Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE 12.11.2020

Vjosa Osmani: Vuçiqi po kërcënon me luftë, pres reagim nga BE-ja dhe NATO

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të reagojnë ndaj deklarimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ajo ka thënë se Vuçiqi po kërcënon me luftë.
“Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO të reagojë ndaj këtij kërcënimi për luftë, të bërë nga Vuçiq”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Vuçiq në konferencë për media sot kishte deklaruar se konfliktet e ngrira janë të rrezikshme, siç ka dëshmuar rasti i Nagorno-Karabakhut. Ai ka thënë se është më mirë të zgjidhet sa më shpejt çështja e Kosovës sesa të ndodhë ndonjë konflikt.

Tetë të vdekur,186 te sheruar e 767 raste të reja me COVID-19

Tetë persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 767 raste të reja të infeksionit. Rastet e reja kanë rezultuar nga një shifër rekorde prej 2178 testimeve.
Në 24 orët e fundit kanë vdekur katër pacientë nga Prizreni (87, 84, 61 dhe 60 vjeç), dy nga Gjilani (89 dhe 77 vjeç), një nga Prishtina (74 vjeç) dhe një nga Suhareka (70 vjeç)
Numri total i të vdekurve si pasojë e COVID-19 ka arritur në 784, ndërsa i të infektuarve në 26.888.
Sërish Prishtina ka regjistruar numrin më të madh të rasteve të reja, 434, në Gjilan janë regjistruar 58, në Mitrovicë 41, në Gjakovë 33, në Ferizaj 31, në Fushë-Kosovë 29, në Lipjan 16, në Viti 14, në Vushtrri 13, në Skenderaj 12, në Kamenicë, Podujevë, Rahovec nga 11, në Prizren nëntë, në Obiliq tetë, në Suharekë 7, në Drenas e Kaçanik nga pesë, në Deçan, Pejë, Shtime nga katër, në Dragash e Klinë nga dy dhe nga një rast në Graçanicë, Istog e Novobërdë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 186 pacientë duke çuar shifrën totale të shëruarve në 16.685. Janë 9418 raste aktive….

MPJD-ja i përgjigjet Vuçiqit: Dialogu me Serbinë të vazhdojë pas pranimit në NATO

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës e ka cilësuar kërcënim të hapur për luftë të re në Ballkan, deklarimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që gjatë ditës u shpreh se s’duhet të lejohet që Kosova “të mbetet konflikt i ngrirë” duke e ndërlidhur me situatën në Nagorno-Karabakh, që “ka treguar se një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzojë në katastrofë të vërtetë”.
Në një reagim ndaj kësaj deklarate, MPJD ka thënë se Kosova as s’është Nagorno-Karabakh, e as s’është konflikt i ngrirë. Kjo ministri ka thënë se fillimisht duhet të anëtarësohet në NATO e më pas të vazhdojë dialogun me Serbinë.
“Reagimi dhe krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit. Dihet botërisht pjesëmarrja e forcave të rregullta ushtarake serbe (përfshirë snajperistë) në Bjellorusi. Ushtarët e Serbisë janë parë të përfshirë aktivisht edhe në konfliktin në Ukrainë dhe është raportuar ndërkombëtarësh për përdorimin e armatimit serb në konfliktin Azerbajxhan-Armeni. Është evidente dhe e qartë se pas imponimit të Rusisë në luftimet e rajonit të Nagorno-Karabakh, dhe paraqitjes së saj si ‘ndërmjetësuese’ për zgjidhjen e këtij konflikti nën sistemin ‘përçaj dhe sundo’, Rusia dhe Serbia si furnizueset kryesore me armë në këtë konflikt të armatosur po tentojnë të tërheqin paralele të tillë me qëllim të arsyetimit të militarizimit dhe armatimin e ushtrisë së saj me armatim jokompatibil me NATO. Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, në kundërshtim me vlerat evropiane e universale, dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në Kosovë vitin 1999”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
“Kosova do të shtojë përpjekjet për fillimin e anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike NATO, dhe tek pastaj do të duhej të vazhdojë dialogun me Serbinë!” përfundon komunikata….

Shpend Ahmeti: Jo mbylljes së Prishtinës

Mbyllja e kryeqytetit po vazhdon të kundërshtohet nga kryetari Shpend Ahmeti.
Ahmeti, ashtu si ditët e fundit, edhe sot ka bërë thirrje të mos mbyllet Prishtina pa statistika që janë të qëndrueshme.
“Jo mbylljes së Prishtinës me statistika të paqëndrueshme! Jo mbylljes së ekonomisë, pa ndihmë për ekonominë! Po masave për ngadalësim të covid, por vetëm atyre që janë të arsyeshme dhe vërtetë ndikojnë në numra. Prishtina në zonë të kuqe, e kufijtë hapur është pa kurfarë efekti!”, shkroi Ahmeti…

Votohen në qeveri masat e reja, nga nesër në ora 18:00 nis zbatimi

Pas disa ditësh diskutime, me grupe të ndryshme të interesit, e pas përplasjeve brenda koalicionit qeveritar, Qeveria e Kosovës, sot i ka votuar masat e reja kundër luftimit të Covidit-19

Hoti nesër në interpelancë për shfuqizimin e Task-Forcës Antikorrupsion

Të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të zhvilluar interpelancën e kryeministrit Avdullah Hoti, sipas kërkesës së tetë deputetëve të GP të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-Forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.
Seanca me vetëm këtë pikë në rend dite do të filloj në orën 15:00, ka njoftuar Kuvendi.

Hoti sot ka raportuar në Kuvend lidhur edhe me dy interpelanca të tjera.

MOTI

Të premten parashikohet mot i vranet vende-vende me riga te dobeta shiu . Temperaturat do të levizin nga 3 deri 13 gradë Celsius. Mot me diell në Tiranë, me temperatura nga 10-20 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 26888.Të Shëruar: 16685. Të vdekur:784
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *