Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, as këtë të martë nuk është paraqitur në mbledhjen e Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike ku ishte i ftuar, për të raportuar në lidhje me auditimin e përformancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në MMPHI”.
Aliu ka thënë se paraprakisht kishte njoftuar anëtarët e Komisionit se për shkak të ngarkesës së lartë të punës, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në mbledhjen e së martës.
Ai ka theksuar se pjesëmarrja në këtë komision është një detyrë e rëndësishme në angazhimin e tij publik dhe politik.
Po ashtu, ministri Aliu ka rikonfirmuar gatishmërinë për të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të komisionit, pas koordinimit nga të dyja palët.
“Kam njoftuar paraprakisht anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, që për shkak të agjendës së ngarkuar me punë, sot do e kem të pamundur të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit. Pjesëmarrjen në këtë komision e shoh si detyrë të rëndësishme në angazhimin tim publik dhe politik, në këtë drejtim rikonfirmoj gatishmërinë time për të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni posa të koordinohemi të dyja palët bashkë”, ka shkruar Aliu në Facebook.