Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), ka aprovuar ankesën e Fadil Kodrës dhe të njëjtin e riktheu në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm, të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent (AME).
Lajmin e ka konfirmuar përfaqësuesi i autorizuar i tij, Faton Fetahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Të nderuar miq, dashamirë, kolegë dhe bashkëveprimtarë të z. Fadil Kodra! Në cilësi të Përfaqësuesit të Autorizuar, më lejoni t’iu njoftoj që sapo e pranova Vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në bazë të të cilit, është APROVUAR ankesa të cilën e kemi parashtruar dhe si rezultat, është anuluar vendimi kontestues i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe z. Kodra kthehet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent. Në lidhje me detajet dhe bazën ligjore të këtij vendimi, do t’iu njoftoj në orët dhe ditët në vijim”, thuhet në postimin e Fetahut.
Në vendimin e KPMSHCK-së, i cili rezulton të jetë marrë më 5 shtator 2022, thuhet se aprovohet si e bazuar ankesa e datës 22 korrik 2022, e parashtruar nga ankuesi Fadil Kodra, ndërsa anulohet vendimi i 14 korrikut 2022, i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Obligohet ministri i Punëve të Brendshme, që brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthejë ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhim Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, dhe të bëjë kompensimin e pagës nga data 14.07.2022 deri në zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Tutje thuhet se KPMSHCK duhet të njoftohet me shkrim pas ndërmarrjes së veprimeve në pajtim me këtë vendim.