Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE, 05.11.2020

Thaçi jep dorëheqjen nga posti i presidentit pasi i konfirmohet aktakuza nga Specialja

Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit, pasi edhe ndaj tij është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.
Këtë e ka bërë të ditur para pak çastesh përmes një konference për media.
Ai ka thënë se nuk do të lejojë që para Gjykatës të shkoj si president.
“Nuk do të lejojë që para gjyqit të dal si president prandaj për të mbrojtur integritetin e shtetit unë sot jap dorëheqje”, ka thënë ai.
“Për të mbrojtur integritetin e Kosovës, duke respektuar partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit. Ndihem shume krenar për këtë përgjegjësi që e kam bartur. Në këto rrethana të reja ftoj forcat politike që të kenë maturi të mos thellojmë në krizë kushtuese apo institucionale, vendi nuk ka kohë për të humbur, ta ruajmë qetësinë”, ka thënë ai…

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani,kerkon unitet popullor

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në fjalimin e parë drejtuar qytetarëve nga ky funksion i ri, pas dorëheqjes së Hashim Thaçi, ka kërkuar unitet popullor në kohën kur shteti po përballet “me sfida”.
“Vendi ynë po kalon ditë të vështira. Qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet e besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët, republikës sonë. Vendi ynë kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale e të forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit, që bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar dinjitetshëm”, ka thënë ajo.
Osmani ka shtuar se veprimet e Speciales janë rrjedhojë e obligimeve që Kosova ka pranuar.
“Proceset që vijnë pas nuk do të dëmtojnë projektin tonë për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të ushtrisë sonë çlirimtare. Dua të shpreh vlerësimin të gjithë atyre që kanë treguar vendosmëri dhe besim në institucione e i janë përgjigjur ftesave të Speciales duke dëshmuar besim të palëkundur në drejtësi”, ka deklaruar më tej ushtruesja e detyrës së presidentes.
“Beteja për shtetndërtim është beteja më e vështira politike. Urtia dhe mençuria, tipare të traditës sonë, janë të nevojshme në këtë moment. Kërkohet lidership i fuqishëm dhe përgjigje e unifikuar shtetërore. Kur vendi përballet me pandemi kemi nevojë për solidaritet dhe mirëkuptim të plotë me njëri tjetrin. Si ushtruese e detyrës, do të përkushtohem që funksionin tim ta ushtroj duke respektuar këto vlera. Gjatë këtij rrugëtimi do të angazhohemi çdo ditë që Kosova të bëhet shtet, ku ëndrrat e qytetarëve të jetësohen, ku të ketë mundësi të barabarta në të gjitha sferat. Do të sigurohem që zëri im t’u bashkangjitet qytetarëve e të jehojë më fortë se kurrë. Ju lus që si qytetarë të këtij vendi, të qëndrojmë fort afër njëri-tjetrit”, ka vazhduar ajo.
Osmani ka përsëritur se agresori ishte Serbia e Kosova dhe shqiptarët ishin viktimë.

Thaçi, Veseli dhe Selimi nisen drejt Hagës

Pas, konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë nisur drejt aeroportit për të udhëtuar drejt Hagës.
Të tre ish-luftëtarëve të UÇK-së i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale të mërkurën. Selimi e bëri njoftimin në po këtë ditë derisa Thaçi dhe Veseli njoftuan qytetarët sot.

OVL e UÇK-së do të protestojë për arrestimet…

Ushtruesi i detyrës i organizatës së OVL-UÇK-së Faton Klinaku, në një konferencë për media, lidhur me konfirmimin e aktakuzave të krerëve më të lartë Shtabit të Përgjithshëm, ka thënë se si kryesi kanë vendosur që të mbajnë protestë.
“Si kryesi në një mbledhje të jashtëzakonshme, jo vetëm për rastet e ditës së sotme, por edhe për ditët e kaluara, si organizatë kemi konstatime që i kemi dërguar një kërkesë deputetëve që të dërgojnë në Kushtetuese interpretimet për përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale”, ka thënë Klinaku.
Ai ka thënë se OVL e UÇK-së do të organizojë protestë, për datën dhe kohën do të vendoset nesër në këshillin drejtues të OVL-së, ku do të diskutohet edhe protesta edhe çështje tjera.
Lidhur me deklaratën e presidentit që mos të ketë protesta, Klinaku ka thënë se nëse do të ndodhin protesta nuk do të ketë rrezik, do të jetë protestë paqësore, që është e drejtë kushtetuese.
“Kjo është edhe si kërkesë e veteranëve nga terreni, kurdo që do të mbahen protestat do të jenë paqësore dhe do të respektohen vendimet e institucioneve shëndetësore”, ka thënë Ai..

Gjashtë të vdekur e 661 raste të reja me covid 19 në Kosovë

Gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 661 të infektuar të rinj me koronavirus.
Numri i të infektuarve është rekord brenda 24 orëve në Kosovë, ndërsa ka dalë nga testimi i 1617 motrave.
Tre të vdekur janë nga komuna e Gjakovës, një nga Ferizaj, një nga Gjilani dhe një nga Malisheva. Dy të vdekur janë të moshës 60-69-vjeçare, dy të moshës mbi 80-vjeçare, një i moshës 50-59-vjeçare dhe një i moshës 70-69-vjeçare.
Numri total i të vdekurve në Kosovë si pasojë e COVID-19 ka arritur në 720, ndërsa i të infektuarve në 22.206.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 92 pacientë, duke çuar shifrën totale të shëruarve në 15.921. Aktualisht janë 5565 raste aktive.
Sërish Prishtina prinë me raste të reja, 324, Ferizaj janë regjistruar 42 raste, në Fushë Kosovë 39, në Gjilan 37, në Gjakovë 35, në Podujevë 35, në Lipjan 19, në Pejë 19, në Viti 13, në Mitrovicë 11, në Drenas e Vushtrri nga dhjetë, në Shtime 9, në Skenderaj 8, në Deçan e Obiliq nga gjashtë, në Kamenicë, Kaçanik, Suharekë nga pesë, në Han të Elezit, Malishevë, Prizren nga katër, në Klinë e Kllokot nga tri, në Istog e Rahovec nga dy dhe një rast në Junik.

William Walker pas konfirmimit të aktakuzave nga Specialja: Duhet Qeveri me legjitimitet të plotë

Walker pas konfirmimit të aktakuzave nga Specialja: Duhet Qeveri me legjitimitet të plotë
Ish-ambasadori i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker kërkon Qeveri me legjitimitet të plotë në Kosovë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
“E di që tashmë janë përfunduar disa procedura. Vjosa Osmani do të jetë presidente përkohësisht. Megjithatë, duhet një Qeveri me legjitimitet të plotë”, ka thënë Walker, .
Ai u shpreh se ngjarjet e sotme i ka parë me shqetësim të madh.
“Shqetësohem për Kosovën”, ka thënë Walker.
Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi mbrëmë u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destianacion, me një avion ushtarak, sot u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-shefi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-drejtori i shërbimit informativ të UÇK-së, Kadri Veseli dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi. /GazetaExpress/.

MOTI

Të premten parashikohet mot pjeserisht me diell . Temperaturat
do të levizin nga 3 deri 12 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 9-24 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 22206.Të Shëruar: 15921. Të vdekur: 720
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *