Mër. Nën 27th, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE 04.02.2021

Haradinaj nga Mitrovica: Vuçiq po i përdorë serbët e Kosovës për pushtetin e tij politik në Serbi

Kandidati për president të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Mitrovica po shfrytëzohet për lojëra të ndryta të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Haradinaj tha se propaganda e Vuçiqit është duke e penguar integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Mitrovica është shembull për lojën e ndytë të Vuçiqit. Ai po promovon frikë dhe kërcënim midis pakicës serbe në vendin tonë, duke ndërhyrë vazhdimisht në çështjet tona të brendshme. Propaganda e tij e luftës po e pengon integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Ai ka vite që i përdor serbët e Kosovës për pushtetin e tij politik në Serbi”, tha Haradinaj në tubimin elektoral të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të mbajtur sot në Mitrovicë.
Haradinaj ka thënë se kërcënimet e vazhdueshme nga presidenti serb, e kanë penguar edhe rrugëtimin e vet Serbisë për të qenë në familjen e shteteve dhe kombeve.
“Vuçiq nuk është mjaftu me kaq. Në vazhdimësi e ka kërcënuar Kosovën dhe e ka pengu në rrugëtimin e vet për të qenë e barabartë në familjen e shteteve dhe kombeve”, ka thënë Ramush Haradinaj gjatë adresimit para qytetarëve në Mitrovicë.

Ambasadori britanik e takon kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, i ofron mbështetje për pavarësinë e Gjykatës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka takuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizin
Ai ka thënë se kanë diskutuar lidhur me vendimet e fundit të kësaj gjykate, ndërsa tregoi se ia ka ofruar asaj mbështetjen e tij, për ta siguruar pavarësinë e kontrollit më të lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë.
“Sot takova Arta Ramën-Hajrizin, Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese. Ne diskutuam vendimet e fundit të gjykatës dhe unë ofrova mbështetjen time për të siguruar pavarësinë e Gjykatës dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar në një postim në TëitterAbbott.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshëm mandatin e Etem Arifi dhe kësisoj, e vlerësoi si kundërkushtetuese formimin e Qeverisë, për zgjedhjen e së cilës vota e Arifit ishte determinuese.!

5 të vdekur nga Covid, 318 raste të reja dhe 214 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

214 TË SHËRUAR DHE 318 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.303 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 318 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 1 rast (80 vjeç), Kamenicë 1 rast (65 vjeç), Kaçanik 1 rast (72 vjeç), Prizren 1 rast (72 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (80 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 61.404 raste nga 242.999 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.514 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 214 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 53.231 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.659
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 121 raste, Prizren 38 raste, Gjakovë 23 raste, Pejë 17 raste, Suharekë 16 raste, Gjilan 11 raste, Mitrovicë 11 raste, Ferizaj 10 raste, Podujevë 10 raste, Fushë-Kosovë 9 raste, Deçan 8 raste, Rahovec 8 raste, Vushtrri 8 raste, Lipjan 6 raste, Obiliq 4 raste, Istog 3 raste, Kamenicë 3 raste, Drenas 2 raste, Kaçanik 2 raste, Klinë 2 raste, Skenderaj 2 raste, Viti 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Dragash dhe Malishevë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Albini dhe Vjosa në Ferizaj, Kaçanik dhe Han të Elezit

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ditën e fushatës e kanë vazhduar në Han të Elezit, Kaçanik dhe Ferizaj.
Numër i madh i njerëzve janë parë në rrugët e këtyre qyteteve.”…

Hoti në Pejë: Fitorja e LDK-së do të jetë edhe për ata që mendojnë ndryshme

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka mbajtur tubimin e radhës për këtë ditë, në Pejë, ku para mbajtjes së fjalimit u befasua me një tortë për nder të ditëlindjes së tij.
Hoti para pejanëve tha se më 14 shkurt LDK-ja do të del fituese.
“Ka me qenë fitore për të gjithë, jo vetëm për njerëzit e LDK-së, por edhe për ata që mendojnë ndryshe nga ne. Fitorja jonë ka me qenë edhe për ata. Ata mund të mos e dinë, por ka me qenë mirë edhe për ata”.
“Kemi me qenë fitues sepse nuk jemi të përkohshëm, s’jemi parti pa vizion ose që mbrojmë kauza të rrejshme, s’jemi që punojmë për një person të vetëm ose që i nënshtrohemi një personi të vetëm, por vetëm shtetit shtet, ligjit ligj. Jemi njerëz që besojmë në Zot, në familje e shtetin tonë. Për këtë qëllim e kemi zgjedhur këtë moto “shteti shtet” sepse nuk mund të nëpërkëmbet shteti që kanë filluar me e ndërtu burra e gra para 30 viteve”, ka theksuar Hoti.
Ai po ashtu theksoi se LDK-së i njhen veprimet që nga vitet 90.
“E kemi dëshmuar se në këto zgjedhje s’dalim para qytetarëve të themi ‘hajde provona neve”, siç po thonë të tjerët, por ne themi “ja kush kemi qenë ne, ja veprimet që i kemi bërë gjatë viti ’90 për ta themeluar e vendosur e shtetit të Kosovës, hap pas hapi, duke pa qartë kah po shkojmë’”.
“Edhe në momentin më të vështirë, ne qeverisim 100 herë më mirë se sa këta të tjerët”, u shpreh Hoti..

Valbon Krasniqi zgjidhet drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar

Valbon Krasniqi është përzgjedhur drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Krasniqi është zyrtarizuar sot në këtë pozitë nga Komisioni vlerësues i kryesuar nga kryetari i Bordit Drejtues të këtij institucioni, Dr. Xhevat Jakupi.
“Komisioni vlerësues për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), bazuar në Ligjin 06/L-114 për Zyrtarët Publikë dhe legjislacionin tjetër në fuqi, ka shpallur rezultatet e konkursit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së. Procesi ka qenë transparentë dhe në të kanë marrë pjesë përfaqësuesi nga shoqëria civile, Shoqata për të drejtat e pacientëve, përfaqësuesi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.
Krasniqi është zgjedhur në këtë detyrë me 91.2 pikë nga testi dhe intervista.
Kandidati tjetër Dr. Basri Lenjani është renditur i dyti me 75.6 pikë.
Në këtë garë kanë qenë edhe Gani Halilaj i cili nuk ka marr pjesë në test dhe intervistë, ndërsa nga konkursi janë tërhequr kandidatët Saudin Maliqi dhe Driton Ukmata.”..

Vazhdon rritja e frikshme/ 1052 raste të reja dhe 14 të vdekur nga Covid

COVID19/ Ministria e Shëndetësisë: 3974 testime, 585 të shëruar, 1052 raste të reja dhe 14 humbje jete në 24 orët e fundit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat antiCOVID duke vendosur maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë; duke shmangur grumbullimet dhe duke ruajtur distancimin fizik; duke u kujdesur për higjenën vetjake, në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.
Ju njohim me situatën e COVID19 në 24 orët e fundit si vijon:
Janë kryer 3974 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 1052 qytetarë Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:
486 raste në Tiranë, 73 në Vlorë, 48 në Durrës, 43 në Fier, 35 në Sarandë, nga 26 raste në Shkodër, Lushnje, 22 në Berat, 21 në Kukës, 20 në Krujë, nga 19 raste në Elbasan, Lezhë, 17 në Kamëz, nga 15 raste në Kurbin, Mallakastër, nga 11 raste në Korçë, Gramsh, Kuçovë, nga 10 raste në Gjirokastër, Delvinë, 9 në Shijak, nga 8 raste në Mirditë, Tepelenë, nga 7 raste në Pogradec, Ura Vajgurore, nga 6 raste në Divjakë, Dibër, Malësi e Madhe, nga 5 raste në Peqin, Memaliaj, nga 4 raste në Kavajë, Përmet, Vau i Dejës, nga 3 raste në Pukë, Bulqizë, Himarë, Kolonjë, Vorë, Cerrik, Poliçan, Këlcyrë, nga 2 raste në Has, Malësi e Madhe, Skrapar, nga 1 rast në Devoll, Tropojë, Librazhd, Patos, Dropull.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 585 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 49,543 që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 408 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 14 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID. 7 qytetare nga Tirana, 2 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Bulqiza, 1 qytetar nga Kurbini, 1 qytetar nga Korça të moshave 56 -87 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për të mësuar mjekun tuaj të familjes dhe për të kontaktuar me të. Gjithashtu, telefononi në numri unik 127 i Urgjencës Kombëtare mund të telefononi kur dyshoni se keni shenja të sëmundjes dhe duhet të kryeni testimin për COVID19 apo nëse keni nevojë për trajtim të specializuar spitalor në spitalet COVID.
COVID-19 – Statistika (4 Shkurt 2021)
Raste të reja ditore 1052
Të shëruar në 24 orë 585
Të shtruar në spitale 408
Humbje jete në 24 orë 14
Testime ditore 3974
Testime totale 373,132
Raste pozitive 81,993
Raste të shëruara 49,543
Raste Aktive 31,032
Humbje jete 1418.

Palestina s’ndalet, reagon edhe përmes ambasadës në Serbi pas njohjes reciproke Kosovë-Izrael

Palestina nuk është mjaftuar me reagimin që e ka bërë dje ndaj Kosovës lidhur me zyrtarizimit e njohjes reciproke Kosovë-Izrael dhe vendimit për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
Në një deklaratë të paraqitur nga ambasada e Palestinës në Serbi, njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi më 1 shkurt vlerësohet si “zhgënjyese”, ndërsa thuhet se Kosova, e cila “po përpiqet të gjejë një vend midis shteteve të pavarura, është pritur t’i përmbahet fjalë për fjalë legjitimitetit ndërkombëtar dhe ligjit ndërkombëtar”.
Me marrëveshjen e nënshkruar, siç theksohet, Kosova “i tregonin shtetit palestinez, shteteve arabe, shteteve islamike, vendeve jo-drejtuese dhe anëtare të Bashkimit Afrikan dhe grupeve të tjera rajonale në botë që ajo injoron dhe shkel në mënyrë të qartë dhe të hapur ligjin ndërkombëtar, ligjshmërinë ndërkombëtare dhe rezolutat, që ndërlikon pozicionin e çdo shteti ta konsiderojë njohjen e Kosovës si shtet”.
“Ministria shpreson që institucionet vendimmarrëse në Kosovë do ta rishikojnë atë hap dhe do ta anulojnë atë vendim të shpejtë dhe do ta korrigjojnë atë akt të gabuar. Kështu, Kosova mund të japë një shembull të angazhimit të saj për legjitimitetin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Dje, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës reagoi ndaj zyrtarizimit të njohjes së ndërsjellë Kosovë-Izrael, duke e përshkruar këtë akt si zhgënjyes dhe duke i bërë thirrje Kosovës ta anulojë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem.
“Marrëveshja që Kosova e nënshkroi me fuqinë okupuese (Izraelin) dhe deklarimi i synimit të saj për ta hapur ambasadën në Jerusalemin e okupuar është një hap që bie ndesh me gjithçka që Kosova po përpiqet të bëjë për ta bindur botën ta njohë atë”, tha Ministria e Jashtme palestineze në një deklaratë.
Të hënën u mbajt ceremonia virtuale e vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Pas deklaratave, ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi e kanë falenderuar e uruar njëri-tjetrin. Kryediplomati izraelit e ka cilësuar historike ditën e hënë, duke e falenderuar SHBA-në për këtë, ndërsa më pas e ka zbuluar një pllakë me mbishkrimin “Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael”.
Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë që ishte ndërmjetësuar nga administrata e Donald Trump në shtator të vitit të kaluar. Marrëveshja përfshinte gjithashtu njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit si dhe zotimin që Kosova dhe Serbia t’i vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem. .

Moti
Të premten parashikohet mot pjesërisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 13 gradë celcius.Mot pjesërisht me diell në Tiranë,me temperatura nga 6 deri në 20 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 61404, Të shëruar:53231,të vdekur:1514
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *