Biden i shkruan Vuçiqit, ja çka i kërkon për Kosovën
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të avancuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike, por gjithashtu edhe mbështetjen e palëkundur për qëllimin e integrimit evropian të Serbisë“, ka thënë presidenti i SHBA-së, Joe Biden në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Biden i dërgoi një letër urimi Vuçiqit me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë – 15 shkurt.
“Duke pasur parasysh 140 vitet e partneritetit midis dy vendeve tona, SHBA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, stabilitetit rajonal dhe vlerat demokratike. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen e qëllimit të Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim, përfshirë reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila është fokusuar në njohjen reciproke“, tha Biden.
Ai shtoi se fuqia e marrëdhënieve midis dy vendeve bazohet në historinë e thellë të lidhjeve midis popujve që luftuan si aleatë në të dy luftërat botërore.
“Ne e vlerësojmë shumë kontributin e madh që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftën kundër pandemisë së COVID-19, pasi përballemi së bashku me këtë sfidë të paparë globale. Unë pres të punoj për të thelluar lidhjet miqësore midis vendeve tona dhe forcimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe SHBA-së“, thuhet në urimin e Bidenit.
Vuçiq: Më përpara e qes kokën mbi cung, sesa që e njoh Kosovën
“Serbia është gjithmonë e gatshme ta vazhdojë dialogun me Prishtinën nën kujdesin e Bashkimit Evropian, por gjithashtu duke respektuar pozicionin e Shteteve të Bashkuara, si dhe pozicionet e Rusisë dhe Kinës”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot.
Ai kështu u përgjigj në pyetjen e gazetarëve se çfarë u thotë atyre që thanë se Serbia do ta njohë Kosovën, ndërsa shtoi se ai më përpara do ta vendosje “kokën mbi cung” sesa të nënshkruante ndonjë dokument për njohje.
Vuçiq tha se ai e kishte refuzuar një herë njohjen e Kosovës në Washington, ku ai tha se kishte dy versione të marrëveshjes.
“Unë nuk mund ta përshkruaj atë ndjenjë për ju, shërbimet tona zbuluan se pyetja do të bëhej, kështu që unë shkova në shtëpinë më të fuqishme në botë me një frikë të madhe, nuk kisha frikë, sepse e dija se cili do të ishte vendimi im”, tha Vuçiq.
Ai deklaroi se menjëherë e kishte tërhequr delegacionin e tij dhe se ai i kishte thënë delegacionit amerikan se Serbia nuk do të nënshkruante një marrëveshje të tillë.
Vuçiq thotë se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog nën kujdesin e BE-së, por se do ta respektojë gjithashtu pozicionin e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.
“Unë nuk do ta gënjej popullin, për të thënë se situata është e lehtë dhe unë po e luaj një hero, situata është e vështirë dhe do të jetë gjithnjë e më e vështirë. Siç ju thashë tri ditë më parë, e shoh, e pres, po shoh se ngushtohet ngadalë, sepse konfliktet e tyre të ndërsjella në botë po bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe ne po paguajmë çmimin për këtë”, përfundoi Vuçiq.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një letër urimi protokollare, i ka kërkuar Vuçiqit të angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, ku do të përfshihet edhe njohja reciproke me Kosovën.!.
3 të vdekur nga Covid, 249 raste të reja dhe 274 të shëruar
Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
274 TË SHËRUAR DHE 249 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.291 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 249 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 1 rast (84 vjeç), Prishtinë 1 rast (76 vjeç), Prizren 1 rast (78 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 62.258 raste nga 249.775 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.523 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 274 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 54.042 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.693.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 95 raste, Fushë-Kosovë 21 raste, Gjakovë 15 raste, Prizren 15 raste, Ferizaj 11 raste, Lipjan 10 raste, Mitrovicë 10 raste, Gjilan 9 raste, Podujevë 8 raste, Pejë 7 raste, Vushtrri 7 raste, Rahovec 6 raste, Drenas 5 raste, Obiliq 5 raste, Kamenicë 4 raste, Klinë 4 raste, Deçan 3 raste, Suharekë 3 raste, Istog 2 raste, Malishevë 2 raste, Shtime 2 raste, Viti 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Kaçanik dhe Novobërdë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Vjosa Osmani për letrën e Biden: E vetmja rrugë është njohja reciproke
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani është politikania e radhës që ka reaguar pas letrës së presidentit të SHBA-së, Joseph Biden drejtuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që ta njohë Kosovën
Ajo ka thënë se qëndrimi i Biden në lidhje me dialogun është i qartë dhe e vetmja rrugë është njohja reciproke.
“Mirëpres qëndrimin e presidentit Joe Biden në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Është e qartë se rruga e vetme në dialog është marrëveshja për njohje.”, shkruan Osmani.
Vjosa Osmani ka thënë se kjo është qasja e duhur që ka munguar që nga fillimi i dialogut.
“Një qasje që ka munguar që nga fillimi i dialogut, një qasje që duhet për përfundim të suksesshëm”, tha Osmani.
Pas letrës së Biden gjatë ditës së sotme ka ngjallur reagime të ndryshme, përderisa personalitetet shqiptare e kanë mirëpritur, e njëjta gjë nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit e Serbisë.
Haradinaj falënderon Biden për letrën dërguar Vuçiqit dhe qëndrimin e tij ndaj dialogut
Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur falënderim ndaj presidentit amerikan, Biden.
I cili përmes një letreje drejtuar presidentit Vuçiq, ka shkruar për domosdoshmërinë e përmbylljes së dialogut përmes njohjes reciproke.
Kreu i AAK-së, Haradinaj, përmes një video, ka thënë se u premton te gjithëve në Kosovë.
Se pas 14 shkurtit, kur t’i merr përgjegjësitë si president i Kosovës, kufinjtë e Kosovës do t’i dijnë të gjithë.
Nëse e votoni Albin Kurtin, ku përfundon ajo votë?
Duke qenë se Albin Kurti është kandidati numër 1 në listën e LVV-së për këto zgjedhje dhe duke qenë se Kurti nuk mund të kandidojë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që la jashtë të parin e VV-së për shkak të veprës penale, në publik u krijua një paqartësi, nëse vota për Kurtin do jetë valide apo jo.
Por, Alim Rama, ka treguar se vota për Kurtin nuk shkon huq, por, është mbështetje për VV-në.
“1. Secila votë që shkon për 127 – LVV është e vlefshme. Në rast se votuesi mandej rrethon numrin 1 – Albin Kurti, ajo votë vazhdon të jetë e vlefshme për subjektin dhe tregon mbështetjen ndaj kreut të LVV dhe kryeministrit të ardhshëm. Po ashtu, vota për kandidatët e tjerë vazhdon të jetë e vlefshme.
2. Vota për Albin Kurtin nuk i transferohet asnjë kandidati tjetër të caktuar, por mbetet vota për LVV. Kjo është më se e sigurt” tha ai..
Hoti pas letrës së Biden: Miqësi e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova – lajme të mira për Kosovën nga Shtëpia e Bardhë
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nga Uashingtoni po vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për shtetin e Kosovës.
Ky reagim i Hotit vije pas letrës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Serbia.
Hoti ka kujtuar një deklaratë të presidentit Rugova, se “shtëpia nuk mbahet pa miq”.
“Letra e Presidentit Biden, dërguar Presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është edhe një dëshmi për lidhjen e veçante midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq”, shkruan kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Ja postimi i kryeministrit Hoti:
SHBA-të mbesin aleati më fuqiplotë i Kosovës
Nga Shtëpia e Bardhë vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për Kosovën.
Letra e Presidentit Biden, dërguar Presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është edhe një dëshmi për lidhjen e veçante midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq.
Marrëveshja e 4 shtatorit 2021, ishte vetëm fillimi i një etape të re të partneritetit strategjik që SHBA-të kanë me Republikën e Kosovës, ne do ta thellojmë edhe më tej këtë partneritet.
Kosova vazhdon të mbetet prioritet në agjendën e SHBA-ve.
Faleminderit Presidenti Biden!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë Kosovën!.
Pacolli publikon letrën: Comors vazhdon ta njohë Kosovën, propaganda serbe tentoi ta zhbëjë atë por nuk ia arriti
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli thotë se ka pranuar një letë nga ministri i jashtëm i Comors, i cili e ka siguruar se njohja e tyre vazhdon e paprekur dhe e shëndoshë.
“Propaganda parapolitike serbe ka tentuar shumë që të ndikojë në këtë shtet që ta tërheqë njohjen dhe ta zhbëjë punë tonë. Madje ka pasur edhe lajme në mediat serbe se Comors ka tërhequr njohjen”, shkruan ai.
Postimi i tij i plotë:
Kam pranuar një letër nga ministri i punëve të jashtme të Comors, i cili më siguron se njohja e lidhur njëherë mes nesh, vazhdon e paprekur dhe e shëndoshë si atëherë kur e arritëm.
Pas lobimit intensiv dhe udhëtimeve të shumta, kishim arritur që të sigurojmë njohjen e Comors.
Propaganda parapolitike serbe ka tentuar shumë që të ndikojë në këtë shtet që ta tërheqë njohjen dhe ta zhbëjë punë tonë.
Madje ka pasur edhe lajme në mediat serbe se Comors ka tërhequr njohjen.
Por, miqësitë e vendosura nga ne, janë të pazhbëshme, sepse janë produkt i punës, angazhimit e dashurisë për vendin.
Prandaj ministri i Comors më shkruan se lajmet janë të pavërteta dhe njohja e ndërsjellë vazhdon e paprekur.
Përkundër se aktualisht nuk jam në pozitë zyrtare si Ministër i Punëve të Jashtme dhe as nuk mbaj post tjetër qeveritar, letra më është dërguar mua.
Miqësia e krijuar nga takimet e shumta e bisedat e gjata argumentuese për ta njohur Kosovën u kanë mbetur në mendje liderëve nëpër botë, ndaj edhe kur unë personalisht nuk jam në pushtet, ata më drejtohen mua me letrat zyrtare.
Më vjen mirë që kam krijuar e mirëmbajtur këto kontakte dhe jam adresë për miqtë tanë.
Por, në këtë mes ka një dhimbje.
Politika jonë e jashtme, meqë nuk ka arritur të krijojë njohje të reja, të paktën do të duhej të krijonte një sistem të mirëmbajtjes së raporteve dhe letra si kjo t’i shkojnë shtetit, pastaj mua.Është jetike që të rifunksionalizohet politika e jashtme e Kosovës dhe të krijohet një sistem që i qëndron ndërrimit të pushtëve e që nuk afektohet nga përçarjet banale të politikës së brendshme.
Për ata që nuk e njohin shtetin e Comors. Ai është një shtet i bukur, i përbërë nga një grup ishujsh, në bregun lindor të Afrikës..
Moti
Të henen parashikohet mot i vranet, me te reshura te shiut temperaturat do të lëvizin nga 6 deri në 12 gradë celcius. Mot me me shi edhe në Tiranë,me temperatura nga 12 deri në 16 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 62258 , Të shëruar:54042 ,të vdekur:1523
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com