Die. Nën 24th, 2024

Miratohet Ligji për heqjen e homologimit për automjete si dhe projektligji per tregti me jashtë

17:30) – ​Kuvendi miraton projektligjin për tregti me jashtë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për tregti me jashtë, për të cilin, nga qeveria u tha që synon të nxitë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve duke rregulluar importin dhe eksportin.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, derisa ka arsyetuar projektligjin, ka thënë se dokumenti hap rrugën për tregtarët dhe mundëson mallra e shërbime cilësore për qytetarët.

Hajdari: Projektligji për tregti me jashtë hap rrugën për tregtarët në veprimtaritë e tyre të ligjshme

“Ligji hap rrugën për tregtarët në veprimtaritë e tyre të ligjshme për të mundësuar mallra dhe shërbime cilësore për qytetarët, ligji thjeshtëson procedurat administrative për lejet dhe vlerësimet e konformitetit, mbron pronësinë industriale dhe siguron mjetet e duhura juridike për operatorët. Për më tepër, ligji mbron industrinë vendore nga praktikat e dëmshme, duke fuqizuarin njëherësh qeverinë të veprojë në mbrojte të interesit shtetëror dhe të qytetarit”, ka thënë Hajdari.

Megjithatë, projektligji që u mbështet me 62 vota të deputetëve nga partia në pushtet, u kritikua nga opozita.

Shala: Pse reciprociteti nuk është future në projektligjin për tregti me jashtë

“Çka do të ndodh me reciprocitetin ,ku mbet reciprociteti, pse nuk është në këtë ligj, çka po ndodh, ehe një fakt po ua jap që do të duhej ta rregullonte ky ligj, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti kemi 70% të rritjes së importit nga Serbia, statistika zyrtare gjeni në internet, ku ndodhet masa shtetërore, tash e kemi ligjin e gatshëm në draftligj, pse nuk e rregullojmë këtë çështje, pra ka ndodh një rritje që nuk ka qenë më herët, në momentin kur ne po hartojmë një ligj për tregtinë e jashtme”, ka thënë deputeti i PDK-së, Farat Shala i cili deklaroi se nuk e mbështesin një projektligj të tillë.

Ndërsa deputetja nga LDK, Valentina Bunjaku tha se projektligji duhet të ndihmojë bizneset me tregti me jashtë, dhe jo të hartohet me populizëm.

Bunjaku: Projektligji për tregti me jashtë nuk e favorizon Shqipërinë

“Përkundër populizmit nga Vetëvendosje me nacionalizëm, Shqipëria nuk favorizohet në këtë projektligj, kur bëhet fjalë për tregtinë me jashtë”, ka thënë ajo.

***

​Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Automjete që heq homologimin për mjetet rrugore të reja dhe të përdorura.

Përkrahje këtij ndryshimi i dhanë 75 deputetë nga pozita dhe opozita, derisa u miratuan edhe dy amendamente nga komisioni funksional.

Në parim ky projektligj është miratuar javë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, deputetët miratuan në parim edhe Projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, për të cilin gjatë ditës nuk kishte kuorum.

***

Miratohet në parim Projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme

Deputetët e Kuvendi të Kosovës me 65 vota për kanë miratuar në parim Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari tha se ky projektligj synon të rregullojë tregun e naftës duke përkrahur operatorët dhe qytetarët.

Hajdari: Ky projektligj synon të rregulloj tregun e naftës

“Synon të rregulloj tregun e naftës duke përkrahur operatorët dhe qytetarët. Spektrori i naftës është rëndësishëm, jo vetme për zhvillim ekonomik, por edhe për sundimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorit, mjedisit, konkurrencës si dhe integrimin evropian në përgjithësi. Ky projektligj ofron këto përparësi, do të krijojë mekanizma që lidhen me prodhimin dhe përpunimin. Procedurat e lejeve do të jenë të thjeshtësuara, bizneset do të kenë në të thjesht pajisjen me leje dhe shteti do të ketë më të lehtë mbikëqyrje të lejeve”, u shpreh ajo.

Ndërsa, të mangët këtë projektligj e konsideruan opozita, të cilët nuk e përkrahën.

***

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në parim Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

Mbështetje këtij projektligji nga opozita i ka dhënë vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa është kritikuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka arsyetuar këtë projektligj, derisa tha se përmes tij synohet që të ndërtohet besimi i publikut në sigurinë e transaksioneve digjitale dhe që sa më shumë nga bizneset të përdoret nënshkrim elektronik.

Rizvanolli: Ka për qëllim rregullimin e kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik

“Ka për qëllim rregullimin e disa fushave, mënyrës së identifikimit dhe skemave të identifikimit elektronik të personave juridik dhe personave fizik, të kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik, të vulës elektronike, të vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre. Si dhe të kushteve për lëshimin dhe përdorimin e certifikatave të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqeve të internetit, shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike. Ky ligj zbatohet për skemat e identifikimit elektronik dhe për ofruesit e shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike, mirëpo dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për shërbimet e besuara që ofrohen brenda një sistemi të mbyllur ose një rrethi të kufizuar pjesëmarrësish të cilat mund të përcaktohen me marrëveshje ose rregullore të brendshme dhe nuk ndikojnë në palët e treta jashtë atij sistemi”, tha ministrja.

Ajo tha se i njëjti projektligj nuk ka kosto shtesë për buxhetin e Kosovës, por që për zbatimin e dispozitave të këtij projektligji qeveria ka arritur të fitojë një grant nga Komisioni Evropian në vlerë prej 4 milionë euro.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, tha se ky projektligj e rregullon nënshkrimin elektronik dhe se është tejet i rëndësishëm në kohën e pandemisë.

Muja: Është tejet i rëndësishëm sidomos në kohën e pandemisë dhe ekonominë digjitale

“Miratimi i këtij ligji e ndryshon përmbajtësish rregullativën e brendshme mbi transaksionet elektronike sepse e rregullon nënshkrimin elektronik, vulat elektronike dhe është tejet i rëndësishëm sidomos në kohën e pandemisë dhe ekonominë digjitale”, tha ai.

Kritika për këtë projektligj ka pasur deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se i njëjti ligj që iu është ofruar sot në Kuvend është kthyer mbrapa së bashku me LVV-së në mandatin e kaluar.

Shala: Me LVV i kemi kthyer këtë ligj ish-qeverisë, sot vjen 100 përqind me të njëjtat gabime

“Ky ligj është kthyer një herë bashkë me grupin Parlamentar të PDK dhe LVV i kemi kthyer ish-qeverisë, i cili ligj sot na vjen 100 përqind me të njëjtat gabime, me të njëjtat veprime, me të njëjtat vërejtje. Edhe për më keq ju them me përgjegjësi të plotë që ky ligj kur ka hy në fuqi në Bashkimin Evropian është miratuar në 2014, 4 vjet BE-së ju është dashur me i dhënë afat ligjit për të hyrë në fuqi dhe ka hyrë në fuqi vetëm në vitin 2018. Pra, kjo direktivë 910 e përkthyer keq tek ne, 4 vjet i është dashur shteteve më të zhvilluara të botës me përgatitë akte nënligjore, me përgatitë tregun e punës, ndërmarrësit që ata me qenë të zbatueshëm dhe të implementueshëm. Në këtë ligj ose draft-ligj që na servohet neve sot qeveria jonë është shumë më e shpejtë se BE-ja dhe afatin për përgatitjen e akteve nënligjore e ka vetëm 6 muaj. Pra, nëse shteteve më të zhvilluara të Evropës ju është dashur 4 vjet përgatitje si ka mundësi, kush mund të ma arsyetoj këtë që Kosova me këtë infrastrukturë ligjore, me këto kapacitete, po kur ia shtojmë kësaj ngathtësinë e kësaj qeverie mundet për 6 muaj me i përgatitë 15 akte nënligjore”, tha ai.

Ai tha se është mirë që i njëjti projektligj të kthehet sërish tek qeveria dhe të përmirësojë të gjitha gabimet, që sipas tij, janë në këtë ligj.

Edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se i njëjti projektligj ishte kundërshtuar në të kaluarën nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rexhepi: Kemi disa çështje të cilat duhet t’i shqyrtojmë

“Ne jemi për të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por kemi disa çështje të cilat duhet t’i shqyrtojmë dhe të japim kontributin tonë në mes të dy leximeve. Janë disa çështje që lidhen me sigurinë, mbrojtjen e të dhënave personale që mund të jenë brengosëse. Edhe përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale parashihen me projektligj, por kemi frikë se gjatë zbatimit jo çdo gjë do të mund të shkojë pa sfida të mëdha”, tha ajo.

Mbështetje këtij projektligji i ka dhënë shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se është tejet i rëndësishëm.

Tahiri: E them me përgjegjësi të plotë se është ndër ligjet më të rëndësishme

“E them me përgjegjësi të plotë se është ndër ligjet më të rëndësishme të cilin në seancën e fundit si zëvendëskryeministër e kam prezantuar këtu edhe e kam elaboruar rëndësinë e këtij ligji dhe rëndësinë e miratimit të këtij ligji. Andaj nuk kam qysh mos ta mbështes edhe si shef i Grupit Parlamentar po edhe si deputet këtë ligj me rëndësi të veçantë”, tha ai.

S’ka kuorum për miratimin e Projektligjit për shtrirjen e rrjeteve të komunikimeve elektronike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të miratojnë në parim Projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë. Mbështetje miratimit të këtij projektligji i dhanë vetëm 59 deputetë nga mazhoranca, ndërsa dy nga tri partitë opozitare kërkuan që i njëjti të rikthehet në qeveri, pasi ka paqartësi në implementimin e tij.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke kërkuar miratimin e këtij projektligji, tha se i njëjti do të lehtësojë dhe do të nxisë ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.

Rizvanolli: Projektligji lehtëson ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë

“Projektligji do të lehtësojë dhe të nxisë ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë. Kjo do të arrihet përmes përdorimit të përbashkët të infrastrukturës fizike ekzistuese, zhvillimit më efikas të infrastrukturës së re fizike dhe reduktimit të procedurave dhe pengesave të tjera burokratike”, tha ajo.

Të rëndësishëm miratimin e tij e konsideroi edhe deputeti i LVV-së, Driton Hyseni.

Hyseni: Ky projektligj do të lehtësojë dhe nxisë ndërtimin e rrjeteve me shpejtësi të lartë

“Qëllimi i ligjit që e prezantoi ministrja për masat e shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, mundëson lehtësimin dhe nxitjen e ndërtimit të rrjeteve me shpejtësi të lartë, duke promovuar përdorimin e përbashkët të infrastrukturës fizike ekzistuese”, u shpreh ai.

Kundërshtimin ndaj këtij projektligji paraqiti Ferat Shala nga PDK.

Shala: Projektligji ka shumë të meta

“Projektligji ka shumë të meta, sidomos në fazën e tij të implementimit për shkak të implikimeve ndërinstitucionale dhe ndër sektoriale në pjesën e infrastrukturës, sektorin e ujit dhe kanalizimeve. Nuk mundet të gjejë zbatim një ligj duke llogaritet që mund të kemi disa marrëveshje ndër sekoriale”, deklaroi Shala.

Ani pse tha e LDK e mbështet në parim, deputetja Valentina Bunjaku tha se në mes të dy leximeve duhet të përmirësohen disa pika dhe nene.

Bunjaku: LDK pajtohet në parim për këtë projektligj

“Për këtë projektligji ne në parim si LDK pajtohemi edhe pse duhet të përmirësohen prej titullit dhe disa pika dhe nene”, tha ai.

Kthimin në tërësi të këtij projektligji në qeveri kërkoi Besnik Tahiri nga AAK.

Tahiri: Grupi Parlamentar i AAK-së kërkon që ky ligj të kthehet në Qeveri

“Ka probleme serioze në përmbajtje, jo vetëm në raport me përkthimin, por edhe zbatimin e tij.. Grupi Parlamentar i AAK-së kërkon që ky ligj të kthehet në Qeveri”, tha ai.

***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ironizuar sërish me deputetët për shkak të qëndrimit të tyre jashtë sallës plenare. Vonesa në fillimin e seancës, pas përfundimit të pauzës bëri që kryeparlamentari të ftoi të zgjedhurit e popullit të marrin pjesë sepse paguhen prej taksave të qytetarëve.

Ndërkohë, mirënjohje iu dha deputetëve që ishin të pranishëm në sallë, por tha se është lajm i keq kur të përgjegjshmit janë pakicë.

Konjufca: Të gjithë deputetët që paguhen prej taksave të qytetarëve të marrin pjesë në seancë

“Të gjithë deputetët që paguhen prej taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ftohen të marrin pjesë në seancën plenare. Një mirënjohje e veçantë për ju që jeni të përgjegjshëm. Lajm i keq është kur të përgjegjshmit janë pakicë”, tha ai.

Sipas tij, ky veprim nuk është sjellje e mirë, pasi ka mërgimtarë që kanë bërë mijëra kilometra për të përcjellë seancën në Kuvend.

Konjufca: Nuk është sjellje e mirë kjo

“Nuk është sjellje e mirë kjo. Deputetët që janë këtu nuk janë në sallë, kurse mërgimtarët kanë bërë me mijëra kilometra për me ardh në Parlamentin e Kosovës me na përcjellë”, tha ai.

Vazhdon Seana e Kuvendit të Kosovës

Pas pauzës, deputetët janë kthyer në sallë dhe po vazhdon seanca.

Kuvendi miraton në parim projektligji për infrastrukturën kombëtare të informacionit hapësinor

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Librun Aliu tha se të dhënat hapësinorë janë të domosdoshme për vendin.

Duke sqaruar projektligjin, Aliu tha se të gjitha të dhënat hapësinore do të do vendosen në një data bazë të vetme gjeo-hapësinore, e cila siç tha ai, do të jetë e qasshme edhe për publikun dhe institucionet qendrore e lokale.

Aliu: Me projektligj do të mundësohet mbledhja dhe shkëmbimi i informacioneve të centralizuara sipas praktikave të Bashkimit Evropian

“Objektiv kryesor i këtij projektligji është përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe kompetencave të institucioneve të Republikës së Kosovës që të mirren me krijimin e të dhënave gjeohapsinore. E Po ashtu qëllim është përcaktimi i kritereve për krijimi e të dhënave e që do të jenë pjesë e infrastrukturës kombëtare të të dhënave hapësinore për Republikën e Kosovës. Me këtë projektligj do të mundësohet krijimi,. Mbledhja dhe shkëmbimi i informacioneve të centralizuara me vendet e tjera sipas praktikave të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Projektligji për krijimin e infrastrutkurës kombëtare të informacionit hapësinor u mbështet me 68 vota.

***

​​Miratohet në parim Projektligjin për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 74 vota për kanë miratuar në parim Projektligjin për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Qëllimi i këtij projektligji u tha se është zgjatja e afatit për shitjen e banesave dhe blerja e tyre me kushte të njëjta, siç janë procedurat në ligjin bazik. Ndërkohë, u përkrah edhe nga partitë opozitare.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se me miratimin e këtij projektligji do të përfitojnë qytetarët.

Aliu: Qëllimi është blerja e banesave të kushte të njëjta, siç janë procedurat në ligjin bazik

“Qëllimi i këtij projektligji është që të gjithë personave që nuk kanë mundur të blejnë, apo iu është pamundësuar blerja e banesës, që në mënyrë ligjore kanë fituar të drejtën banesore, t’iu mundësohet blerja e banesës në kushte të njëjta, siç janë procedurat në ligjin bazik”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli-Dalipi tha se përmes këtij synohet zgjatja e afatit për aplikim për shitje dhe blerje të banesave edhe për tri vite.

Pacolli-Dalipi: Përmes këtij projektligji synohet të bëhet vazhdimi i afatit për aplikim

“Përmes këtij projektligji synohet të bëhet vazhdimi i afatit për aplikim sipas ligjit, për të cilat eksiton e drejta banesore edhe për tri vite. Ky vazhdim i mundëson u mundëson palëve të interesuara të aplikojnë në institucionet përkatëse për të ushtruar drejtën banesore sipas ligjit të fjalë”, u shpreh ajo.

Përkrahje miratimit të këtij projektligji i dha edhe Abelard Tahiri nga PDK.

Tahiri: Grupi parlamentar i PDK-së e përkrah një iniciativë të tillë

“Grupi parlamentar i PDK-së e përkrah një iniciativë të tillë. Kjo iniciativë besoj që është vonuar dhe është dashur vite më herët të procedohet në Kuvend….një iniciativë e tillë është e rëndësishme, e domosdoshme. Shpresojmë që edhe koha mes dy leximeve të kalojë sa më shpejtë”, u shpreh ai.

Ani pse tha se ky projektligj është për të vendosur rend, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj kërkoi që të largohet kriteri për afat kohor.

Zemaj: Ky ligj është vendosur për të vënë rregull

“Ky ligj është vendosur për të vënë rregull dhe mundësuar të gjithë atyre që kanë poseduar të drejtën e banimit, qoftë edhe me ndërmarrjet e ndryshme shoqërore. Ligjet duhet të jenë përmbajtjesore për me zgjidh problem dhe avancuar çështjet ligjore dhe jo komplotuar. Nuk mendoj që keni bërë zgjidhje në përcaktimin e afatit, kjo prapë të rikthen në pozicionin ku jemi aktualisht dhe mund të jemi të detyruar të vendosim norma tjetra ligjore, për shkak të kompleksit që ka shitja apo blerja në të drejtën banesore në Kosovë”, tha ai.

***

​Miratohet projektligji për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit

Kuvendi i Kosovës me 60 vota për, asnjë kundër dhe me 8 abstenim ka miratuar Projektligjin për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

Në arsyetimin e tij për këtë projektligj, ministri i Mjedisi, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se me këtë projektligj synohet që të rregullohet mënyra e funksionimit dhe licencimit të arkitektëve dhe inxhinierëve të cilët angazhohen në fushën e ndërtimit.

Po ashtu, ai tha se ka për qëllim që të rregullojë profesionin e arkitektit dhe inxhinierit në fushën e ndërtimit.

Me këtë projektligj, Aliu deklaroi se do të themelohet Oda e Arkitektëve dhe Oda e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit, të cilat tha se do të jenë të pavarura.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri në një konferencë për medie ka kërkuar anulimin e krejt procesit për tiketat prej 5 euro.

Tahiri i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetoj këtë rast. Tutje ai tha se Qeveria Kurti është Qeveria e vetme që nuk ka sjellë 100 ditëshin në Kuvend për ta diskutuar.

Ai tha se e kanë zënë dorën e Qeverisë në xhepin e qytetarëve.

“Sot jemi njoftuar nga MI për pezullimin e taksës prej 5 eurove. Ju e dini qëndrimin e PDK-së dhe jemi munduar që kjo taksë të ju bie qytetarëve të Kosovës dhe nuk do t’i shkonin buxhetit, por një kompanie private”.

“Ky vendim e ka rënduar jetën e qytetarëve, dhe ne nuk do të ndalemi dhe nuk mjafton pezullimi por kërkojmë që qysh sot ky projekt të anulohet dhe jo të pezullohet dhe si grup kërkoj ë që ta heq këtë taksë pasi që është vendim që varfëron qytetarët e Kosovës ne e kemi zënë dorën e Qeverisë në xhepin e qytetarit i bëjmë thirrje Prokurorisë që ta ushtrinë mandatin e saj dhe ta hetojë procesin dhe kjo vjedhje në tentative ta marr meritën e duhur”.

“Kjo Qeveri është e para që nuk sjell raport të 100 ditëshit në kuvendin e Kosovës, kjo është Qeveria e parë që nuk sjell për debat raportin e 100 ditëshit”.

Se a do të kërkojë PDK-ja interpelance për raportimin e kryeministrit Kurti në Kuvend për dialogun m eSerbinë, aithotë se do t’i japin kohë kreut të Qeverisë.

“Po i japin kohë kryeministrit dhe po shpresojmë që do të iniciojë vet një iniciativë të tillë pasi që procesin e dialogut po e shoqëron një jo transparencë e madhe. Nuk dimë cilat janë propozimet që vinë nga ana jonë dhe të gjitha këto i marrim vesh në medie”.

Ndërsa për suspendimin e 9 zyrtarëve në Ministrinë e Bujqësisë, Tahiri tha se këto iniciativa i mirëpresin.

“Çdo vendim që merr qeveria për afera korruptive dhe suspendohen ne e mirëpresim dhe këtë e kam propozuar edhe me kod të procedurës penale. Qeveria duhet të tregojë një vullnet në luftimin e krimit të organizuar”.

***

Me 89 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar Marrëveshjen financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka paraqitur këtë projektligj para deputetëve.

Bislimi ka treguar se demokracia dhe qeverisja, mjedisi e sundimi i ligjit janë vetëm disa nga sektorët që do t’i mbuloj marrëveshja.

“Është kjo marrëveshja e fundit për periudhën 2014/2020 dhe pas kësaj qeveria do të punon me BE-në në kuadër të IPA për periudhën 2021/2027.Fondet e kësaj marrëveshje janë për rimëkëmbjen ekonomike një pjesë e cilës është ratifikuar në Kuvend”.

“Marrëveshja Financiare për IPA 2020 është përfunduar vitin e kaluar. Sektorët që mbuloj marrëveshja janë demokracia dhe qeverisja, luftimi i pasojave të pandemisë, asistenca për qasjen e Kosovës në Bashkimin Evropian, ndërsa sektori i sundimit të ligjit kap vlerën e 10 milionë euro”.

Ndërsa kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rezarta Krasniqi tha se marrëveshja ka rëndësi të veçantë në hvillimin e sektorëve si të demokracisë mjedisit, arsimit e zhvillimit rural.

“Marrëveshja Financiare ka për qëllim zbatimin e asistencës nga BE-ja. Kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë që lejon zhvillimin e sektorëve të demokracisë, mjedisit e zhvillimin rural”.

Nga VV-ja Arbreshë Kyreziu tha se Kosova nga kjo marrëveshje do të fitojë 90.2 milionë euro.

“Kosova nga kjo marrëveshja do të fitojë 90.2 milionë. Pjesa më e madhe e IPA 2 është negociuar nga qeveria Kurti 1. Pjesa më e madhe e fondeve do të drejtohen për çështjes e mjedisit dhe ato klimatike”.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra tha se pavarësisht dallimeve PDK-ja do të mbështesin këtë marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

“Përballja me Covid-19 e ka shkatërruar ekonominë e vendit dhe vetë BE- ja një pjesë të madhe ta destinojë për bizneset e vogla”.

Ndërsa deputetja e LDK-së Marigona Geci i ka kujtuar kohën VV-së kur nuk i votonte marrëveshjet ndërkombëtare.

“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë të pozitës dhe as të pozitës, pasi që VV-ja dikur nuk i ka mbështetur pavarësisht që ju nuk i keni votuar dhe nuk duhet të veprojmë njëjtë si ju”.

Edhe AAK-ja e ka mbështetur marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, kështu tha shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti Bensik Tahiri.

Tahiri ka pësuar kritika ndaj Qeverisë karshi agjendës së integrimit evropian.

“AAK-ja do të mbështet këtë marrëveshje dhe ka një rëndësi të veçantë që prek jo vetëm aspektet me ekonominë, mirëpo edhe sektorë të tjerë. Si Qeveri jeni me aktivitetin me të dobët sa i përket agjendës së integrimit Evropian”.

Derisa po votohej kjo marrëveshje Lista Serbe nuk kanë qenë të pranishëm në seancë.

***

Kurti tregon sa do të jenë ambasadorë të karrierës dhe sa të emëruar politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se janë në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës të cilët mund të jenë kandidat për ambasador në misionet diplomatike. Kurti ka thënë se me ndryshimet që pritet të bëhen në projektligjin për shërbimin e jashtëm, synohet që 70% të jenë ambasadorë të karrierës ndërsa 30% të emëruar politik.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri është pyetur nga deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi, se kur do të emërohen ambasadorët e rinj, pas vendimit për shkarkimin e udhëheqësve të misioneve diplomatike.

Kurti: Jemi në fazën e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të diplomatëve që mund të jenë kandidat për ambasador

“Jemi në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës të cilët mund të jenë kandidatë potencial për udhëheqjen e misioneve diplomatike. Deri tani ky proces i identifikimit ka rezultuar me 43 diplomatë karriere me grada të larta, të cilët mund të jenë kandidat potencial si udhëheq të misioneve diplomatike të shtetit tonë, nga 43 diplomatë, shtatë prej tyre janë me gradën ambasador, tre prej tyre aktualisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe katër si të ngarkuar të përkohshëm me punë në misione diplomatike të Republikës ë Kosovës, të cilët po ashtu llogariten si kandidat potencial për emërim si udhëheqës të misioneve diplomatike, ne gradën ministër këshilltar janë 17, si dhe këshilltar 19”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se qeveria që ai drejton është në periudhën e reformimit të brendshëm, dhe se tërheqja e ambasadorëve do të pasohet edhe me hapa të tjerë.

Kurti: Me ndryshimin e projektligjit për shërbimin e jashtëm e synojmë kuotën 70% ambasadorë të karrierës dhe 30% të emëruar politik

“Me plotësim ndryshimin që duhet të ja bëjmë projektligjit për shërbimin e jashtëm ,e synojmë kuotën 70-30, kjo do të thotë që do të ketë edhe politik, por as për së afërmi sikurse që është tani”, tha Kurti.

Në muajin maj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkarkuar të emëruarit politik, në mesin e tyre edhe 12 ambasadorë.

Ajo ka thënë se kthimi i tyre nga misionet diplomatike ku shërbejnë do të bëhet deri më 30 gusht të këtij viti, që do të pasojë me emërimin e ambasadorëve të rinj.

***

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se është pezulluar vendimi që i detyron qytetarët për të paguar 5 euro për “tiketa ngjitëse” në automjet me rastin e regjistrimit të veturës.

Ai tha se do të shqyrtohet në hollësi si vendim, derisa ka siguruar se qytetarët nuk do të paguajnë 5 euro.

Aliu: Qytetarët nuk do t’i paguajnë 5 euro

“Për çështjen e taksës 5 euro për ‘tiketat ngjitëse sapo është marrë vendim që të pezullohet si vendim dhe ta shqyrtojmë në hollësi mënyrën se si ka ardhur deri tek ky vendim. Pra, prej interpretimeve të ndryshme ligjore, duke përfshirë edhe interpretimet dhe trajtimet nga auditori e të gjitha me radhë deri tek momenti i nënshkrimit. Pra, është pezulluar, diçka që mund t’iu siguroj është se qytetarët nuk do t’i paguajnë 5 euro”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që vendimi për pagesën prej 5 euro për “tiketën ngjitëse” të anulohet në tërësi dhe jo vetëm të pezullohet.

Tahiri: Taksa duhet të anulohet

“Ne nuk pajtohemi vetëm me pezullimin e kësaj takse, mendoj që kjo taksë duhet të anulohet. Edhe mënyra edhe krejt procesi i nënshkrimit të kësaj takse e kemi ritheksuar edhe në seancat e kaluara që ka qenë i jashtëligjshëm. Prandaj, siç thotë populli një fjalë popullore na ja kemi zënë qeverisë dorën në xhep të qytetarit, po shyqyr Zotit që nuk e kemi lënë me ja marr paret. Pra, ju kemi zënë me dorë në xhep e ju kemi ndalë”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, deklaroi se duhet të ketë përgjegjësi publike nga ministri për, siç tha ai, aferë korruptive.

Zemaj: Dikush është thellë i involvuar në këtë aferë korruptive

“Të thuhet se po do ta pezulloj sot një akt më mirë ta quajmë kështu shkurt dhe shqip akt hajnie tregon që më të vërtetë dikush është thellë i involvuar në këtë aferë korruptive. Unë po shpresoj që ministri u çua nga seanca të shkojë në Prokurori ta hetojë këtë proces dhe t’i vë para drejtësisë së paku administrative ata të cilët kanë tentuar edhe kanë nënshkruar një marrëveshje korruptive, e pastër korruptive, puro hajni edhe që është për marre për institucionet e Kosovës. Kjo nuk mbulohet kështu, akti më korrekt, më real do të ishte sot dorëheqja për të treguar që unë, ne, qeveria nuk qëndrojmë prapa këtij skandali”, tha ai.

Kurti jep detaje për emërimin e ambasadorëve, tregon se a do të jenë të karrierës apo politik

Pse e la akoolin Meghan Fox?Megan Fox hoqi dorë nga alkooli pasi kishte pirë më shumë se ç’duhej në Golden Globes 2009, …

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se emërimi i ambasadorëve të rinj do të bëhet shumë shpejt, ndërsa synohet të ketë kuotën 70 me 30 sa i përket asaj se a do të jenë diplomat të karrierës apo politik.

Këto detaje Kurti i ka dhënë në seancën e sotme të Kuvendi të Kosovës, si përgjigje ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Aridana Musliu-Sosh.

“MPJD sikurse edhe krejt Qeveria, është në periduhën e reformimit të brendshëm. Jemi në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës. Deri më tani 43 diplomatë karriere janë kandidatë potencialë për udhëheqës të misioneve diplomatike”, tha Kurti.

Ai ka konfirmuar se do të ketë ambasador të emëruar me çelës politik, “por jo siç ka qenë deri më tani”.

“Tash këta ambasadorë a do të jenë të karrierës apo politikë, ne jemi duke ndryshuar ligjin i cili shkon më kuotën 70 dhe 30, jo siç ishte 50 – 50. Do të ketë edhe politikë, por jo as për së afërmi siç ishte deri më tani”, tha ai.

Ndërkohë, vlen të përmendet se në muajin maj u shkarkuan 13 ambasadorë të Kosovës nëpër vende të ndryshme.

Shumë prej qendrave evropiane ku Kosova ka ambasada, kanë mbetur pa udhëheqës

Bekë Berisha e quan kryeministrin Kurtin “zotëri Hegel”

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, për siç tha ai, mos përkrahje të fermerëve sidomos atyre të cilët u dëmtuan nga vërshimet.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Berisha ka kërkuar nga ministri që të tregojë si do të ndihmohen fermerët.

Berisha: Çka do të ndodh me grantet dhe subvencionet për fermerët

“Çka ka ndodh me subvencione dhe grante të fermerëve, a je interesuar dhe pse e ndalove ndihmën për ta, është viti i parë pas lufte që bujqit nuk kanë aplikuar për grante edhe që ish dashur të shpërndahen grantet dhe subvencionet për ta… Zoti ministër unë ty kam prit me të pa me çizme duke i vlerësuar dëmet dhe duke i ndihmuar, por ty si duket po të pëlqen zyra, asistentët, kerret e këto që po i bënë, në këto pyetje kam qejf me mu përgjigje ministrat, as ju shokët këtu përballë, por as ‘zotëri Hegel’ por ju dy me tregoni saktë çka ka ndodh me këto sene”, tha Berisha.

Në përgjigjen e tij, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se janë duke shqyrtuar mundësitë që të rritet përkrahja për fermerët.

Peci: Fermerët këtë vit do të përfitojnë 26.3 milionë euro në kategorinë e subvencioneve

“Nuk është e vërtetë që Ministria e Bujqësisë nuk është në përkrahje të bujqve, në vitet e fundit, në pesë gjashtë vitet e fundit, shuma vjetore e përkrahjes për këta fermerë ka variuar prej 23 milionë deri në 25 milionë ndërsa këtë vit fermerët nga buxheti i këtij viti do të përfitojnë vetëm në kategorinë e subvencioneve 26.3 milionë euro dhe ne jemi duke i shqyrtuar të gjithë mundësitë që të rritet kjo shifër e përkrahjes”, ka thënë Peci.

Megjithatë, deputetit Berisha nuk i ka pëlqyer përgjigja e ministrit.

Berisha: Ministri i Bujqësisë të tregojë çka ka bë në praktikë për t’i përkrahur fermerët

“Sa i përket kësaj përgjigjes tuaj zoti ministër i Bujqësisë, unë me pas dashur përgjigje këso ‘kili mili’, ‘fizibiliteti, çfizibilieti’, e kisha vet ‘Hegelin’, ti veç më tregon mu, kur ua qet subvencionet, ku je kanë, çka ke bë praktikisht, unë di kënd e veti për fjalë e këso”, tha Berisha.

***

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka deklaruar se partia në pushtet do të emërojë anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) persona që kanë brohoritur për partinë që ka fituar zgjedhjet.

Ajo tha se procesi i intervistimit të kandidatëve për anëtarë të KPM-së është kritikuar edhe nga shoqëria civile, pasi që tha se është zhvilluar në mënyrë jotransparente.

“Një proces i mbyllur dhe jo transparent meqë ju e dini që tashmë partia në pushtet ka pasur kandidat të cilët ka vendosur që t’i listojë dhe t’i sjell këtu si të rreshtuarit e saj. Ju do të jeni dëshmitar që në zgjedhjet e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media do të jenë të rreshtuar ata njerëz që kanë brohoritur gjatë gjithë kohës për partinë e cila ka fituar zgjedhjet. Prandaj, ata do të shpërblehen në një proces që ka qenë jo fer, jo transparent dhe tërësisht i mbyllur nga shoqëria civile dhe nga opinioni publik”, tha ajo.

***

Krasniqi e LDK-së: Kurti e ka nisur gabim dialogun, ka manipuluar qytetarët

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në dialogun me Serbinë është jo transparentë.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit ka pyetur Kurtin sesi i ka shkruar takimi në Bruksel që pati më 19 korrim me Aleksandar Vuçiq, presidentin e Serbisë.

“Qysh të shkoi takimi kryeministër në Bruksel? Nuk jeni duke e respektuar Kuvendin, një rezolutë e Kuvendit thotë se duhet të raportoni para dhe pas çdo veprimi që do të ndërmerret me dialogun. Z. Kurti e keni nisur gabim dialogun, keni manipuluar me qytetarët e Kosovës, keni manipuluar me familjarët e personave të pagjetur. A i keni përmendur të pagjeturit në takimin tuaj?”.

Krasniqi i ka cilësuar si takime të fshehura ato të Kurtit në Bruksel.

“Them takime të fshehura sepse Kuvendi nuk ka qenë i informuar fare për takimin tuaj. Mungesa e transparencës e bën të dyshuar këtë proces”, ka thënë deputetja.

Zemaj ia numëron Kurtit ato që kanë ndodhur gjatë mungesës së tij

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, poashtu i ka uruar mirëseardhje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas gati dy javësh në Greqi, Francë e Bruksel.

Ai ia numëroi Kurtit ato që kanë ndodhur gjatë mungesës së tij në Kosovë.

“Kryeministër është e udhës të thuhet mirë se ke ardh, një kryeministër i cili po mungon për një kohë të gjatë ndoshta duhet ta kishte arsyen e vet, por është e paarsyeshme mungesa e Qeverisë në Kuvendin e Kosovës. Nëse keni shkuar jashtë vendit për dy javë, mendoj që Qeveria ish dashtë me qenë prezente”.

“Asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës të cilat janë interesa të vendit. Gjatë kësaj kohe, në aspektin human ndodhi ngjarja në komunën e Deçanit, ku munguat ju dhe dikasteri i Ministrisë së Shëndetësisë. Vërshimet, asnjë qasje e kësaj qeverie. Është organizuar një protestë nga ish kolegët e juaj dhe ka përfunduar me dhunë. Ministria e Infrastrukturës po tenton me vjedh paranë publike në një ofertë e cila kushton 00.06 cent, këta po tentojnë me ua shit qytetarëve 5 euro, shumë e vogël por dëmton xhepin e qytetarëve. Nuk arsyetohen këto fakte dhe kjo neglizhencë thuajse nuk ka qeveri. Duhet të jeni të përgjegjshëm”, tha Zemaj.

Liburn Aliu jep lajmin e mirë: Pezullohet taksa 5 euro për etiketimin e veturave

Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, njoftoi se ëshhtë pezulluar vendimi për taksën 5 euro për tiketat ngjitëse të veturave.

Ai tha se do të hetohen të gjitha procedurat se si ka ardhur deri te kjo taksë, ndërsa ka siguruar qytetarët se nuk do të paguajnë nga 5 euro.

Kurti në Kuvend – Tahiri i uron mirëseardhje: Shpresoj ta keni përfunduar muajin e mjaltit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas 14 ditëve qëndrimi jashtë vendit ka marrë pjesë në seancën e Kuvendit.

Në fjalën e rastit shefi i GP-së së PDK-së Abelard Tahiri i ka uruar mirëseardhja kryeministrit Kurti.

Tahiri tha se shpreson që qëndrimi në bregdetet e Greqisë do t’i jep një shtyrje për të punuar Kurtiti dhe ta përfundojë muajin e mjaltit.

“Kryeministër mirë se u ktheve në Kosovës dhe shpresojmë që qëndrimi në Greqi po ta jep një shtytje dhe me përfunduar muajin e mjaltit që sot po përfundon. 14 ditët nuk kishin të bënin me interesat shtetërore e kombëtare”.

“Gjatë kësaj vizite turistike Kosovën e goditën edhe vërshimet normalisht që për këtë nuk po të akuzojmë ty mirëpo u rrezikua jeta e qytetarëve. Për rastin e Deçanit e bërë një postin ndërsa për vërshimet nuk bërë asgjë dhe kjo tregon për pa përgjegjësinë tënde. Kryeministrja e vendit në Gjermani e ndali vizitën e saj në SHBA, ndërsa ti kryeministri i vendit më të varfër nuk u ndale”.

Ndërsa në emër të LDK-së deputetja Rrezarta Krasniqi ju drejtua Kurti se ka manipuluar me ndjenjat e qytetarëve dhe me fatin e të pagjeturve.

“Kryeministër qysh shkoj takimi me Vuçiqin pasi që po ju pyes se nuk po bisedoni me deputetët e Kuvendit të Kosovës”.

“Keni nisur gabim dialogun madje keni shkelura edhe parimet e juaja dhe keni manipuluar me fatin e qytetarëve, a i përmende të pagjeturit në takim”.

Kusari: Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila, në 11 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila e shpalli vendimin se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, tha se ky vendim ishte dhe mbetet një nga më të rëndësishmet dhe historike për popullin e Kosovës.

Kusari-Lila tha se edhe pas 11 viteve Kosova vazhdon të sfidohet nga politikat destruktive dhe obstruksionet nga Serbia, për të cilin u shpreh se vazhdon të prodhoj ide rreth ndarjes e shkëmbimit të territorit të Kosovës.

Ajo tha se bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta, por deklaroi se sot po zhvillohen në një frymë të re dhe dalluese nga ajo çfarë kishte më parë. Kusari potencoi se Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës mbeten të përkushtuar që në Bruksel të zhvillohen bisedime mes dy shteteve dhe asnjëherë në dëm të Kosovës apo popullit të saj.

Kusari-Lila: Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta, por sot janë në një frymë të re

“Sot 11 vite pas këtij vendimi Republika e Kosovës vazhdon të sfidohet nga politikat destruktive dhe obstruksione të cilat ende po ia krijon po i njëjti shtet, Serbia. Shteti serb vazhdon të prodhon ide rreth ndarjes së Kosovës, ide rreth shkëmbimit të territoreve e kush e di në të ardhmen me çfarë ide të reja mund të dalë. Neve na mbetet të forcojmë Republikën tonë, të bëjmë shtëpi të përbashkët për të gjithë qytetarët e saj, të sigurt dhe me mirëqenie për gjeneratat që po jetojnë dhe të tjerat që do të vijnë pas. Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta, por sot janë në një frymë të re dhe dalluese nga ajo çfarë kishim më parë. Sot bëhen 4 muaj që ky Kuvend votoi qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila mori mandatin e dhënë nga populli si asnjëherë më parë me mbi 50 përqind, andaj ne Kuvendi i Republikës së Kosovës, qeveria e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuar që në Bruksel të zhvillojmë bisedime mes dy shteteve, me përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet ndërshtetërore dhe asnjëherë në dëm të Kosovës apo popullit të saj”, tha ajo.

Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila ka në rend të ditës 13 pika. Ndër to është edhe shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në këtë seancë do të shqyrtohen edhe disa projektligje, ku një nga to është edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe projektligji për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit, Projektligji për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, Projektligji për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, Projektligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, Projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për tregti me jashtë.

***

Seanca e Kuvendit të Kosovës pritet të fillojë brenda pak minutash.

Deputetët kanë filluar të mblidhen brenda Kuvendit, shkruan “Bota sot”.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për seancën e radhës plenare.

Seanca pritet të nis në ora 10:00.

Rendi i ditës

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-010 për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-011 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-012 për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-007 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-022 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme,

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-021 për tregti me jashtë,

12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *