Ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, nesër do të vizitojë Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë në datat 4 dhe 5 shtator.
Sipas njoftimit të MJ të Finladës, qëllimi i vizitës do të jetë forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me partnerët e Finlandës në Ballkanin Perëndimor.
“Ministrja e Punëve të Jashtme Elina Valtonen do të vizitojë Shqipërinë, Serbinë dhe Kosovën në datat 4-5 shtator. Qëllimi i vizitës është forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me partnerët e Finlandës në Ballkanin Perëndimor. Finlanda mbështet aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE”, thuhet në njoftim.
Më tej, bëhet e ditur, se Valtonen gjatë vizitës në këto vende të Ballkanit Perëndimor do të takohet me homologët e saj dhe me lidershipin politik të vendeve.
Në takime do të diskutohet për marrëdhëniet dypalëshe, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, situatën në Ukrainë dhe çështjet aktuale lidhur me OSBE-në.
“Ministrja e Jashtme Valtonen gjatë vizitës së saj do të takohet me homologët e saj, ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës dhe lidershipin politik të vendeve. Ata do të diskutojnë marrëdhëniet dypalëshe, zgjerimin e BE-së, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, situatën në Ukrainë dhe çështjet aktuale lidhur me Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE). Në Serbi, ministri do të takohet me përfaqësues të kompanive finlandeze që operojnë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksohet në njoftim.
Kryediplomatja finlandeze, ka thënë se Finlanda e mbështet rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE dhe Finlanda po e thellon angazhimin e saj me rajonin.
“Finlanda mbështet fuqishëm rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Mirëqenia dhe stabiliteti i rajonit është shumë i rëndësishëm për të gjithë Evropën, përfshirë Finlandën. Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë më të afërt, veçanërisht duke pasur parasysh mjedisin aktual të sigurisë evropiane. BE-ja është tashmë partneri më i afërt i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe Finlanda po thellon angazhimin e saj me rajonin”, ka deklaruar ministrja