Kanë kaluar nëntë vjet që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, një nga marrëveshjet më të rëndësishme të vendit pas shpalljes së pavarësisë. Kjo marrëveshje ka hapur mundësi të reja për zhvillimin e Kosovës, por sipas njohësve të ekonomisë, mundësitë që ajo ka ofruar nuk janë shfrytëzuar në mënyrën më efikase nga institucionet e Kosovës.
Sipas tyre, MSA ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e Kosovës, jo vetëm në aspektin politik dhe ekonomik, por edhe në atë gjeostrategjik. Njohësi për çështje të ekonomisë, Safet Gerxhaliu, vlerëson këtë marrëveshje si një mundësi të madhe për të avancuar shumë aspekte të shtetit, përfshirë integrimin ekonomik dhe rritjen e tregtisë.
Megjithatë, ai kritikon institucionet kosovare për mosshfrytëzimin e mundësive që ofronte ky partneritet.
Ai po ashtu shprehet se masat sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës janë një dëshmi e dështimit të institucioneve kosovare për të përfituar nga ky partneritet.
“Një ndër të arriturat më të mëdha të Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë partneriteti në BE përmes Marrëveshjes për Asocim Stabilizim. Ka qenë e një rëndësie e pakontestuar në aspektin politik, ekonomik, gjeostrategjik, aspektin integrues. Por, mundësitë për të përfituar nga kjo marrëveshje kanë qenë shumë më të mëdha, mirëpo nga ana e Kosovës ka dominuar një agjendë politike, e cila shumë më tepër ka gjetur arsye për dështim se për të shfrytëzuar këto mundësi. Vet fakti që kemi pas preferenca tregtare të garantuara përmes kësaj marrëveshje, kemi edhe më tutje varshmerinë nga importet, nuk kemi zhvilluar sektorin privat sa duhet është një dështim i madh. Por, fakti që jemi nën masa të sanksioneve politike nga BE është emëruesi i përbashkët jo i përfitimit, por dështimit të Kosovës, sepse vërtetë ka qenë një mundësi e cila ka perspektive të re në shumë sfera, por ato nuk janë shfrytëzuar nga ana e Kosovës”, thekson Gërxhaliu.
Në anën tjetër, Blerina Istrefi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shprehet se deri tani janë realizuar vetëm 50 për qind të angazhimeve të parashikuara nga MSA, porse, siç thotë ajo, është e pamjaftueshme marrë parasysh rolin dhe ndikimin e MSA-së karshi fushës ekonomike në Kosovë.
“Sa i përket Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, mund të themi se deri tani rreth 50 për qind të planit të zbatimit është përmbushur, megjithatë, është e pamjaftueshme duke e pas parasysh rolin dhe ndikimin e MSA-së karshi fushës ekonomike në Kosovë. Ne çdo vit, pra, Kosova ka çdo vit obligime që lindin dhe dalin nga kjo marrëveshje, mirëpo duke pas parasysh faktin se nga qershori i vitit 2023, zbatimi i këtyre masave është pezulluar për shkak të masave që i kemi. D.m.th jemi nën masat e BE-së. Gjithashtu ky pezullim ka ardhur si mosmbajtjes së takimeve me BE, pavarësisht kësaj, Kosova është dhënë në mënyrë të njëanshme me i zbatuar disa nga obligimet që dalin nga MSA-ja”, thotë ajo.
Marrëveshja është kulmi i përpjekjeve dhe përkushtimit në agjendën evropiane të më shumë se një dekadë e gjysmë të institucioneve të Kosovës, dhe të njëjtën kohë paraqet një fillim të ri që i hap rrugë, përshpejton dhe e përforcon procesin të integrimit evropian me qëllim të anëtarësimit në BE.
Kjo ishte marrëveshja e parë kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës, e cila u nënshkrua më 27 tetor 2015 dhe ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshja hyri në fuqi me 1 prill 20216-të
MSA sjell dobi të shumta që prekin rrafshet politike, ekonomike, të përafrimit të legjislacionit, që si rezultat do të përmirësojnë institucionet, dhe mjedisin e biznesit, dhe do të ndikojnë edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
Sa i përket pjesës politike, Kosova merr përsipër që të zbatojë një agjendë edhe më ambicioze të reformave, të drejtuar kah zhvillimi politik, ekonomik dhe social, dhe nga ana tjetër BE-ja zotohet që t’i mundësojë Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë ato financiare, që të arrihet zbatimi i këtyre reformave, në mënyrë që vendi ynë të përmbushë kriteret e anëtarësimit.
Nga pikëpamja ekonomike, MSA përforcon marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë në mes të BE-së dhe Kosovës