Nesër hidhet në shqyrtim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike
Kuvendi i Kosovës ka konfirmuar se nesër në ora 11:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme, iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për çështjen e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
E vetmja pikë e rendit të ditës do jetë, ”Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Seanca e së premtes, është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës amandamentet e së cilës për miratimin e këtij Projektligji, janë pranuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në këtë listë, përfshihen 200 milionë euro për bizneset, kompensim i parave të trustit për të gjithë personat që kanë deri në 10 mijë euro kursime dhe 300 euro për të gjithë ata që e kanë humbur punën gjatë pandemisë.
Mediet nuk do të lejohen të jenë prezente në seancë përveç se do të transmetohet në ueb-faqen e Kuvendit, Kanalit zyrtar të Kuvendit të Kosovës në Youtube dhe RTK si medium publik.
Ndryshe, Kosova tash e nëntë muaj ballafaqim me pandeminë nuk ka arritur ta votojë Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike ndonëse i njëjti u soll shtatë herë në Kuvend për votim.
Afrim Maliqi: Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë gjithmonë kanë jetuar në karantinë
Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, ka thënë se personat me aftësi të kufizuara në Kosovë gjithmonë kanë jetuar në karantinë dhe jo vetëm në kohë pandemie. Sipas tij, në Kosovë kësaj kategorie i bëhen shumë diskriminime.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Maliqi në Express Intervistën në KTV ka thënë se për personat me aftësi të kufizuara ka shumë pak progres. Sipas tij, progresi duhet të përllogaritet në dekada dhe jo me vite.
Duke folur për pandeminë e koronavirusit, Maliqi ka thënë se masat e izolimit s’është që kanë ndikuar shumë te kjo kategori. Sipas tij, në Kosovë diskriminimi është aq i madh ndaj tyre sa që “janë mësuar me karantinë”.
“Personat me aftësi të kufizuara gjithmonë janë në karantinë. Ne jemi mësuar të jetojmë në karantinë. Shoqëria, rrethi, ia imponojnë në atë mënyrë sa që ai e pranon atë izolim. Institucioni është përgjegjës që t’ia hapë dyert, ta mbështesë e të sigurojë sistem referal që të ketë qasje multisektoriale, që fëmija, nëse lind apo pëson aksident, ai menjëherë të referohet tek institucionet mbështetëse për rehabilitim apo çka do dhe të integrohet. Ndërsa te ne, në mungesë të këtyre, mbyllen dhe e pranojnë atë izolim. Është diskriminim paragjykues që u bëhet. Ekziston edhe diskriminimi i ambientit të papërshtatshëm dhe ai institucional që s’i marrin në konsideratë të drejtat e tyre kur krijohen ligjet e kur i zbatojnë ato. Janë tri diskriminime që ndodhin”, ka thënë ndër tjerash ai.
Ai është shprehur kritik ndaj punës së institucioneve të Kosovës. Sipas tij, edhe deputetët, që sot po debatojnë për këtë çështje, shprehen “ekspertë të fushës”, por “realiteti është ndryshe”.
“Ka pas edhe para disa vitesh një diskutim për personat me aftësi të kufizuar, dhe edhe atëherë edhe sot të gjithë deputetët e kanë pranuar situatën e vështirë dhe sfidat me të cilat përballet kjo kategori e shoqërisë. Të shkonte mendja se këta janë ekspertë të fushës e se po e dinë situatën, por gjërat s’po ndodhin në realitet. Thënë më mirë s’ka progres. Nëse e masim me dekada ka përmirësime, por me vjet jo. Lëvizjet janë aq të ngadalshme, progres aq i ngadalshëm saqë tejet pak vërehet”, është shprehur Maliqi..
Njëzet e dy të vdekur, 543 të sheruar e 627 raste të reja me koronavirus në Kosovë
Numri i të vdekurve brenda një 24-orëshi në Kosovë, si pasojë e COVID-19, për herë të parë ka kaluar mbi 20.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur të enjten se në 24 orët e fundit janë shënuar 22 të vdekur si pasojë e COVID-19, ndërkohë janë shënuar edhe 627 raste të reja.
Numri i rasteve pozitive ka dalë nga 1.510 testime.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 543 pacientë nga COVID-19. Raste aktive janë 13.784.
Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive është rritur në 41.299, kurse i vdekjeve si pasojë e COVID-19 në 1.062.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 9 (87, 80, 79, 79, 79, 75, 74, 74, 60 vjeç), Mitrovicë 2 (79, 77 vjeç), Prizren 2 (82, 77 vjeç), Gjakovë 2 (76, 60 vjeç), Istog 2 (84, 65 vjeç), Pejë 1 (72 vjeç), Klinë 1 (62 vjeç), Suharekë 1 (78 vjeç).
Vendimi i Kushtetueses për votën e Arifit pas 7 dhjetorit, parashikohen dy skenarë
Njohësit e punës së Gjykatës Kushtetuese janë të ndarë në dysh sa i përket mundësisë së ndryshimit të udhëheqjes së ekzekutivit pas vendimit për votën e deputetit Etem Arifi.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, një ditë më parë, të mërkurën, në pah janë vënë dy skenarë: vlerësimi se vota e deputetit Etem Arifi është e vlefshme dhe se zgjedhja e Qeverisë në qershor të këtij viti është kushtetuese, si edhe vendimi se vota vendimtare e Qeverisë Hoti është jolegjitime.
Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos se vota e 61-të e Qeverisë Hoti është e pavlefshme, sipas ish-gjyqtarit Kadri Kryeziu, Albin Kurti do të duhej të kthehej kryeministër në detyrë deri në zgjedhje të reja.
“Nuk ka nevojë me u përsërit votimi, por ka nevojë me u kthye ne pikën zero dhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit do ta ushtrojë këtë detyrë deri në zgjedhjet e lira parlamentare. Nga aspekti i pragmatizmit konsiderohet se rasti duhet të kthehet në pikën zero e pika zero është momenti kur ushtrues i detyrës së kryeministrit ishte Albin Kurti”, thotë Kryeziu.
Por kështu nuk vlerësojnë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Yll Zekaj, hulumtues në këtë institut, thotë se një gjë e tillë nuk është e mundur dhe se qeveria në detyrë do të jetë ajo e Hotit.
“Nëse ndodh skenari i dytë, atëherë Qeveria që është sot duke udhëhequr me Kosovën kthehet në Qeveri në detyrë dhe mandati i kalohet partisë së parë në këtë rast LVV-së, e cila duhet t`i konsumojë afatet kushtetuese për formimin e qeverisë së re nëse arrin që t’i bëjë votat. Në të kundërtën, vijnë edhe skenarët e tjerë që vendi të dërgohet në zgjedhje”, thotë Zekaj, derisa shton se është vështirë të parashikohet se cili mund të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Një ditë pas seancës dëgjimore, ku para gjyqtarëve të Kushtueses palët e përfshira në çështjen e deputetit Etem Arifi kanë prezantuar argumentet e tyre, ish-gjyqtari Kadri Kryeziu e Yll Zekaj nga IKD-ja janë të mendimit që vendimi mund të bëhet i ditur gjatë këtij muaji.
E ndonëse nuk kanë treguar datën, nga Gjykata Kushtetuese kanë bërë të ditur se seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet pas 7 dhjetorit.
“Pas seancës dëgjimore publike mbajtur të mërkurën, më 2 dhjetor 2020, palët e përfshira në rast kanë afat që t’i dorëzojnë argumentet e tyre të prezantuara, në të shkruar, deri të hënën, më 7 dhjetor 2020. Seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet në ditët në vijim, pas datës 7 dhjetor 2020. Si edhe në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë vendim, për këtë njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Kushtetuesja.
E vendimin e Kushtetueses, cilido qoftë ai, do ta zbatojë kryeministri Avdullah Hoti.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ju e dini qëndrimin tonë standard që e kemi pasur, se çfarëdo vendimi që del nga ajo gjykatë ne do ta pranojmë dhe do të sillemi konform atij vendimi”, ka thënë kreu i Qeverisë të enjten.
Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare në formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti. Por vlefshmëria e saj është kontestuar, pasi ai ka qenë i dënuar për mashtrim në subvencione, gjatë mandatit të tij si deputet. Deputeti Etem Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Ndonëse i dënuar, Arifi kishte votuar pro formimit të Qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit. Më 11 qershor të këtij viti, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paraqitur kërkesën e tyre, që vota e Arifit, në seancën e votimit të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, të shpallet e pavlefshme, e rrjedhimisht edhe Qeveria Hoti antikushtetuese.
Vetëvendosje: Presidenti nuk i takon askujt, ai zgjidhjet pas zgjedhjeve
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka thënë se me përjashtim nga LVV-ja, të gjtiha subjektet tjera politike unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë më kandidatin e tyre dhe për interesat e tyre, ndërsa shtoi se zgjidhja e vetme për çështjen e presidentit janë zgjedhjet.
Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje insiston që presidenti nuk i takon askujt, për shkak se nuk është pronë.
Ai edhe njëherë përsëriti se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe se pas zgjedhjeve të reja, ai kuvend duhet ta zgjedh edhe presidentin.
“Nuk mund te ketë unitet, pa legjitimitet. Veçanërisht jo rreth figurave të vjetra e partiake. Prandaj, ne insistojmë që presidenti nuk i takon askujt sepse me të vërtetë nuk i takon. Ai nuk është pronë. Atë duhet ta zgjedhë një kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja, sipas disa kritereve që me të vërtetë e bëjnë presidentin e vendit unifikues e përfaqësues të unitetit e popullit”, shkruan Kryeziu.
Moti
Të premten parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga 5 deri 8 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-17 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 41299. Të Shëruar: 26453. Të vdekur: 1062.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com