Profesori i diplomacisë, Valon Murtezaj, ka përjashtuar mundësinë që Franca dhe Gjermania e kanë lëshuar një dokument të përbashkët për ta zgjidhur çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se dokumenti i cili po qarkullon nëpër media përbën shumë paqartësi përbrenda dhe si i tillë nuk mund të lëshohet nga shtetet në fjalë.
“E kuptoj që një dozë e konfidencialitetit duhet të ekzistojë, mirëpo pala e Serbisë është duke abuzuar me këtë dokument të pretenduar. Ajo po thotë që unë nuk pranon dhe po e eliminon potencialin për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, tha ai në Klan Kosova.
Ai po ashtu ka thënë se është problematike sjellja e Qeverisë së Kosovës, pasi që sipas tij nuk janë dhënë detaje sa i përket propozimit nga Franca dhe Gjermania.
“Është çështje problematike sjellja e Qeverisë së Kosovës sepse asnjëherë – përveç një deklarate që kemi pasur disa propozime nga Franca dhe Gjermania – asgjë më shumë ne nuk kemi dëgjuar nga protagonistët e qeverisë, as nga kryeministri Albin Kurti apo nga njerëzit tjerë që merren me politikën e jashtme”.
“Kjo e krijon një konfuzion në mesin e publikut të gjerë dhe në momentin që kemi të bëjmë me Serbinë, ne shqiptarët e Kosovës ende i kemi të freskëta sjelljet e Serbisë gjatë dhe pas luftës”.
“Duhet të ketë më shumë transparencë dhe në fund të fundit, qeveria është e angazhuar për të mbrojtur interesat e Kosovë”.
“Çdo lloj propozimi duhet të merret me seriozitet, të pranohen gjërat që duhen pranuar dhe të mos pranohen ato që nuk duhet pranuar”.