Die. Nën 24th, 2024

MKRS-ja prezantoi planin e ndarjes së subvencioneve në vlerë prej 5 milionë eurosh

Në konferencën e sotme për media, organizuar nga MKRS-ja, zëvendësministrja znj. Daulina Osmani ka prezantuar planin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndarjen e subvencioneve në vlerë prej 5 milionë eurosh në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Zëvendësministrja Osmani tha se pandemia ka pamundësuar aktivitetin e rregullt të sportistëve tanë dhe pjesëmarrjen e tyre në gara, ka pamundësuar performimin e artistëve lokalë dhe mbi të gjitha e ka bërë pasive rininë tonë duke minimizuar aktivitetet e tyre.

Ndërsa shtoi se për të zbutur ndikimin negativ që pandemia ka pasur në komunitet, ne si Ministri kemi vendosur që prej shumës totale prej 5 milionë eurosh të dedikojmë për secilin sektor buxhet mbështetës:

• 2,500,000 euro për rini dhe sport,

• 2,500,000 euro për kulturë dhe trashëgimi kulturore.

Gjithashtu ka bërë të ditur që tashmë janë publikuar thirrjet për aplikim për mbështetje të projekteve në fushat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Nga buxheti 5 milionësh, përveç që do të financohet skena e pavarur kulturore, organizatat sportive, organizatat e trashëgimisë kulturore dhe organizatat që punojnë me të rinjtë, do të përfitojnë edhe institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore në nivel komunal.

Ajo, po ashtu theksoi se në kuadër të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore shpërndarja e këtyre fondeve do të bëhet në tri module.

Moduli i parë është: Thirrja publike për projekte të OJQ-ve dhe individëve. Për herë të parë individët do të kenë mundësinë të marrin mbështetje deri në vlerën 25 mijë euro, ku më parë shuma maksimale ka qenë 5 mijë euro.

Në modulin e dytë është blerja e veprave të artit. Përmes fondit të ringjalljes, me blerje direkte të veprave artistike, mundësohet njohja dhe përkrahja e krijimtarisë kulturore-artistike në Kosovë. Të gjitha ato vepra do të inventarizohen, mbrohen dhe të bëhen pjesë e koleksioneve të Galerisë, Bibliotekës Kombëtare dhe muzeve të Kosovës.

Ndërsa në Modulin e tretë për herë të parë si Ministri, përmes memorandumeve të bashkëpunimit me të gjitha komunat e Kosovës mundësohet mbështetja e të gjitha institucionet lokale artistike: teatrot e qyteteve, bibliotekat komunale dhe muzetë komunale si dhe muzetë e tjera me status publik.

Për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë janë ndarë 500 mijë euro nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, përfshirjen në tregun e punës, ndërmarrësinë dhe aftësimin profesional. Gjithashtu, në pjesën tjetër të vitit me buxhetin e rregullt të Ministrisë do të mundësohet trajnimi në punë për të rinjtë dhe do ndahen grante për bizneset e udhëhequra nga të rinjtë. Vlera e këtyre dy programeve është 1 milion euro.

Ndërsa 2 milionë euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen për zhvillimin e sportit. Edhe këtu ndarja e fondeve në sport përfshin tri module:

Moduli i parë: Thirrja publike. Kjo është hera e parë që MKRS-ja hap thirrje publike për subvencionimin e individëve dhe organizatave që kanë për qëllim zhvillimin dhe promovimin e sportit garues, sportit për të gjithë, menaxhimin sportiv dhe zhvillimin e hulumtimit dhe të dokumentimit në fushën e sportit. Vlerat maksimale të përkrahjes përmes kësaj thirrjeje janë: 30 mijë euro për individë dhe 150 mijë euro për organizata.

Moduli i dytë parasheh mbështetje për fuqizimin e sportit shkollor dhe sportit universitar, i cili do të ndihmojë në organizimin e ligave shkollore në sportin e basketbollit dhe futbollit dhe në organizimin e Kampionatit Botëror të Hendbollit Universitar.

Moduli i tretë me fokus të veçantë do të trajtojë mbulimin e shpenzimeve për shërimin dhe rikuperimin e lëndimeve sportive për sportistët e përfaqësueseve shtetërore dhe sportistëve të ligave më të mëdha në vend.

Vlera totale e buxhetit për përkrahjen e komunitetit artistik, rinor dhe sportiv nga MKRS-ja për vitin 2021 është 13 milionë euro. Kjo vlerë e buxhetit është rritur në mënyrë sistematike përmes rishikimit të buxhetit të MKRS-së dhe Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Andaj, u bëjmë thirrje të gjitha organizatave dhe individëve që të aplikojnë me idetë dhe projektet e tyre shtoi Zëvendësministrja Osmani.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *