë imponuese dhe e paqartë, që më shumë se rezultate deri më tani ka prodhuar vetëm debate dhe pasi ka ndërruar tre herë emrin, i vetmi element pozitiv që ka është përcaktimi “i hapur”.

“Mjafton të përmendim një fakt, ndalimin nga Serbia të sportistëve nga Kosova, pa përmendur elementë të tjerë që i ndeshim çdo ditë dhe që nuk ndihmojnë në rritjen e mirëbesimit dhe konsolidimit të bashkëpunimit rajonal. Nuk mund ta fsheh shqetësimin tim për pozitën e Kosovës dhe tendencën e “Ballkanit të Hapur” për ta margjinalizuar atë. Ndërkohë ne kemi Procesin e Berlinit që është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE-së që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues”, ka thënë Meta.

Sipas tij, Evropa duhet të ketë qasje më serioze për Ballkanin Perëndimor dhe duhet t’u qëndrojë premtimeve.

“Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë”, ka thënë Meta.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *