Përfundon rinumërimi i 134 vendvotimeve
Rinumërimi i 134 vendvotimeve sipas vendimit të PZAP-it dhe 7 të tjerave sipas vendimit të KQZ-së, është përmbyllur gjatë ditës.
Zëdhënësi i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për IndeksOnlinen se janë ende në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme, lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion.
”Tashmë jemi në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion. KQZ-ja do të veprojë në përputhje me vendimet që dalin, në mënyrë që të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare”, ka thënë Elezi/.
…
Kandidati për kryetar të LDK-së: Partia jonë do kthehet e para
Për të parin e LDK-së, në garë është edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, shkruan Indeksonline.
Ai tha se kjo ishte një kërkesë e kamotshme dhe e strukturave të partisë në nivel vendi.
“Tre brezat e artë të LDK’së, ai i politikave të rezistencës, brezi i Republikës dhe brezi i Kosovës Europiane, duhet të vazhdojnë të kenë kohezion të plotë. Këta janë besim për mua, për ta kthyer LDK’në aty ku e ka vendin, si partia e parë“, tha ai.
Postimi i plotë:
Sapo i kam përfunduar konsultat e fundit me strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan e Anamoravë, me Degët dhe delegatët, të cilat i kam nisur para një muaji, dhe aty ua konfirmova se e pranoj kërkesën e kamotshme të tyre që t’i prijë partisë që i dha Republikës formë, besim dhe shpresë.
Kjo ishte një kërkesë e kamotshme edhe e strukturave të partisë në nivel të Republikës dhe kësaj radhe kam vendosur që ta dëgjoj zërin e tyre për të kandiduar për Kryetar të LDK’së.
Tri postulatet e shenjta të LDK’së, liria e arritur me sakrificë dhe kryengritje të armatosur, pavarësia e shpallur de jure më 17 shkurt dhe demokracia e Kosovës, mbeten postulate të cilat do të besoj e punoj për ta rikthyer LDK’në aty ku e ka vendin. Një LDK pa të cilën nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje.
Jam krenar që për 31 vjet të ecjes sime me besnikëri e lojalitet në rreshtin e madh të Ibrahim Rugovës, të partisë më e vjetër, më të organizuar, më të strukturuar dhe partisë së vetme që këtij vendi i dha formë, besim e shpresë se Republika jonë mundet dhe duhet të zhvillohet për t’u bëë e barabartë me të gjithë të tjerët.
Mbi të gjitha, kam mësuar shumë nga themeluesit e LDK’së, baballarët e kësaj Republike, njerëzit e librave, letrave e rezistencës, të cilët kohën e kthyen në interes të vendit, dijen ia dhanë popullit, durimin e kultivuan si vlerë, për tolerancë e jetë më të mirë.
Çdo gjeneratë ka cilësitë e veta, dijen e vet kulturën e vet dhe mund të japin rezultate. Ne e vlerësojmë shumë gjeneratën e re, por ne, po ashtu, e vlerësojmë përvojën, rezistencën e qëndresën e gjeneratës së vjetër dhe gjeneratës së mesme të LDK’së, e cila, sidoqoftë, po e mban sot trajektoren e partisë.
Tre brezat e artë të LDK’së, ai i politikave të rezistencës, brezi i Republikës dhe brezi i Kosovës Europiane, duhet të vazhdojnë të kenë kohezion të plotë. Këta janë besim për mua, për ta kthyer LDK’në aty ku e ka vendin, si partia e parë.
Kësa here, LDK doli keq. Rezultati i saj tregon për humbje besimi dhe këto duhet të jenë zgjedhje, jo për t’i larguar të tjerët, por për t’iu ofruar atyre, atyre që janë larguar dhe që janë treguar të pakënaqur.
Këto duhet të jenë zgjedhje, ku nuk eliminohen njerëzit, por bashkohen për t’u bërë më shumë, zgjedhje ku respektohet veprimtari, por i hapet dera të riut, zgjedhje ku gratë vendosin e burrat implementojnë, zgjedhje ku të rinjtë kërkojnë dhe burrat e gratë implementojnë.
