Mër. Nën 27th, 2024

NATO: Jemi kundër një përpjekjeje të njëanshme për ta hapur urën

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” ua ka kushtuar një artikull tensioneve të fundit në veri në dritën e synimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër dhe qortimeve të rënda ndërkombëtare kundër një veprimi të tillë, me një zyrtar të lartë të NATO, i cili i tha mediumit ndërkombëtar se ata janë “rreptësishtë kundër një përpjekjeje të njëanshme për të hapur urën”.

“Ne jemi rreptësisht kundër një përpjekjeje të njëanshme për të hapur urën. Nuk duam të rrezikojmë çfarëdo lloj dhune që do të rrezikonte ushtarët e KFOR-it”, citohet të ketë deklaruar zyrtari i lartë i NATO-s.

Duke u thirrur në burimet e veta, Reuters shkruan se thirrje për kujdes pati edhe nga shefi i CIA-s William Burns gjatë vizitës së tij në Kosovë.

“Zyrtarët perëndimorë e kanë paralajmëruar Kurtin se hapja mund të shkaktojë dhunë etnike dhe të rrezikojë trupat e NATO-s të vendosura atje. Zyrtarët e NATO-s kanë vizituar Kosovën muajt e fundit për të bindur Kurtin të tërhiqet. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, William Burns, gjithashtu kërkoi kujdes në një takim me Kurtin në gusht, thanë burimet”, shkruan Reuters.

Mediumi i ka kushtuar një pjesë të madhe të artikullit hapjes së biznesit “Missini Sweets” së fundi në Mitrovicën e Veriut mes – siç shkruan aty – një kundërshtimi nga serbët etnikë për të cilin thuhet se po “refuzojnë të hyjnë.”

“Që nga hapja e një kafeneje të re të quajtur ‘Missini Sweets’ këtë muaj në Mitrovicën e Veriut, Kosovë, një mori mysafirësh kanë shijuar pijet dhe ëmbëlsirat e saj. Por biznesi është përballur me erëra të kundërta: drejtohet nga shqiptarë etnikë dhe serbët etnikë vendas refuzojnë të hyjnë”.https://zeri.info/inarticle.html

Duke iu referuar një videoje të postuar në Telegram, në artikull përmenden thirrjet e bëra nga komuniteti serb për t’i bojkotuar bizneset shqiptare në atë pjesë.

“Një video e postuar në gusht në një kanal Telegram të popullarizuar nga serbët, e parë mijëra herë, bën thirrje që kafeneja të bojkotohet pasi të hapet, sepse është në një pjesë të qytetit të mbizotëruar nga serbët. Një supermarket i drejtuar nga shqiptarët aty pranë, i theksuar gjithashtu në video, ka pasur trajtim të ngjashëm, tha një punëtor atje”.

“Për momentin nuk po marrim klientë serbë sepse ka një fushatë në rrjetet sociale dhe njerëzve u thuhet të mos hyjnë në dyqanin tim”, citohet t’i ketë thënë mediumit ndërkombëtar, pronari i “Missini Sweets” në Mitrovicë, Astrit Misini.

E gjithë kjo situatë po “shqetëson zyrtarët perëndimorë dhe KFOR-in” mes frikës për nxitje tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet më tej në artikull. “Situata shqetëson zyrtarët perëndimorë dhe paqeruajtësit të cilët kanë frikë se problemet në Mitrovicë mund të nxisin tensione më të gjera midis Serbisë dhe Kosovës, ashtu si të dyja po shqyrtohen për anëtarësim në Bashkimin Evropian – me kusht që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre”.

Sipas Reuters, serbët etnikë i lexojnë këto zhvillime si përpjekje të kryeministrit Kurtit për të shtrirë ndikimin e shqiptarëve etnikë në veri të Kosovës.

“Veprimet e qeverisë ‘Kurti’ në veri gjatë viteve të fundit, edhe pse ligjore… shpesh ndihen si një marrje armiqësore”, citohet të ketë thënë Frauke Seebass e Institutit Gjerman për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë në Bruksel.

Nga ana tjetër, Kurti citohet t’i ketë thënë Reuters se Beogradi dëshiron ta mbajë urën të mbyllur për të ndarë veriun me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Kosovës.

“Mendoj se ata në Serbi që insistojnë të mbajnë urën të mbyllur, duan të mbajnë gjallë ëndrrën e ndarjes së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *