Ka përfunduar në Bruksel samiti i vendeve anëtare të NATO-s, i pari me prezencë fizike që nga viti 2018 për shkak të pandemisë së koronavirusit. Udhëheqësit e 30 vendeve anëtare kanë adresuar çështjet të sigurisë globale dhe rreziqeve me të cilat ballafaqohen vendet anëtare përfshirë ato nga Kina, Rusia dhe Irani.
Në deklaratën përfundimtare të përbashkët, krerët e NATO-s kanë adresuar edhe praninë në Kosovë dhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
NATO-ja ka përsëritur edhe në samitin e sotëm (14 qershor), përkushtimin për vazhdimin e angazhimit në Kosovë dhe ka mbështetur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mbetemi të përkushtuar për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe përmes KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja që kontribuon për një ambient të sigurt dhe stabilitet të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sikur edhe për përpjekjet e ndërtimit të kapaciteteve me organizatat e sigurisë së Kosovës. Çfarëdo ndryshimi në përbërjen e KFOR-it në Kosovë, do të bazohet në kushtet e jo në kalendar kohor”, thuhet në deklaratën e përbashkët të aleatëve të NATO-s.
Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në deklaratë thuhet se NATO-ja “mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet tjera me qëllim të normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe u bën thirrje palëve që të shfrytëzojnë rastin dhe të angazhohen me besim të mirë drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”.
Në këtë deklaratë thuhet se “Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, siç është nënvizuar me historinë tonë të gjatë të bashkëpunimit dhe operacioneve”.
“NATO-ja mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj aspiratave euro-atlantike të vendeve të rajonit. Ne do të rrisim përpjekjet tona në rajon dhe të zgjerojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik në mënyrë që të mbështesim reformat, promovojmë paqen dhe sigurinë rajonale dhe t’i kundërvihemi ndikimit qëllimkeq të aktorëve të jashtëm”, thuhet në deklaratë.
NATO përmes deklaratës vlerëson edhe raportet me Serbinë si një partnere.
“Ne vlerësojmë partneritetin NATO-Serbi. Forcimi i raporteve do të ishte në dobi të Aleancës, Serbisë dhe tërë rajonit”, thuhet në deklaratë.
Kina dhe Rusia
Në lidhje me raportet me Rusinë, udhëheqësit e NATO-s thanë se nuk mund të ketë një kthesë në marrëdhëniet normale midis aleancës ushtarake perëndimore dhe Rusisë, derisa Moska të sillet në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë euro-atlantike”, thanë udhëheqësit.
Ata kanë përmendur “rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve ushtarake ruse dhe aktivitetet provokuese, përfshirë ato pranë kufijve të vendeve anëtare të NATO-s”.
“NATO nuk kërkon konfrontim dhe nuk paraqet asnjë kërcënim për Rusinë”, thuhet në deklaratë.
Udhëheqësit e NATO-s vlerësojnë se sjellja gjithnjë e më agresive e Kinës paraqet “sfidë të vazhdueshme” për sistemin global të bazuar në rregulla, si dhe sigurinë euro-atlantike.
Shqetësimi i 30 krerëve të shteteve dhe qeverive ka të bëjë me “politikat” e Kinës, duke përmendur arsenalin bërthamor që sipas tyre po “zgjerohet me shpejtësi”, bashkëpunimin ushtarak me Rusinë dhe “mungesën e transparencës dhe dezinformimin”.
Komunikata i bëri thirrje Pekinit “të veprojë me përgjegjësi në sistemin ndërkombëtar “.
Më herët presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se NATO-ja është “shumë e rëndësishme” për interesat amerikane. Sipas tij klauzola e NATO-s për mbrojtje reciproke është “një detyrim i shenjtë”. Biden i bëri komentet pasi mbërriti në Bruksel për të marrë pjesë në samitin me udhëheqësit e NATO-s.
Që nga marrja e detyrës në janar, Biden e ka kritikuar Moskën për rolin e saj në konfliktin e Ukrainës, ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet e vendeve të tjera dhe sulmet kibernetike nga hakerët me bazë në Rusi.
Nga Brukseli, Biden do të udhëtojë në Gjenevë të Zvicrës ku do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin.
Takimi mes dy liderëve mbahet më 16 qershor./REL