Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS , E DIEL 20.12.2020

PDK: Qeveria Hoti s’di të merret me çështjen e sigurisë, po i kapë institucionet e shtetit

Teksa e ka quajtur “Qeveri të lodhtë e kryeministër kukull”, Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar koalicionin qeverisës se po i kapë institucionet e sigurisë.
Në një konferencë për media, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka thënë se Qeveria është treguar e paaftë në menaxhimin e gjendjes së sigurisë dhe e ka vlerësuar atë shqetësuese.
Ajo ka përmendur grabitjet e vjedhjet e ditëve të fundit, duke shtuar se “Kosova po hyn në një cikël të rrezikshëm që çon drejt mbylljes së bizneseve e rrezikim të humbjes së investimeve”.
Musliu ka shtuar se Qeveria Hoti po bën përndjekjen e udhëheqësve të institucioneve kryesore të sigurisë, që i ka lënë pa udhëheqës, duke iu referuar largimit të shefit të AKI-së.
“Shkarkimi i zyrtarëve profesionistë nga udhëheqja e institucioneve të pavarura dhe kredibile dhe mungesa e një plani se si të veprohet në situata të caktuara, ka krijuar vakum institucional dhe mungesë autoriteti të Qeverisë” ka thënë ajo Musliu, duke shtuar se i vetmi plan qe LDK-ja ka është vendosja e njerëzve partiakë e joprofesionalë në institucione…

Donald Trump i shkruan Vjosa Osmanit

U.D. e presidentit Vjosa Osmani, ka pranuar një kartolinë me rastin e festave të fundvitit nga presidenti Donald Trump.
Në postimin e saj, Osmani ka uruar gjithashtu popullin amerikan.
Postimi i saj i plotë:
Faleminderit për urimet e festave, z.President
Unë i uroj të gjithë popullit Amerikan një Krishtlindje të Shëndetshme, të begatë dhe të gëzueshme, gjithashtu edhe Vitin e Ri. Uroj që 2021 të jetë një pikë kthese pozitive në sfidat e përbashkëta me të cilat përballen shoqëritë tona.
Tetë të vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, 342 te sheruar 223 raste te reja
Tetë persona kanë humbur betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë. Nga fillimi i pandemisë, në Kosovë, si pasojë e koronavirusit, kanë vdekur 1256 persona.
Rastet e vdekjes janë nga Prishtina (66, 63 vjeç), Drenasi (69 vjeç), Istogu (74 vjeç), Kamenica (78 vjeç), Mitrovica (66 vjeç), Obiliqi (70 vjeç) dhe Suhareka (65 vjeç).
Të shtunën janë regjistruar edhe 223 raste të reja nga testimi i 1001 mostrave. Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 72 raste, Podujevë 26 raste, Mitrovicë 23 raste, Fushë Kosovë 20 raste, Gjilan 13 raste, Obiliq 12 raste, Vushtrri 9 raste, Lipjan 7 raste, Drenas 6 raste, Prizren 6 raste, Kamenicë 5 raste, Pejë 5 raste, Gjakovë 3 raste, Malishevë 3 raste, Rahovec 3 raste, Skenderaj 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rast Dragash, Ferizaj, Istog, Klinë, Viti dhe Zubin-Potok.
Me shtimin e 342 pacientëve të shëruar sot, totali i të shëruarve ka arritur në 36 mijë e 568, nga 48 mijë e 905 sa kanë rezultuar pozitivë në total. Numri i rasteve aktive është 11.081.

Mërgimtarëve s’u kërkohet testi PCR në hyrje të Kosovës

Mërgimtarët që kanë mësyrë Kosovën dhe kanë vendbanim, nuk do t’i nënshtrohen testit PCR për koronavirus me rastin e hyrjes në vend, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë të dielën duke shtuar se testi negativ PCR u kërkohet vetëm njerëzve që s’kanë vendbanim në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë.
Qytetarët e Kosovës që vijnë në Kosovë, nuk do t’i nënshtrohen as karantinimit apo izolimit 14-ditor. Karantinimi vlen vetëm për ata që s’kanë vendbanim në Kosovë dhe që vijnë nga shtetet me rrezik të lartë. Ata duhet të vetizolohen për shtatë ditë.
“Qytetarët të cilët nuk kanë vendbanim në Kosovë me rastin e hyrjes në Kosovë, e kanë testin e bërë në vendin prej nga vijnë, ndërsa ata që nuk e kanë këtë vetizolohen për shtatë ditë si masë kujdesi dhe në rast se manifestojnë shenja të pranisë së virusit, e kanë mundësinë që, sipas indikacioneve mjekësore të testohen në institucione publike, sikurse çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në një njoftim për media.

Këtë fundjavë Kosova ka nisur të mbushet me bashkatdhetarët që duan të kalojnë festat e fundvitit në Kosovë. Vetëm të shtunë, vetëm përmes Aeroportit të Prishtinës, kanë ardhur rreth 10 mijë bashkatdhetarë. Shumë të tjerë kanë shfrytëzuar rrugët tokësore. Ata po presin dhjetëra orë nëpër kufij në rrugën drejt Kosovës.
Për shkak të grumbullimeve të mundshme në Kosovë, për arsye të festave, kryeministri i vendit të shtunën deklaroi se pret që në vend të ketë rritje të rasteve me COVID-19 në javët në vijim.
Deri tash në Kosovë janë regjistruar 48 mijë e 682 raste pozitive. 11 mijë e 208 është numri i rasteve aktive…

Shqipëria u kërkon partive në Kosovë të arrijnë marrëveshje për presidentin

Partitë politike në Kosovë duhet të bashkëpunojnë dhe të arrijnë marrëveshje për të zgjidhur çështjen e presidentit, ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Mendoj që ky problem i takon partive politike, të cilat duhet të bëjnë një pakt për të dalë nga kjo situatë e vështirë politike që është, jo vetëm thjesht për zgjedhjen e presidentit, por edhe për problemet më të rëndësishme që ka Kosova sot. Problemi është që u takon partive të hiqen nga qasja që secila ka për kandidatët. Është e rëndësishme të shihet problemi më në thellësi. Të gjendet një kandidaturë konsensuale që të gjithë do të votonin për të”, ka thënë ai për “EkonomiaOnline”.
Kosova aktualisht është me ushtruese detyre të presidentes, pasi Hashim Thaçi u dorëhoq në fillim të nëntorit për të shkuar në Hagë për përballje me Gjykatën Speciale. Partitë në vend ende s’kanë arritur marrëveshje për një emër të ri. Pasi që ushtruesi i detyrës s’mund të ushtrojë këtë detyrë për më gjatë se gjashtë muaj, partitë kanë afat deri në prill për të zgjedhur presidentin e ri ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Pajtim për çështjen e presidentit s’ka as brenda koalicionit qeverisës. Teksa AAK-ja është barrikaduar që president të jetë kryetari i saj, Ramush Haradinaj, nga LDK-ja, si partia kryesore e koalicionit, po kërkohen takime me partitë për t’u gjetur zgjidhja.
Minxhozi ka refuzuar të komentojë nëse në Kosovë duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, por ka shtuar se “duhet të ketë zgjidhje”. Bashkëpunim ai ka kërkuar edhe ndërmjet vendeve fqinje, bashkëpunim ky që sipas tij, duhet të jetë pa paragjykime…

Kosova nuk e dëgjon OBSH-në që rekomandoi që remdesiviri të mos përdoret për rastet me COVID-19

KosovaPress) – Pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë në fund të muajit nëntor rekomandi që remdesiviri të mos përdoret te pacientët me koronavirus, në Kosovë s’po respektohet ky rekomandim. Profesionistët shëndetësorë po vazhdojnë t’ua përshkruajnë këtë ilaç pacientëve.
Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se nuk e kanë ndaluar përdorimin e remdesivirit për trajtimin e pacientëve me COVID-19, pasi këtë e kanë lënë në dorë të klinicistëve.
“Ministria e Shëndetësisë ka krijuar një grup pune i cili në vijim të pandemisë ka miratuar udhërrëfyesin për menaxhimin klinik të rasteve COVID-19, natyrisht në kuadër të këtij protokolli është edhe remdesiviri, por ne po themi prapë që fjalën përfundimtare apo verdiktin final nëse një medikament i caktuar përdoret ose jo kundër sëmundjes, siç është COVID, e thonë punëtorët shëndetësorë. Janë klinicistët ata që merren drejtpërdrejt me trajtimin e COVID-it dhe që sugjerojnë nëse një ilaç duhet të përdoret ose jo”, ka thënë Hoti.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj Berisha ka deklaruar se në këtë klinikë po vazhdon ende të përshkruhet ky bari antiviral dhe se mjekët janë ata që vendosin se në cilat raste mund të përdoret apo jo. Ajo ka shtuar se janë në konsultim edhe me shtetet e tjera të cilat po e përdorin këtë ilaç për trajtimin e pacientëve me koronavirus.
“Remdisiviri e dimë që është një bar antiviral dhe po ashtu me një kosto të lartë. Rekomandimet janë, mirëpo ne ende në Klinikë kemi vazhduar me dhënien e remdesivirit. Dhe meqenëse kemi të bëjmë me një sëmundje që nuk ka shumë njohuri dhe hulumtime të kësaj sëmundje, jemi konsultuar me shumë shtete të ndryshme, me protokolle të atyre shteteve dhe në disa shtete ende aplikohet. Kështu që klinicistët janë ata të cilët vendosin se në cilat raste dhe në cilat indikacione klinike do të jepet”, ka thënë ajo.
E nga Shoqatat e Pacientëve në Kosovës, Besim Kodra ka kërkuar që të respektohet rekomandimi i OBSH për mos përdorim të barit antiviral remdisivir për koronavirus. Ai tha se rekomandimet e OBSH-së klinicistët e Kosovës nuk duhet t’i vënë në pikëpyetje.
“Çdo rekomandim që vjen prej organizatës Botërore të Shëndetësisë duhet ta respektojmë. Ne nuk jemi në pozicion që t’i vëmë në pikëpyetje. Klinicistët janë ata që e vlerësojnë reagimin e një bari, mirëpo meqenëse kemi një organizatë kompetente e cila ka thënë që nuk duhet të përdoret edhe klinicistët tanë nuk janë aq me kompetencë sa OBSH-ja, prandaj po them ajo që ka thënë OBSH nuk duhet t’i vihet pikëpyetje”, deklaroi Kodra.
Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fitim Uka ka kërkuar që ky medikament mjekësor të largohet nga përdorimi për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
“Përderisa është promovuar dhe është përdorur në vendet e ndryshme të botës për një kohë nuk mund ta gjykoj askënd që e ka rekomanduar prej profesionistëve shëndetësorë edhe në mesin e pacientëve në Kosovë sepse ka qenë praktikë ndërkombëtare, ka qenë pjesë e protokolleve në pjesë të ndryshme dhe nuk shoh diçka të keqe në këtë mes. Por, në momentin kur OBSH-ja rekomandon që diçka të mos përdoret jam i prirë që t’i besoj rekomandimit dhe mendoj që edhe ne ta largojmë nga përdorimi”, ka vlerësuar ai.
Ilaçi antiviral remdesivir ka qenë në protokollin e barnave për trajtimin e pacientëve me koronavirus, e po këtë medikament qytetarët e Kosovës duhet ta sigurojnë vetë pasi ka pasur mungesë të tij në institucionet publike shëndetësore. Kostoja për blerjen e remdesivirit është mjaftë e lartë.
Deri më tani, numri total i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 48 mijë e 682. Janë 11 mijë e 208 raste aktive…

Moti
Të henen parashikohet mot me vranesira, temperaturat do të levizin nga -2 deri 6 gradë Celsius. Mot i ngjashem ne Tiranë, me temperatura nga 8-18 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste:48905. Të Shëruar: 36568. Të vdekur: 1256.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *