Sht. Nën 23rd, 2024

Ministri i mbrojtjes: 129 ushtarë u larguan vullnetarisht nga FSK gjatë vitit 2023

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lidhur me raportin vjetor të punës për 2023, ka thënë se gjatë vitit 2023 nga FSK janë larguar vullnetarisht 129 ushtarë, për shkak të pagave e mundësive që u janë ofruar jashtë këtij institucioni.

Me këtë rast ai theksoi se me sfida të tilla mund të përballen edhe viteve në vijim.

“Gjatë vitit 2023, 221 ushtarë janë larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Këtu hynë edhe pensionimi i rregullt, që janë 59 pjesëtarë. 129 pjesëtarë kanë lëshuar punën vullnetarisht. Arsyet janë të ndryshme, duke filluar nga aspekti i pagës, mundësitë që ju ofrohen jashtë institucionit. Ky nuk është trend vetëm tek ne po edhe në ushtritë e shteteve tjera”, theksoi ai.

I pari i dikasterit të Mbrojtjes gjatë raportimit përmendi edhe sfidat tjera, por të cilat kanë filluar t’i zgjidhin. “Ka qenë për disa vite sfidë sigurimi i transportit. Prej datës 9 janar kemi filluar me transportin e organizuar. Të gjitha linjat aktualisht janë aktive dhe transporti është rregulluar për të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Edhe uniformat kanë qenë një ndër sfidat po ashtu. Edhe ajo është adresuar. Ne kemi bërë një kontratë emergjente gjatë vjeshtës për shkak të nevojës se furnizimit të pjesëtarëve me çizme. 120 ditë pasi është nënshkruar kontrata (nga dhjetori) do të fillojë furnizimi me uniforma. Ne kemi pasur gjithashtu ankesa gjatë këtij muaji për çështjen e kompensimit bazuar në rregulloren që është shfuqizuar në vitin 2021. Aktualisht nuk kemi numër të saktë të padive që janë ngritur, mirëpo kemi një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve që kanë bërë ankesa”, shtoi ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *