Zyra e Presidencës i reagon Petar Petkoviq pas deklaratave lidhur me kishat serbe në Kosovë
Shefi i Zyrës së Presidencës, Blerim Vela ka reaguar ndaj një deklarate të drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq se një numër i madh i kishave serbe në Kosovë kanë qenë të ekspozuara nga “sulmet dhe përdhosjet”.
Vela përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se zyrtarët e Serbisë po vazhdojnë fushatën e tyre dezinformuese.
Sipas tij, këto pretendime të pabaza vetëm i rrisin tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Zyrtarët e Serbisë vazhdojnë fushatën e tyre disinfo me pretendime të pabaza, të cilat vetëm rrisin tensionet ndërmjet vendeve tona. #Kosova ka një histori të dëshmuar prej shekujsh të harmonisë ndërfetare dhe është e përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore / fetare”, ka shkruar Vela në Twitter..”
Në Ditën e Kushtetutës, Presidentja Osmani bashkëbisedoi me profesorë të Katedrës Kushtetuese
Me ftesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu është mbajtur një bashkëbisedim me profesorë të Katedrës Kushtetuese të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Ky bashkëbisedim është bërë për ta shënuar Ditën e Kushtetutës.
Presidentja Osmani me këtë rast ka falënderuar profesorët për punën të cilën ata e bëjnë çdo ditë në edukimin e brezave të rinj të juristëve.
“Qytetarët kanë nevojë t`u dëgjojnë ju të flisni për aspekte të Kushtetutës. Mendimi juaj profesional është i rëndësishëm. Ndaj e kam shfrytëzuar javën e parë të punës sime për të bashkëbiseduar me ju në funksion të afirmimit të rëndësisë së Kushtetutës dhe zbatimit të saj”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Zonja Osmani ju ka ofruar bashkëpunim profesorëve dhe në të njëjtën kohë ka potencuar se dera e Presidencës është e hapur për t`i konsultuar ata për procese të rëndësishme për vendin.
Pjesëmarrësit në bashkëbisedim e falënderuan Presidenten për ftesën, ngase sipas tyre është hera e parë që ftohen për një bashkëbisedim të tillë nga niveli më i lartë shtetëror.
Sipas tyre, procesi i zgjedhjes së Presidentes, paraqet model të zgjedhjes kushtetuese të presidentit të vendit.
Në këtë kontekst, ata theksuan se është me rëndësi që Presidenca të garantojë stabilitet kushtetues për të gjitha institucionet.
Në të njëjtën kohë, profesorët kanë shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Presidenten për tema, të cilat kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë kushtetuese…
Ministri Mehaj e uron nëntoger Bunjakun: Shembull unik për vajzat
Në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar, në një konkurrencë shumë të fortë, pas studimeve intensive shumë sfiduese, oficerja e FSK-së, nëntoger Ilirianë Bunjaku, fitoi çmimin “ Shpata Ndërkombëtare” si kadetja më e mirë ndërkombëtare.
Në ceremoninë e organizuar, me rastin e diplomimit të kadetëve të Akademisë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst, sot, përveç saj, me sukses diplomoi edhe nëntoger Ardit Deliu. Me këtë rast, shpatën ndërkombëtare, nëntoger Bunjakut ia dhuroi shefi i Shtabit të Mbrojtjes, gjeneral Nicholas Carter.
Rezultatet e treguara gjatë studimeve të kurorëzuara me titullin e kadetes më të mirë në këtë akademi, ndër më të famshmet në Botë, atë e bëjnë ambasadore të shkëlqyer të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kjo e arritur e jashtëzakonshme e nëntoger Bunjakut është reflektim i profesionalizmit, aftësive dhe potencialit të madh të FSK-së në perspektivën zhvillimore të saj. Gjithashtu kjo është vlerë e çmuar e partneritetit tonë me Mbretërinë e Bashkuar si dhe mirënjohje e madhe për investimin e vazhdueshëm të tyre në kuadrot tona të talentuar. Me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, përmes video-thirrjes ka uruar nëntoger Bunjakun për çmimin duke e vlerësuar shembull unik për vajzat dhe motivimin e tyre për uniformën ushtarake të FSK-së. Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, bashkë me urimin për suksesin e dy oficerëve tanë shprehu edhe krenarinë për çmimin e marrë nga nëntoger Bunjakut si dhe mirënjohjen e lartë për vlerësimin e lidershipit të akademisë së famshme Sandhurst.
Ky çmim është hera e dytë që ndahet për kadetë- oficerët nga Kosova, ku më parë fitues ishte kapiten Ismail Hoxha, i cili aktualisht shërben si instruktor në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst, kurse deri më tani në këtë akademi janë trajnuar 23 pjesëtarë të FSK-së…
7 të vdekur vdekur nga Covid-19, 684 raste të reja dhe 702 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
702 TË SHËRUAR DHE 684 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.487 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 684 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 2 raste (81, 44 vjeç), Prishtinë 2 raste (84, 73 vjeç), Gjilan 1 rast (81 vjeç), Klinë 1 rast (70 vjeç), Viti 1 rast (80 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 96.896 raste nga 466.653 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.967 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 702 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 80.834 raste, kurse numri i rasteve aktive është 14.095.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 217 raste, Pejë 52 raste, Gjakovë 46 raste, Mitrovicë 44 raste, Gjilan 43 raste, Podujevë 38 raste, Fushë-Kosovë 35 raste, Prizren 28 raste, Vushtrri 26 raste, Ferizaj 22 raste, Obiliq 18 raste, Viti 17 raste, Deçan 16 raste, Rahovec 12 raste, Drenas 11 raste, Istog 9 raste, Kamenicë 9 raste, Malishevë 7 raste, Lipjan 6 raste, Kaçanik 5 raste, Suharekë 5 raste, Hani i Elezit 4 raste, Klinë 4 raste, Dragash 2 raste, Kllokot 2 raste, Novobërdë 2 raste dhe me nga një rast komunat: Graçanicë, Junik, Shtime dhe Istog.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Presidenca: Vjosa Osmani e ka përmendur UÇK-në, s’ka asnjë telashe
Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina thotë se shefja e shtetit vazhdimisht e ka përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fjalimet e saj. Sot gjatë ditës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Vjosa Osmani qëllimisht nuk e ka përmendur UÇK-në në postimin e saj për Betejën e Koshares.
Sipas Molliqajt, Vjosa Osmani nuk lë rast për ta shmangur UÇK-në.
Por, Bekim Kupina, këshilltar për media i Komandantes Supreme të FSK-së, në një prononcim për Gazetën Express mohoi që presidentja Vjosa Osmani s’e përmend UÇK-në.
“UÇK-në, presidentja e ka përmendur vazhdimisht në të gjitha fjalimet e saj që i ka pasur, s’ka asnjë telashe në atë plan. Mundeni me i pa edhe vet”, tha Kupina.
Sot kur po shënohet 22 vjetori i Betejes së Koshares, treshja e institucioneve më të larta të vendit, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca bënë homazhe tek kompleksi memorial në Koshare.
Postimin për Betejen e Koshares nga ana e presidentes Vjosa Osmani e ka kritikuar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai ka thënë se Osmani qëllimisht se ka përmendur UÇK-në për ta lënë në harresë.
“Vjosa Osmani nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të presidentit. Kjo jo vetëm për rolin e saj përçarës politik në të tashmen. Ajo po i rikthen problemet e të shkuarës. Mezi ishte arritur një pajtim tejpartiak që kur flasim për luftën flasim në radhë të parë për UÇK-në. Ajo nuk lë rast pa e shmangur, pa e munguar UÇK-në. Kur UÇK-ja është në akuzë, ajo ka zgjedhur shmangjen, harresën e qëllimshme. Roli i saj revizionist karshi ngjarjes UÇK i shkon fort për shtati liliputëve si Kurti që i flasin tërë jetën historisë, vetëm për t’u bërë vëzhgues i saj në momentin kyq, kur ndalet koha dhe hapet fusha”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Moti
Gjatë dites se shtune parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të lëvizin nga -1 deri në 15 gradë celcius. Ndersa ne Tirane poashtu parashihet mot pjeserisht me diell , temperaturat do te levizin nga 3 deri në 16 gradë celcius .
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 96896 ,Të shëruar: 80834 ,të vdekur: 1967