Qeveria ndan 6 milionë euro për gastronominë, jep lajmin e mirë edhe për mjekët dhe policët
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që të ndahen pesë milionë euro për policët dhe mjekët që janë angazhuar në luftën kundër koronavirusit.
Gjithashtu për gastronominë janë ndarë gjashtë milionë euro.
Krahas kësaj, pesë milionë euro janë ndarë për zyrtarët policorë dhe mjekët të cilët kanë qenë të angazhuar për të zbatuar masat kundër COVID-19, ndërsa 6 milionë për bizneset e gastronominë..
Osmani priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, Majlinda Bregu, e cila e ka uruar për marrjen e detyrës dhe ka konfirmuar gatishmërinë për vazhdimin e punës së përbashkët në drejtim të avansimit të bashkëpunimit rajonal.
Ndërkaq, Presidentja Osmani theksoi se e vlerëson punën e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ndihmës drejt përmbushjes së perspektivës euro-atlantike të rajonit tonë.
”Puna juaj sigurisht ka kontribuar në përmirësimin e jetës së njerëzve në rajonin tonë dhe po vazhdon ta bëjë këtë me iniciativa të ndryshme inovative, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi Presidentja Osmani.
Të dy palët u dakorduan për të vazhduar shkëmbimin dhe komunikimin, gjersa diskutuan për mundësitë dhe hapësirën për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e inovacionit, digjitalizimit dhe agjendës së gjelbër.”.
Konjufca: Të rënët për liri do të kujtohen dhe nderohen sa të ketë komb shqiptar
Në vazhdën e nderimeve për të rënët gjatë luftës në Kosovë, anekënd vendit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, qëndroi sot në fshatin Nakaradë të Fushë Kosovës, për të nderuar martirët e familjes Mirena, në 22 vjetorin e vrasjes së tyre nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe.
Pasi bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial. Konjufca theksoi se kjo masakër dëshmon përmasat e gjenocidit që ka shkaktuar Serbia mbi popullin tonë.
Ai ka thënë se përvjetorët e shumtë të masakrave, që forcat serbe kanë kryer në Kosovë, përbëjnë gjenocidin e shkaktuar nga Serbia mbi popullin tonë. Është shumë e dhimbshme, tha më tej z.Konjufca, që kurrë nuk ka pasur një proces të drejtësisë, të vërtetë, për të gjitha krimet e policisë dhe ushtrisë serbe mbi popullin e Kosovës.
“Të gjithë të rënët për liri do të nderohen dhe kujtohen sa të ketë komb shqiptar, Ndërsa, ne si institucione, duhet të jemi pranë familjeve të martirëve dhe të dëshmorëve, të cilët e kanë dhënë jetën për Kosovën e lirë e të pavarur. Po ashtu duhet të bëjmë gjithçka çfarë është e mundur që Serbia të marrë dënimin e merituar”, theksoi z.Konjufca.
Natën e 21 prillit të vitit 1999, 16 burra e djem të familjes Mirena, forcat serbe i ndanë nga familjarët e tyre për t’i ekzekutuar e masakruar. Edhe pas dy dekadash nga kjo masakër, e urdhëruar nga shteti serb dhe e kryer nga ushtria e policia serbe, drejtësia nuk është vënë në vend..
5 te vdekur ,761 të shëruar dhe 506 raste me COVID-19!
761 TË SHËRUAR DHE 506 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.084 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 506 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 1 rast (62 vjeç), Gjakovë 1 rast (72 vjeç), Prishtinë 1 rast (70 vjeç), Viti 1 rast (59 vjeç), Vushtrri 1 rast (69 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 102.742 raste nga 508.333 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.105 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 761 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 89.141 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.496.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 86 raste, Mitrovicë 56 raste, Ferizaj 51 raste, Gjilan 49 raste, Podujevë 38 raste, Pejë 31 raste, Fushë-Kosovë 28 raste, Gjakovë 26 raste, Vushtrri 25 raste, Prizren 15 raste, Rahovec 12 raste, Viti 12 raste, Leposaviq 11 raste, Drenas 10 raste, Lipjan 10 raste, Kamenicë 9 raste, Obiliq 9 raste, Klinë 6 raste, Malishevë 6 raste, Kaçanik 4 raste, Hani i Elezit 3 raste, Deçan 2 raste, Shtime 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Skenderaj dhe Istog.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Kuvendi i Kosovës e themeloi, por Gjykata Speciale nuk i raporton as atij
Ndonëse u krijua me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Speciale nuk i raporton shtetit kosovar. Kjo është konfirmuar nga ky institucion me anë të në një përgjigjeje. Megjithatë, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nëse e kërkojnë institucionet e vendit. Specialja s’i raporton as EULEX-it dhe as UNMIK-ut, kanë konfirmuar këto dy misione.
Më tre gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës më 82 vota për, pesë kundër dhe një abstenim, votoi për themelimin e Gjykatës Speciale.
Ani pse puna e këtij institucioni ka nisur që atëherë, lidhur me mbarëvajtjen e proceseve të ndryshme nuk është raportuar asnjëherë në shtetin e Kosovës. Madje, pjesë e kësaj gjykate nuk është asnjë simbol i Republikës së Kosovës.
Media ka pyetur në Kuvendin e Kosovës nëse është pranuar ndonjë raport nga Gjykata Speciale lidhur me punën e saj.
“Referojuni Amendamentit XXIV të Kushtetutës dhe Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës.
Sipas këtij amendamenti, “para hyrjes në ndonjë marrëveshje ndërkombëtare me një shtet të tretë në lidhje me bashkëpunimin juridik, që përndryshe do të kërkonte ratifikim sipas Nenit 18, Dhomat e Specializuara do të kërkojnë pajtimin paraprak të Qeverisë”.
