Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka bërë të ditur se sot gjatë mbledhjes së Qeverisë është miratuar programi ‘’Super Sportistët’’.
Buxheti i këtij programi për 4 vite arrin shifrën e 4 milionë euro, ndërsa për cilësinë e këtij programi janë angazhuar profesionistë të dëshmuar nga fusha e sportit, në krye me Driton Kuka.
Njoftimi i plotë:
Suksesi i sportistit në arenën ndërkombëtare është njëkohësisht sukses i shtetit dhe krenari e çdo qytetari të Republikës sonë.
Për mbështetjen e sportistëve me potencial për rezultate ndërkombëtare, sot në mbledhje të Qeverisë e miratuam programin “Super Sportistët”, i cili synon të rris numrin e sportistëve me potencial për medalje në gara ndërkombëtare, numrin e sporteve me të cilat garojmë, si dhe numrin e medaljeve që do t’i fitojmë.
Buxheti i programit është 4 milionë euro për katër vite, ndërsa për cilësinë e këtij programi janë angazhuar profesionistë të dëshmuar nga fusha e sportit, në krye me kryemjeshtrin Driton Toni Kuka.
Krahas politikave ekzistuese për zhvillimin e sportistëve, tani e tutje ata do të kenë edhe mbështetjen e nevojshme për zhvillimin maksimal të talentit të tyre gjatë karrierës aktive.