Ministri i Financave, Hekuran Murati, është shprehur se, në krahasim me qeverisjet e kaluara, me këtë qeveri është përgjysmuar numri i kontratave me procedurë të negociuar.
Duke paraqitur tabelën me të dhëna, Murati thotë se është e kuptueshme që numri nuk mund të bjerë në zero, sepse çdoherë del diçka për të prokuruar, që kërkon shfrytëzimin e neneve 34 dhe 35 të ligjit për prokurim publik.
“Të dhënat më poshtë më së miri e dëshmojnë që e gjithë zhurma e propaganda e bërë tash e disa muaj, e orkestruar nga opozita, të cilës po ia mban zhagun edhe Prokuroria Speciale, nuk është asgjë tjetër pos një luftë speciale kundër Qeverisë Kurti, qeverisë më të ndershme që vendi ka pasur ndonjëherë”, u shpreh kryesuesi i dikasterit për Financa.
Ky është postimi i plotë i tij:
Sipas të dhënave të KRPP-së që sot prezantoi deputeti Armend Muja, del se numri i kontratave me procedurë të negociuar në mandatin tonë është përgjysmuar, kur krahasohet me qeverisjet e kaluara.
Por kur i dëgjon teksa flasin opozita e analistët, të krijohet përshtypja që numri i ktij lloji të kontratave ka tejkaluar të gjitha qeveritë e mëparshme.
Është e kuptueshme që numri nuk mund të bjerë në zero sepse çdoherë del diçka për të prokuruar që kërkon shfrytëzimin e neneve 34 dhe 35 të ligjit për prokurim publik. Ama as që bëhet fjalë për rritje të numrit të kontratave të tilla, e aq më pak shkuarjes përtej asaj që e lejon ligji.
Të dhënat më poshtë më së miri e dëshmojne që e gjithë zhurma e propaganda e bërë tash e disa muaj, e orkestruar nga opozita, të cilës po ia mban zhagun edhe Prokuroria Speciale, nuk është asgjë tjetër pos një luftë speciale kundër Qeverisë Kurti, qeverisë më të ndershme që vendi ka pasur ndonjëherë.