Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se ndihet keq se Kosova ende nuk ka emëruar ambasador/e në Izrael.
“Ndihem keq për faktin se tri vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Kosova ende nuk e ka emëruar Ambasadorin/en e Kosovës në Izrael”, tha Hoti.
Ish-kryeministri i vendit, tutje në postimin në Facebok, tha se krerët e shtetit të Kosovës, kështu po tregojnë mungesë respekti ndaj njohjes që erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë.
“Kjo është mungesë respekti e krerëve të shtetit të Kosovës ndaj njohjes që na erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë pas vitesh mungese të njohjeve. Kjo është mungesë respekti ndaj shumë marrëveshjeve që Izraeli ka nënshkruar me Kosovën pas shkëmbimit të misioneve diplomatike në shkurt 2021”, shkroi Hoti në Facebook
“Këta që më shanin në Kuvend për një marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e hidhnin dyshime për validitetin e kësaj njohjeje që erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë, duhet të tregojnë respekt e mirënjohje pë aleatët e Kosovës. Pa ta Kosova mbetet e izoluar, pa zhvillim, pa integrime euro-atlantike”, shtoi ai.