Ministri i Financave, Hekuran Mustati ka deklaruar se parashikimet e ministrisë që drejton janë se rritja ekonomike do të jetë mbi nivelin e para pandemisë, e madje edhe më e larta në rajon, e si rezultat i kësaj në vitin 2024, parashihet që GDP-ja apo bruto prodhimi vendor të tejkalojë edhe shifrën prej 10 miliardë euro.
Ministri Murati në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se është miratuar korniza afat mesme e shpenzimeve për tri vitet në vijim, për periudhën 2023/25, për të cilën tha se është një prej dokumenteve më të rëndësishme.
Sipas tij, kjo kornizë afat mesme e shpenzimeve parasheh se si do të zhvillohen buxhetet për tri vitet e ardhshme, si do të jetë shpenzimi i parasë publike, si dhe do të jenë prioritetet.
Ai shtoi se presin që të vazhdojë trendi i rritjes ekonomike dhe i të hyrave buxhetore, për shkak se si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik, po e shohin vazhdimin e trendit të rritjes së të hyrave.
“Edhe në tremujorin e parë kemi rritje të të hyrave prej 20 përqind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak, dhe kësisoj parashikimet tona, të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, parashohin që ky trend të vazhdojë. Rritja ekonomike reale të jetë mbi nivelin e para pandemisë, e madje edhe më e larta në rajon dhe si rezultat i kësaj në vitin 2024 parashihet që GDP-ja nominale apo bruto prodhimi vendor nominal të tejkalojë edhe shifrën prej 10 miliardë euro. Kurse në anën tjetër edhe te aspekti buxhetor parashihet një tempo më e shtuar e rritjes së të hyrave buxhetore, e si rezultat i kësaj pastaj edhe stabilizimi i deficitit, pra rikthim i deficitit në nivelin e tavanit prej dy përqind që është sipas rregullës fiskale dhe në anën tjetër rritje e investimeve apo shpenzimeve në kategoritë të cilat janë prioritet i Qeverisë”, tha ai.
Ai foli edhe për vendimet që mori qeveria sot për mbështetjen e komunave, ku ndahen rreth 1.3 milion euro për disa komuna.
“Është komuna e Podujevës, Istogut, Shtimes dhe Graqanices, të cilat kanë disa projekte të nënshkruara në kuadër të një marrëveshje me qeverinë e republikën federale të Austrisë, për investime kryesisht në ujin e pijes apo edhe trajtimin e ujërave të zeza. Po ashtu, kishim edhe një projekt tjetër që parashihet t’i përcillet komunës së Prizrenit në bashkëpunim me BERZH-in, bëhte fjalë për një investim prej 6.35 milionë euro në kuadër të masës për eficensën e energjisë në ndërtesat publike, pra në kuadër të programit për qytetet e gjelbëria”, tha ai.
“Në përgjithësi kjo qeveri vazhdon të mbështesë qytetarët, vazhdon të mbështesë edhe nivelin lokal apo komunal. Hiq me larg se këtë jave kishim edhe komisionin e granteve, ku anëtar është edhe ministri i administratës të pushtetit lokal dhe miratuan grantin e përgjithshëm dhe grantet specifike të tjera që janë për arsim, shëndetësi apo të tjera që parashohin një rritje të buxheteve komunale prej 87 milionë euro në tërësi, pra vetëm granti i përgjithshëm si rezultat i reflektimit të rritjes së të hyrave në nivelin qendror parasheh një rritje prej 32 për qind, krahasuar me vitin ekzistues. Kësisoj edhe Komunat do të kenë mundësi që duke filluar nga viti i ardhshëm, përfshirë edhe këtë vit por sidomos nga viti i ardhshëm me këto të hyra shtesë te kenë mundësi te investojnë në investime kapitale dhe në projekte tjera që janë në të mirën e qytetareve”, tha ai.
Qeveria me një vendim të miratuar në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimet për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP te komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Hani i Elezit.
“Bazuar në kërkesat për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP te komunat, Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 6 korrik 2018 ka miratuar këto vendime: Vendimi Nr.05/55 i Komunës së Gjilanit, Vendimi Nr. 06/55 i Komunës së Ferizajt, Vendimi Nr. 07/55 i Komunës së Suharekës, Vendimi Nr. 08/55 i Komunës së Skenderajt, vendimi Nr. 09/55 i Komunës së Deçanit, Vendimi Nr. 10/55 i Komunës së Junikut, dhe Vendimi Nr. 11/55 i Komunës së Hanit të Elezit. Këto vendime nuk kanë mundur të zbatohen, dhe në vitin 2021 kanë pësuar ndryshimet ligjore, përkatësisht Ligji Nr.06/L-092 ka shfuqizuar Ligjin Nr.04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Shfuqizimi i vendimeve të lartcekura bëhet në përputhje me nenin 57 të Ligjit Nr.05/L-031 Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Ndërkohë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar edhe një vendim që ka të bëjë me ligjshmërinë e komunave. Sipas tij, është anuluar një vendim i ish qeverisë i vitit 2018 për shkak se është e pamundur të implementohet për arsye që gjatë vitit 2019 është shfuqizuar ligji për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim dhe tash kjo ka pamundësuar implementimin e vendimeve që janë marrë në 2018.
“Gjatë vitit 2019 është shfuqizuar ligji për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim dhe tash kjo ka pa mundësuar implementimin e vendimeve që janë marrë në takimin e 55 të ish qeverisë në vitin 2018, dhe kjo tani iu mundëson komunave që me pas më shumë mundësi të mos kenë probleme me ligjshmërinë e këtyre vendimeve”, tha ai.
Krasniqi gjithashtu foli edhe për informimin që bëri në mbledhjen e qeverisë lidhur me raportin e fizibilitetit për vet qeverisjen lokale në Kosovë, për të cilin tha se është një raport voluminoz i cili ka analizuar dy aspekte se si po funksionon dhe çka duhet të bëhet në mënyrë që të ketë ndryshime kurdoqofshin ato në pjesën e vetëqeverisjes lokale në Kosovë.