LDK’së i duhet unitet për ta ruajtur këtë familje të madhe politike e cila është e vetmja shpresë për integrime euro-atlantike. Unë e falënderoj shumë për kontributin e madh kryetarin Isa Mustafa, ish-kryetarin Fatmir Sejdiu dhe ish kryetarët e Kuvendit, Nexhat Daci e Kolë Berisha, sikurse edhe mijëra veprimtarë e aktivistë që i qëndruan besnikë partisë në kohërat më të rënda.
Të rinjtë duhet të vazhdojnë të shkollohen, ta zgjedhin profesionin në studime për ta përcaktuar suksesin e jetës së tyre. Pra, qëllimi është që të rinjtë dhe të rejat të marrin rol udhëheqës në vendimmarrje.
Në klubin e politikbërjes së quajtur Bashkim Europian, nuk mund të hyjnë zhurmaxhinjtë, ata që bëjnë politika të këqija, ata që kanë problem me ligjin dhe ata që kanë problem me krimin e organizuar.
Po vjen koha për ndryshim dhe ndryshimi nuk ka alternativë, do të ndodhë me rikthimin e madh të LDK’së si parti e parë. Ky rikthim i madh, nënkupton besim tek partnerët, shpresë tek popullata jonë dhe guxim e përgjegjësi për ta zhvilluar vendin tonë.
Në cilësinë e kandidatit të LDK’së më 14 mars, jap zotimin tim për vlerësim të drejtë, reformë të bazuar në meritë, konkurrencë dhe hapje për brezin europian të LDK’së.
I falem veprimtarit të LDK’së, të gjithë atij rreshti të madh të kontribudhënësve të cilët këtë Republikë e themeluan si kompromis të dhimbshëm dhe të vetëm në Ballkan për t’i pushuar gjakrat e luftës.
I falem njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të planifikuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha, por për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci. I falem përjetë presidentit tonë historik, dr. Ibrahim Rugova.
LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë së saj. Anëtarësia e LDK’së ka ditë me e ringrit si feniksin në vitin 1999 dhe kjo mund të bëhet edhe tani.
14 marsin ta kthejmë në festë për demokraci të brendshme, ku një lider dhe lidership i ri do të arrinte me unitet ta kthej LDK’në aty ku e ka vendin.
Ju falëmnderit shumë. Do të mbetem gjithmonë, Luta i jua.
6 të vdekur vdekur nga Covid, 529 raste të reja dhe 333 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
333 TË SHËRUAR DHE 529 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 2.888 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 529 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Fushë-Kosovë 2 raste (78, 62 vjeç), Drenas 1 rast (65 vjeç), Gjilan 1 rast (86 vjeç), Lipjan 1 rast (64 vjeç) dhe Prishtinë 1 rast (77 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 74.748 raste nga 341.443 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.674 raste të vdekjes (janë përfshirë testimet RT-PCR dhe rastet e raportuara me vonesë nga laboratori privat Avicena KS nga data 27.02 – 07.03.2021 [2.559 teste RT-PCR dhe 72 raste pozitive] dhe laboratori Olive nga data 05.03-07-03.2021 [873 teste RT-PCR dhe 68 raste pozitive]).
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 333 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 62.983 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.091.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 191 raste, Pejë 44 raste, Ferizaj 34 raste, Mitrovicë 33 raste, Gjakovë 32 raste, Gjilan 26 raste, Lipjan 21 raste, Obiliq 21 raste, Kamenicë 18 raste, Vushtrri 18 raste, Fushë-Kosovë 14 raste, Rahovec 13 raste, Istog 9 raste, Drenas 8 raste, Prizren 7 raste, Viti 7 raste, Deçan 6 raste, Junik 5 raste, Shtime 5 raste, Skenderaj 5 raste, Novobërdë 3 raste, Suharekë 3 raste, Klinë 2 raste dhe me nga një rast komunat Kaçanik, Kllokot, Malishevë dhe Podujevë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!
Ambasada e Britanisë në Kosovë: Mos emëroni borde pa u formuar qeveria
Ambasada britanike në Kosovë, i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë, që të shtyjë gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit për zyrtarë të lartë derisa të formohen institucionet e reja.
Ambasada britanike ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për shtyrjen e procesit të intervistimit për Bordin e KEK-ut, transmeton IndeksOnline.
Ndër të tjera Ambasadës së Britanisë në Kosovë, mbetet e shqetësuar për proceset e rekrutimit të Bordeve të tjera të Ndërmarrjeve Publike dhe Kryeshefave Ekzekutiv të tyre.
Ky është njoftimi i plotë:
“Ne e mirëpresim shtyrjen e procesit të intervistimit për Bordin e KEK-ut, por mbetemi të shqetësuar për proceset e rekrutimit të Bordeve të tjera të Ndërmarrjeve Publike dhe Kryeshefave Ekzekutiv të tyre. Ne besojmë se ato duhet të jenë transparente dhe të strukturuara mirë, dhe në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Ne fuqimisht sugjerojmë që Qeveria në detyrë të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit për zyrtarë të lartë derisa të formohen institucionet e reja”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike në Facebook./IndeksOnline
….
Besian Mustafa shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së
Besian Mustafa është kandidati i radhës për kryetar të LDK-së.
Ministri në detyrë i Bujqësisë ka thënë se LDK ka nevojë për reformim, andaj do ka vendosur t’i futet garës për të parin e partisë.
“Të gjithë kemi përgjegjësi për Kosovën dhe LDK-në. Do kandidoj për kryetar të LDK-së më 14 mars.
Kandidat vetëm dhe vetëm në kuti, pa matematika.
Këto 15 vjet, që kulmuan me debaklin e 14 shkurtit, LDK ka humbur shkëlqimin dhe madhështinë e saj. Është koha t’ia kthejmë. Me rrënjët thellë në truallin e LDK-së dhe me fytyrën kah dielli i të ardhmes.
Siç është bërë tanimë zakon në partinë tonë edhe këtu pres të ndërtohen e thellohen konspiracione “ky është i atij grupit” ose “i atij klanit” ose “i atij filanit.” Unë jam Besiani. Biologjikisht jam i Xhemailit. Politikisht, i LDK-së. Ideologjikisht, i themeleve të 1989-ës. Këto ndarja e grupe, qofshin reale apo fiktive, s’na bëjnë nder e s’kanë vend në LDK.
LDK-ja ka nevojë për reformim, por jo për denigrim. Duke u shprehur mirënjohjet më të larta e më të thella për kontributin shumëvjeçar gjithsecilit vendimmarrës të deritanishëm të LDK-së, tani gjithsecili e ka të qartë që udhëheqja e LDK-së duhet t’i kalojë gjeneratës së re politike, jo në kuptimin e moshës, por në kuptimin e ideve, mendimeve dhe veprimeve që përkojnë me rrethanat politike të 10 viteve të ardhshme.
Tradita e këtyre 15 viteve të fundit e denigrimit të kolegëve dhe ish kolegëve të partisë, duhet dhe do të përfundojë. Por, natyrisht, vendimmarrja nga 15 marsi do të kalojë tek një ekip tërësisht i ri, plot energji e vizion, që do të ketë qëllim primar nxjerrjen e LDK-së nga kjo situatë e rëndë dhe fillimin e reformave të thella në parti. Ky ekip do të diskutojë hapur, pa grupe e xhepa, secilën temë dhe do të nxjerrë vendimet më të mira për LDK-në dhe Kosovën, jo për individë e grupe.
Do të sigurohem që LDK do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtar e ish-anëtar ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm.
LDK-ja do të shkëlqejë përsëri!
Kolegëve kandidatë ju uroj sukses. Fituesi duhet dhe do ta ketë gjithsecilin anëtarë të LDK-së në shërbimin e tij për ta riforcuar partinë. Na priftë e mbara” shkruan Besian Mustafa në njoftim./.
Engel uron FSK-në, për misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit krah ushtrisë amerikane
Ish kongresisti amerikan Eliot Engel ka përshëndetur popullin e Kosovës për misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar të FSK-së.
Përmes një postimi në Twetter ai ka uruar Kosovën për dërgimin e trupave për herën e parë jashtë vendit,.“Urime Republikës së Kosovës për bashkimin në misionin tuaj të parë paqeruajtës ndërkombëtar”, ka shkruar Engel.
Serbia thyen premtimin ndaj BE-së: Edhe 5 shtete po e tërheqin njohjen e Kosovës!
Serbia po vazhdon të punojë kundër premtimeve që i dhanë Bashkimit Evropian.
Sot mediat në Serbi kanë dalë me një tekst të gjatë duke aluduar se janë pesë shtete që janë të gatshme ta tërheqin njohjen e Kosovës.
Sipas informacionit të fundit, Serbia po pretendon se Egjipti së shpejti mund të lëshojë një deklaratë që konfirmon se nuk e ka njohur Kosovën. Pas kësaj, katër shtete të tjera të KB do të mbeteshin, përkatësisht Peruja, Republika Dominikane, Antigua dhe Omani, statusi i të cilave në lidhje me njohjen e Kosovës nuk është i qartë.
E këtë po e thotë një diplomat në pension, Zoran Milivojević.
Milivojevic thotë se në mënyrë që një shtet të njihet, duhet të ketë një procedurë me të cilën një shtet njeh një tjetër, dhe kjo procedurë duhet të jetë e qartë dhe të nënkuptojë një letër të vlefshme ligjore.
“Nëse nuk është kështu, atëherë në kuptimin formalo-juridik nuk mund të konsiderohet njohje”, shpjegon ai.
Shtetet që nuk kanë vepruar në këtë mënyrë, shtoi ai, konsiderohen shtete që nuk e kanë njohur Kosovën sipas së drejtës ndërkombëtare.
“Në kuptimin zyrtar-juridik, duhet të ketë një shënim të një shteti të caktuar që dorëzohet zyrtarisht, në atë shënim ka një deklaratë të qartë për njohjen. Një shënim i tillë i dërgohet gjithashtu shtetit të njohur, por edhe shtetet e tjera janë njohur me të. Në kuptimin politik, është e rëndësishme se si ajo njohje e mëvonshme materializohet në realitet” – shpjegon bashkëbiseduesi.
Në periudhën 2018/19, njohja zyrtare e Kosovës u tërhoq nga 17 vende, duke përfshirë Burundi, Lesoto, Sao Tome dhe Principe, Suriname, Liberi, Papua Guinea e Re, Komonuelthi i Dominikës, Grenada, Guinea-Bissau, Bashkimi i Dhomat, Ishujt Solomon, Madagaskar dhe Palau.
Deri tani, nga 193 anëtarë të Kombeve të Bashkuara, 95 shtete nuk e njohin Kosovën, 93 i njohin ato, ndërsa pesë shtetet e përmendura kanë abstenuar statusin. Omani, i cili nuk e njohu Kosovën, ende voton në favor të Kosovë
KMDLNJ paralajmëron veteranët e luftës: Mos kaloni nëpër Serbi, mund të arrestoheni
KMDLNj edhe më parë ka bërë thirrje publike që të gjithë ata, që në një mënyrë apo tjetër kanë qenë pjesë e UÇK-së, të mos kalojnë nëpër Serbi sepse mund të arrestohen.
Madje, në bazë të kërkesave të Serbisë në Interpol, një numër i shqiptarëve janë arrestuar në shtetet perëndimore dhe ka pasur rrezik të ekstradohen në Serbi.
Reagimi i plotë i KMDLNj:
Serbia, jo në pak raste ka arrestuar shqiptarë që kanë kaluar nëpër Serbi , qoftë ata të Kosovës , si kalimtarë rasti apo shqiptarë nga Kosova të punësuar në shtetet perëndimore. Një numër të tyre i ka mbajtur për muaj të tërë në paraburgim kurse disa i mbanë edhe sot , me akuza të sajuara se kanë bërë krime lufte në Kosovë ndaj serbëve dhe komunitetit tjetër joshqiptar.
Për shkak të marëdhënieve të pavendosura midis shteteve dhe për shkak se zyra ndërlidhëse nuk ka pasur qasje në këto raste , të arrestuarit nga Kosova kanë mbetur nën mëshirën e avokatëve që iu kanë marrë shuma të mëdha parash. Republika e Kosovës , për shkak të rrethanave aktuale nuk ka mundur t’iu dal në ndihmë të arrestuarve ndërsa ndërkombëtarët kanë mbajtur një qëndrim neutral ndaj shqiptarëve të arrestuar kurse zëshëm ka reaguar për serbët e arrestuar në Kosovë të akuzuar për krime lufte. Shqiptarëve të arrestuar në Serbi nuk mund t’iu garantohet gjykimi i drejtë , i paanshëm dhe i pandikuar politikisht dhe , rrjedhimisht as mbrojtje efektive juridike.
KMDLNj edhe më parë ka bërë thirrje publike që të gjithë ata , që në një mënyrë apo tjetër kanë qenë pjesë e UÇK-së , të mos kalojnë nëpër Serbi sepse mund të arrestohen gjë që edhe ka ndodhur. Madje , në bazë të kërkesave të Serbisë në Interpol , një numër i shqiptarëve janë arrestuar në shtetet perëndimore dhe ka pasur rrezik të ekstradohen në Serbi. Në mesin e të arrestuarve në shtetet perëndimore ka pasur udhëheqës të lartë ushtarak të UÇK-së dhe udhëheqës të lartë politikë në Kosovë , presidenti ,kryeministri , ministra etj.
Serbia ka qenë shumë aktive në sajesën e akuzës për të ashtuquajturën “ Shtëpinë e Verdhë “ , duke sajuar akuza për vrasje , rrëmbim , trafikimim të organeve të serbëve , romëve dhe të tjerëve që ishin dërguar në Shqipëri pas së cilës senatori Dik Marti bëri një raport e që për pasojë e kishte formimin e Dhomave të Specializuara në Hagë . Vet Dhomat e Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë pranuar se janë furnizuar në baza të rregullta me materiale inkriminuese ndaj ish – udhëheqësve të UÇK-së e që mbahen sot në paraburgim në Hagë sikur që kishte formuar grupe të veçanta në Kosovë që blinin dëshmitarë , me shuma deri në 300,000 euro , kinse iu janë hequr organet dhe që pastaj ishin trafikuar. Për shkak të presionit të madh politik , grupi i serbëve të arrestuar në Kosovë e që dyshohej se blinin dëshmi nga serbë , romë dhe të tjerë , pas disa muajve qëndrim në paraburgim , u liruan për t’u mos gjykuar asnjëherë ndonëse kishte prova të pamohueshme në përfshirjen e tyre në këtë grup kriminal , të financuar nga Serbia.
Tash , Serbia është shumë e angazhuar që të gjejë sa më shumë “ prova “ dhe dëshmitarë kundër të akuzuarve dhe arrestuarve shqiptarë që janë të paraburgosur në Hagë prandaj ka intensifikuar të gjithë mekanizmat që mund t’i përdorin apo kepërdorin në Hagë. Natyrisht , pjesa kryesore ku mund të sigurojnë dëshmi dhe dëshmitarë janë ish ushtarë të UÇK-së . KMDLNj ka informata se Serbia e ka marrë komplet listën e veteranëve të luftës së ish UCK-së në mënyrë që , nëse iu ofrohet mundësia , t’i arrestojnë dhe t’i detyrojnë të japin dëshmi të rrejshme apo t’i shndërrojnë në bashkëpunëtorë. Ka raste kur pjesëtarë të tillë kanë qëndruar në Serbi e pastaj janë paraqitur si dëshmitarë në proceset gjyqësore në Kosovë apo janë në listën e dëshmitarëve të mbrojtur në Hagë.
Për këtë arsye , KMDLNj bënë thirrje publike që të gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare apo që e kanë ndihmuar luftën , në asnjë mënyrë të mos udhëtojnë nëpër Serbi sepse lehtësisht mud të arrestohen dhe të kushtëzohen me lirim , në kundërvlerë të dhënies së informatave që i duhen Serbisë.
Nuk është aspak e domosdoshme që të kalohet nëpër Serbi aq më parë që ka rrugë të tjera alternative për të udhëtuar në shtetet perëndimore. Nëse veprohet ndryshe , ka rrezik të madh të arrsetohen , pa mundësi që shteti i Kosovës t’iu dal në ndihmë për shkak të rrethanave aktuale dhe mungesës së raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Jemi dëshmitarë që Nezir Mehmetaj po mbahet në burg në bazë të akuzave të sajuara dhe , përkundër dëshirës dhe vullnetit që t’i ndihmohet , është e pamundur të bëhet kjo.
Moti
Gjatë dites se enjte parashikohet mot me diell , temperaturat do të lëvizin nga minus 3 deri në 5 gradë celcius . Ndersa ne Tirane parashihet Mot pjeserisht me diell, temperatura do te levizin nga 2 deri në 15 gradë celcius .
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 74748 , Të shëruar: 62983 ,të vdekur:1674
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com