Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, priti në takim Ministrin e Bashkëpunimit Regjional të Izraelit, Esawi Frej.
Kryeministri i uroi mirëseardhje në këtë vizitë zyrtare, njëherit vizita e parë e një ministri izraelit në Kosovë. Kryeministri shprehu falënderimin për njohjen e Republikës së Kosovës nga Izraeli.
Ministri Frej tha se për shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme që të mbajë e forcojë lidhjet me Republikën e Kosovës. Ai i përcolli kryeministrit Kurti përshëndetjet e Kryeministrit izraelit, Naftali Bennett.
Në takim u rikonfirmua gatishmëria e të dy shteteve për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin, si dhe u bisedua për mundësitë konkrete. Ministri Frej shprehu vullnetin për thellim të bashkëpunimit në aspekt ekonomik dhe rritje të shkëmbimeve tregtare. Ai shprehu interesimin e investitorëve izraelitë për investime në Kosovë.
Ne jemi të hapur për mundësi të reja dhe së bashku do të arrijmë suksese, tha ministri Frej.
Kryeministri Kurti u shprehë mirënjohës për gatishmërinë për bashkëpunim. Ai theksoi potencialin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK), duke veçuar digjitalizimin si një nga objektivat në programin e Qeverisë.
Duke folur për zhvillim e ekonomisë dhe reformat e nisura, kryeministri theksoi se Qeveria synon ndërthurjen e rritjes ekonomike me drejtësi sociale. Ai tha se rritja ekonomike prej 10,53%, do të shpërndahet te qytetarët, nëpërmjet masave si këto të sotmet. Rritjen që e arrijmë bashkë do ta shpërndajmë te të gjithë, tha kryeministri.
Lidhur me aktivitetet e përbashkëta në kuadër të vizitës së delegacionit të shtetit të Izraelit dhe projektet e bashkëpunimit të iniciuara në mes të dy vendeve, Ministri Krasniqi veçoi marrëveshjet për binjakëzimin e tre komunave të Izraelit dhe tre komunave të Kosovës, si dhe ndihmën për spitalin pediatrik dhe organizatat e personave me aftësi të kufizuara. Ai tha se fushat e bashkëpunimit janë të shumëta dhe se ato do të konkretizohen në plane të përbashkëta.