Megjithatë, ndonëse janë krijuar nga Kuvendi i Kosovës, Dhomat e Specializuara nuk i raportojnë deputetëve kosovarë lidhur me punën e tyre. Kjo është konfirmuar nga zyra për informim e kësaj Gjykate, sipas të cilës, raportimi bëhet përmes faqes së tyre zyrtare.
“Dhomat e Specializuara janë institucione të pavarura. Në lidhje me gjykimet, KSK raporton publikisht në raportin e saj vjetor mbi aktivitetet e saj gjyqësore, si dhe administratën e saj duke përfshirë buxhetin, burimet njerëzore dhe aktivitetet e tjera. Të gjitha seancat dëgjimore publike të KSK-së (paragjyqi, gjykimi, ankesat) janë të hapura për publikun, të transmetuar në video në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe përmes faqes në internet. Të gjitha dosjet publike, përfshirë aktakuzat, vendimet dhe regjistrimet e tjera janë në dispozicion përmes bazës së të dhënave të të dhënave të gjykatës publike, e cila është gjithashtu e qasshme përmes faqes sonë të internetit”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara, e cila një pjesë të materialit ende nuk e ka të përkthyer në gjuhën shqipe.
Dhomat e Specializuara mund t’u raportojnë institucioneve të Kosovës, nëse u kërkohet
Taulant Hodaj, avokat i licencuar i Gjykatës Speciale, ka thënë se Specialja mund t’i raportojë institucioneve të Kosovës për çështje të caktuara, vetëm nëse i kërkohet.
“Në bazë të Ligjit dhe rregullores, Gjykata Speciale nuk ka për detyrë t’i raportojë institucioneve të Kosovës. Por, sipas rregullores, institucionet e Kosovës mund të kërkojnë përmes parashtresave të ndërmjetme nga gjyqtari përkatës të marrin parasysh ndonjë çështje të caktuar që lidhet me interesin e Kosovës”, ka thënë Hodaj.
A i raportojnë Dhomat e Specializuara, EULEX-it dhe UNMIK-ut?
Media ka dërguar pyetje edhe te Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), të cilët kanë thënë se nuk kanë marrë raporte nga Dhomat e Specializuara.
“Aktivitetet e Dhomave të Specializuara janë përfshirë si anekse të raporteve të UNMIK-ut të Sekretarit të Përgjithshëm për periudhën raportuese që nga viti 2016 dhe janë dorëzuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, ku EULEX është një mision civil nën Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian. EULEX siguron mbështetje logjistike dhe operacionale për Specialen, në përputhje me mandatin e tij dhe legjislacionin përkatës të Kosovës, në veçanti Ligjin Nr. 04 / L-274. Sigurimi i mbështetjes për Specialen nga EULEX është gjithashtu i mandatuar sipas Vendimit të Këshillit të BE 2014/685 / CFSP të 29 Shtatorit 2014”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Edhe nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), kanë thënë se nuk u raportojnë Dhomat e Specializuara për punën e tyre.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit Special janë themeluar në përputhje me Shkëmbimin e Letrave ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe miratimin e kornizës ligjore përkatëse nga Kuvendi i Kosovës.
Aneksi I i Raportit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK, mbi aktivitetet e EULEX, dhe Aneksi II, për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special, janë pjesë e paraqitjes së Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara për raporte në Këshillin e Sigurimit. Praktika e aneksimit të një raporti mbi aktivitetet e EULEX filloi pas rikonfigurimit të UNMIK në 2008. Një shtojcë e veçantë mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special ka qenë në fuqi që nga viti 2017”, kanë thënë nga UNMIK për Demokracia. Ndryshe, i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale ka qenë ish-shefi i intelegjencës së FSK-së, Salih Mustafa. Arrestimi i tij ka ndodhur më 24 shtator të vitit 2020.
Gjykata Speciale ka arrestuar edhe ish-krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, pas publikimit të disa dosjeve me të cilat konsiderohet se e kanë penguar procesin.
Dy muaj më vonë, në nëntor të vitit 2020, është arrestuar edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Të nesërmen, Gjykata Speciale bëri publike edhe aktakuzat ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët më pas udhëtuan për Hagë.
Ndërkaq, muajin që lamë pas, ka ndodhur edhe arrestimi i radhës. Autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën, në bazë të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara..
Kryediplomati gjerman nesër në Prishtinë, ja cili politikan do ta presë në aeroport
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, të enjten do të qëndrojë në Kosovë, në një vizitë zyrtare të paparalajmëruar më parë.
Maas pritet të arrijë në ora 14:00 në Prishtinë, ku në aeroportin e Prishtinës do të pritet nga homologia e tij e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Vizitën zyrtare, Ministri i Jashtëm e Gjermanisë e nis me takimin e orës 15:00, ku do të pritet në Presidencë e Kosovës nga Presidentja Vjosa Osmani.
Pas, këtij takimi në agjendë parashihet që Maas dhe Osmani të dalin në një konferencë të përbashkët për media.
Pastaj, në ora 16:30, kryediplomati gjerman i shkon në zyrë shefit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
Një orë më pas, në 17:30, Ministri gjerman do të zhvillojë edhe një takim zyrtar me homologen e tij të Kosovës Donika Gërvalla..
Parashikimi i Motit
Gjatë ditës së enjte parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga 7 deri në 16 gradë celcius. Në Tiranë parashiohet moti vranet me mundesi per te reshra te shiut ,temperaturat do te levizin nga 12 deri në 17 gradë celcius.
Covid – 19 në Kosovë: Total raste: 102742 , Të shëruar: 89141 , Të vdekur: 2105
www.rtvarberia.com