Nesër pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Rendi i ditës i përmban katër pika.
Fillimisht do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të betohen deputetët.
Sipas rregullores së punës së kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë, që në këtë rast janë deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari dhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari.
Në pikën e tretë të rendit të ditës është paraparë të bëhet zgjedhja e kryetarit të kuvendit, pozitë e cila i takon partisë që ka numrin më të madh të deputetëve, por që deri tashti Vetëvendosje nuk e ka nominuar askënd për të parin e Legjislativit të Kosovës.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave dhe do t’i ketë 48 deputetë në kuvend.
Në bazë të këtyre rezultateve, ulëse në kuvend ka fituar edhe Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, Lidhja Demokratike me 20 deputetë si edhe koalicioni AAK-Nisma me 8 deputetë.