Mër. Tet 30th, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE, 28.01.2021

IPK arreston një polic të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes rrugëve operative kanë siguruar një informacion (vide-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë.
Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me këtë rast.
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot zyrtarin policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident.
Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij rasti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në një njoftim të IPK-së..

Ministrja Haradinaj-Stublla bashkëbisedoi me të Dërguarin Amerikan për Ballkanin Palmer

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Znj. Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Matthew Palmer, Zëvendës-Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin.
Ministrja Haradinaj-Stublla dhe z.Palmer biseduan gjerësisht për aktualitetin politik në Kosovë dhe SHBA dhe marrëdhëniet rajonale.
“Në emër të Kosovës shpreha mirënjohjen tonë për angazhimin dhe vëmendjen e palëkundur të SHBA-ve ndaj Kosovës, dhe bindjen se edhe në këto zgjedhje parlamentare, Kosova do të ruajë standardin e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike e të lira”, u shpreh ministrja Stublla-Haradinaj duke shtuar se “z. Palmer nga ana e tij konfirmoi se SHBA-të do të vazhdojnë përcjelljen me interesim të lartë zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në implementimin e Marrëveshjes së 4 Shtatorit, specifikisht formalizmin e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit”.
Shefja e diplomacisë kosovare tha se kjo arritje kulmore për Kosovën, shtetësinë dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar po arrihet falë rolit kyç të SHBA-ve, dhe do të hapë një horizont të ri bashkëpunimi ndërkombëtar për Kosovën.

Tre të vdekur, 195 të shëruar dhe 316 raste të reja me koronavirus

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.652 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 316 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (85, 81 vjeç), Drenas 1 rast (74 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 59.304 raste nga 227.482 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.482 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 195 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 51.713 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.109.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 116 raste, Prizren 35 raste, Mitrovicë 23 raste, Gjilan 21 raste, Vushtrri 15 raste, Fushë-Kosovë 12 raste, Gjakovë 10 raste, Lipjan 10 raste, Ferizaj 9 raste, Skenderaj 9 raste, Viti 8 raste, Kamenicë 6 raste, Podujevë 6 raste, Rahovec 6 raste, Dragash 5 raste, Klinë 5 raste, Drenas 4 raste, Kaçanik 3 raste, Malishevë 3 raste, Obiliq 2 raste, Pejë 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Istog, Novobërdë dhe Shtime.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Daut Haradinaj reagon pas kërcënimeve të Aleksandër Vuçiq

Ish- shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),njëherit edhe kandidat për deputet, Daut Haradinaj ka reaguar pas kërcënime të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Haradinaj ka thënë se gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e Vuçiq në llogari të Kosovës, nuk i ndihmojnë aspak stabilitetit rajonal.
“Ngritja e kapaciteteve ushtarake në gjendje gatishmërie, me pretekst se “ndjehet i kërcënuar nga situata në Kosovë”, është gjuhë e rrezikshme, nga e cila ka pësuar i tërë rajoni, ndërkaq Serbisë i ka sjell humbje të luftërave dhe izolim”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Tutje, ai është shprehur se Kosova ka një forcë mbrojtëse moderne cila po merr pjesë në misione paqeruajtëse, me synim anëtarësimin sa më të shpejtë në NATO…

“Alberti u godit me plumb në gjoks, me gruan janë ndarë disa herë, armën e bleu vetë”, versioni i familjarit se si ndodhi tragjedia

Albert Krasniqit iu dha lamtumira e fundit në prani të shumë familjarëve, miqve e qytetarëve, gjatë ditës së sotme, në varrezat e Prishtinës.
Vrasja e Albert Krasniqit, që dyshohet se u krye nga babai i tij, tronditi kryeqytetin. Krasniqi ishte i njohur për shkak të miqësisë së tij me personazhe të estrades, martesës me ish-missin e Kosovës dhe si djalë që rridhte nga një familje afaristësh.
Menjëherë pas varrimit, axha i të ndjerit, Ismeti, ka dhënë versionin tij e se si ka ndodhur tragjedia.
Sipas tij, vrasja ka ndodhur aksidentalisht, teksa shton se Alberti e ka blerë vetë armën dhe në momentin kritik ishte duke ia treguar prindit të tij, por në atë moment një plumb është shkrepur dhe si ndodhi “Zoti e di”.
“Së pari i falënderoj të gjithë që kanë qenë pjesëmarrës kjo u tregu çfarë shoqërie ka pas Alberti, çfarë komuniteti ka pas, njërëzit që kanë ardhe më na shpreh ngushëllime për fat të keq në familjen tonë ndodhi një fatkeqësi që ndodh shumë shpesh nëpër botë, sidomos në Kosovë. Rastësisht djali i vëllait e ka ble një pistoletë dhe tu ia tregu babës së vet plumbi ka qenë brenda edhe vëllai se ka ditë, ka kërsit plumbi, ka qenë për neve një tragjedi. Por ka ndodh kjo që na ka trondit krejt familjen”, tha axha i të ndjerit për media.
Sipas tij, Alberti ka qenë djalë problematik, por shumë i mirë për familje.
“Ne se kemi ditë do harxh kanë dal me ble, tu dalë i ka thënë babi një allti po du me ble, por cka po të vyen kjo allti, hiqu saj….Kqyr se e mirë është e ka marrë në dorë, në dorë i ka kërsit alltia dhe e ka vra me një plumb. Ska pas asnjë mosmarrëveshje, Alberti dihet që ka qenë problematik se e njeh krejt shoqëria, por me familje ka qenë shumë i mirë…Ne e dimë se ka qenë më herët i burgosur për rastin e gracanicës, por ndodhi kjo, një aksident që edhe në andër me pa se kishim mendu që mundet me ndodh”, shtoi ai.
Ai tha se arma është e shejtanit dhe bëri thirrje që policia t’i konfiskojë të gjitha armët që shitën në “të zezën”.
“Arma është e shejtanit nuk është e njeriut, por për fat të keq rinia janë mësu me këto dhe është e metë e madhe, që shpresoj që policia në të ardhmen me i konfisku armët sidomos ata që po i shesin në të zezën”, tha ai.
Tutje, Ismet Krasniqi konfirmoi raportimet e mediave se Alberti ishte ndarë nga gruaja, mirëpo mohoi se i ndjeri ka dhunuar ish-missin e Kosovës.
“Ka qenë e vertetë, janë ndarë disa herë, duke qenë se rinia sot për një problem të vogël ndahen, por s’ka pas problem të madh për me u nda, nuk ka qenë ndonjë ndarje e përjetshme. Por ndamje e përkohshme që ka ndodh edhe herave të tjera, por lirisht tash themi se është ndarje e përjetshme se Alberti vdiq”, tha ai më tej.
“Janë përla, ama dhunë s’po di, ata janë përla si burrë e gru që përlahen. S’ka pas mosmarrëvshje, por vetëm burrë e gru”, përfundoi ai sa i përket raportimeve për problemet mes çiftit.
Po ashtu Krasniqi e mohoi se i ndjeri e ka sulmuar babain e tij, para se ky i fundit të shkrepte me armë zjarri.
“Jo absolut, ai babin e ka pas gjithçka, s’ka pas shanca me ndodh…Ai çdo të mirë e keqe me babën e ka shqyrtu. Skenderi u mundu me zbutë situatën me raportu në polici për shkak të mosmarrëveshjes me gru që e ka pas…Edhe alberti ndoshta prej frikës e ka ble një armë….ka qenë aksident, qa është kjo armë edhe qysh e ka pas në dorë ka kërsit ish kanë plumbi në cevë, edhe pse vëllau ka qenë ushtar por kjo ndodh edhe te profesionistët, po këto ndodhin gjithkund. Në gjoks i ka ra plumbi, tu e kqyr çfarë arme qysh ka kërsit veç Zoti e di”, përfundoi ai.
Në varrim pjesëmarrëse ishte edh eish-gruaja e tij Besa Gashi, ndërsa aty nuk munguan as figura të njohura publike, përfshirë edhe ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi.
Ndërsa, reperi Skivi vendosi lule mbi varrin e Albertit, teksa shtoi se nuk është në gjendje për të deklaruar asgjë për media.
Në varrim u tha se për shkak të pandemisë nuk do të ketë të pame, por të afërmit mund ta ngushëllojnë familjen me anë të telefonatave apo rrjeteve sociale.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Skender Krasniqit, në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë”dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Eksperti amerikan i bën thirrje Kurtit: Tregohu i mençur, tërhiqu nga gara për deputet

Eksperti amerikan, Alon Ben Meir, ka mbështetur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ia ka ndaluar Albin Kurtit dhe katër anëtarëve të tjerë të Vetëvendosjes, kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ben-Meir përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i ka bërë thirrje Albin Kurtit, të e respektojë vendimin e PZAP-së dhe të tërhiqet nga gara për deputet.
“Ndjekja e shtetit të së drejtës është shumë e rëndësishme për forcimin e demokracisë; Kurti do të jetë i mençur ta pranojë këtë vendim, të përpiqet të pastrojë të dhënat e tij në vend që të përpiqet të bllokojë të gjithë sistemin”, deklaroi Ben Meir, përcjell “Bota sot”.
Eksperti amerikan theksoi se Kosova duhet të formojë qeverinë të re, pasi ka shumë punë për të bërë dhe nuk ka kohë për të humbur.
Postimi i plotë
Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave deklaroi se ish-kryeministri #AlbinKurti, kreu i partisë më të madhe të opozitës, #Vetevendosje dhe katër anëtarë të tjerë të partisë nuk lejohen të kandidojnë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, duke përmendur bindjet e tyre penale nga më pak se katër vite më parë. Gjashtëmbëdhjetë kandidatë nga partitë e tjera gjithashtu janë ndaluar të garojnë. Ndjekja e shtetit të së drejtës është shumë e rëndësishme për forcimin e demokracisë; Kurti do të jetë i mençur ta pranojë këtë vendim, të përpiqet të pastrojë të dhënat e tij në vend që të përpiqet të bllokojë të gjithë sistemin vetëm sepse ai nuk mund, në këtë moment, të qëndrojë si një kandidat. Kosova duhet të ecë përpara me zgjedhjet dhe të formojë një qeveri të re, pasi ka shumë për të bërë dhe nuk ka kohë për të humbur…

Varianti i ri i Covid-19 është shfaqur edhe në Serbi, Kosova e pambrojtur

Variante të reja të virusit COVID-19 kanë filluar të përhapen në shumë vende të botës. Së fundmi varianti i raportuar për herë të parë në Britani ka filluar të përhapet edhe në rajon. Serbia ka raportuar të dielën se një grua ka rezultuar pozitive me këtë variant. Ndërsa, varianti i ri tashmë ka filluar të përhapet edhe në Gjermani, Zvicër e Itali, raporton Gazeta Express.
Derisa shumë shtete po ballafaqohen me përhapje të shpejtë të variantit të ri të koronavirusit, në vend ende nuk dihet nëse ndonjë lloj i këtij virusi është prezent, ndonëse paralajmërohet përhapja e tij edhe në Kosovë.
Shtete të afërta me Kosovën, përfshirë këtu edhe Serbia, tashmë kanë raportuar raste të infektuara me një variant të ri të COVID-19. Ndërsa, përveç Britanisë së Madhe, për ku janë ndaluar udhëtimet, ndaj asnjë shteti tjetër nuk janë marrë masa shtesë.
Dhjetëra mijëra qytetarë nga shtete të ndryshme po vazhdojnë të hyjnë në Kosovë.
Vetëm për një ditë, 19 mijë e 132 qytetarë kanë hyrë nga shtetet tjera në Kosovë (Nga e diela deri në gjysmën e ditës së hënë).
Një gjë e tillë është konfirmuar për Express nga Policia e Kosovës.
Me përhapjen e mutacioneve të reja të virusit në shtete të ndryshme, infektologët në vend dhe jashtë vendit po paralajmërojnë prezencën e një varianti të ri të virusit edhe në Kosovë.
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë për Express, se masat mbrojtëse ndaj COVID-19 duhet të respektohen me rigorozitet.
Ai ka thënë se virusi është problematik dhe shumë rezistentë, pasi që ndërron strukturën e tij kur nuk largohet shpejtë .
“Virusi është problematik e ndërron strukturën e vet, pra formën antigjenike. E rëndësishme është që ai të eliminohet sa më shpejtë në mënyrë që të mos shfaqen mutacione tjera. Masat me rigorozitet duhet të respektohen”, ka theksuar ai.
Tutje Ramadani ka thënë se pa vaksinim dhe masa adekuate, nuk do të mund të eliminohet virusi.
“Pa vaksinim dhe mbrojtje të qytetarëve me anë të masave adekuate virusi nuk do të eliminohet. Shpresoj që imunizimi dhe vaksinimi bëhet në ditët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, në 100 ditëshin e ardhshëm situata në Kosovë do të kthehet në normalitet”, shtoi ai.
Derisa variante të reja të koronavirusit po përhapen me shpejtësi, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë marrë masa shtesë ndaj vendeve ky ka filluar përhapja e këtyre varianteve.
Zyra për informim në këtë ministri ka thënë për Express se janë duke përcjellur gjendjen me mutacionet e reja gjenetike dhe varësisht prej zhvillimeve në rajon do të sillet edhe vendi.
“Kosova përmes IKSHPK’së po e përcjell gjendjen rreth pandemisë dhe mutacioneve te reja gjenetike lidhur me virusin SARS COV-2. Varësisht prej zhvillimeve në rajon, do të sillet edhe shteti ynë”, është thënë nga kjo zyrë.
Sipas MSH’së, as Kosova dhe as shtetet fqinje nuk kanë aplikuar ndonjë masë të rreptë kufizuese ndaj njëra tjetrës duke u bazuar në situatën epidemiologjike qe ka secili shtet brenda.

Hoxhaj takon rininë e PDK-së: Studimet në universitete publike do të jenë falas, do të financojmë Kartën e Studentëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, me rastin e 21 vjetorit të themelimit të Rinisë Demokratike të Kosovës ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë e PDK-së, para të cilëve ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes.
Hoxhaj ka thënë që në qeverisjen e PDK-së, të rinjtë që studiojnë në universitetet publike do t’i kenë studimet falas.
Ai ka theksuar se nuk ka parti politike në Kosovë, e cila është krijuar prej rinisë dhe se nuk ka parti politike që e ka pasur prioritet rininë më shumë se PDK.
“Për të gjithë ata që studiojnë në universitete publike e kemi ulur pagesën në të kaluarën shumë, por tash pagesa për semestër në universitete publike do të jetë zero. Së dyti, do t’i ofrojmë çdo studenti Kartën e Studentëve dhe 50 përqind e kësaj karte do të financohet nga qeveria e vendit. Së treti, do të ofrojmë një grant prej 15 milionë eurosh i cili grant do të ofrojë mundësi që të rinjtë dhe të krijojnë ndërmarrje të vogla, ndërmarrje te mesme në fushën e teknologjisë, në fushën e dizajnit dhe në fusha të tjera të ndryshme që ata të krijojnë vende të reja të punës dhe ta punësojnë vetën dhe të tjerët”, ka thënë ai.
Po ashtu, Hoxhaj përsëri ka ftuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të përballet në debat me të.
“Prapë po i them, dil matu. Kur u bë kryeministër, se unë dhe Albini e kemi një dallim, unë jam profesor i shkencave politike, ai ka studiuar elektroteknike, krejt në rregull është, por kur u bë kryeministër ju kujtohet pat fol gjysmë ore për një farë teli të bakrit qysh lidhet teli i bakrit. Unë kam pasur përshtypjen që si njeri që vjen prej elektroteknikës të paktën dinë të lidh rrymën mire, po në momentin që ja nisi me bashkëpunua me Amerikën e zuri rryma me Grenellin dhe me Amerikën. Prandaj, as nuk ka ide në elektroteknikë as nuk ka lidhje me politikë, mundet me fol me tela të bakrit, mund ta zë rryma, po e vetmja parti politike e cila mund ta udhëheqë Kosovën, e cila mund ta ndryshojë Kosovën, e cila do ta ndryshojë Kosovën është PDK. Ne do ta udhëheqin qeverinë e Kosovës, unë do të jem kryeministër i Kosovës, Albini mundet me i lidh telat e bakrit. Me të tjerët nuk merremi se nuk janë në garë me neve”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka theksuar se në këto zgjedhje PDK hyn pa dy njerëzit më të dashur, kryetarin e partisë Kadri Veseli dhe presidentin e vendit Hashim Thaçi, e për hir të tyre e të UÇK-së ai ka ftuar të rinjtë që të mobilizohen për fitoren e PDK-së.
Kryetari i rinisë së PDK-së, Donjet Bislimi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti që ka vizion për të ardhmen dhe për të rinjtë e vendit.
“Ne kemi vizion edhe për të ardhmen. Jemi partia politike me programin më të mirë për të rinjtë e vendit. Rimëkëmbja është slogani që do të fitojë në Kosovë”, ka theksuar Bislimi.

Haziri: LDK është e madhe, s’do të munden ta rrënojnë

​​​​​​​Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se meqë jemi në prag të fillimit të fushatës zyrtare elektorale, është e kuptueshme që të nxehet pak ambienti politik, por ai shpreson se nuk do të eskalojë në fushatë denigruese e poshtëruese mes nesh.
“Si LDK, jemi mësuar me goditje të ulëta sepse është Rugovizmi ai i cili u pengon kundërshtarëve politikë, është familja politike e Ibrahim Rugovës e cila është bërë therë në sy për të gjitha subjektet politike. Ata e kanë synim dobësimin e LDK’së. Fatkeqësisht, në këtë rresht kanë hyrë edhe struktura ish LDK-iste, duke e ndihmuar që përmes njerëzve që besojnë Demaçin apo politika e njerëzve që Demaçi ka lënë trashëgimi, dëshirojnë të ndodhë rrënimi i LDK’së, por kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë. LDK është e madhe!”, ka shkruar Haziri.

Moti
Të premtën parashikohet mot pjeserisht i vranët , temperaturat do të lëvizin nga 2 deri në 9 grad celcius.Mot pjeserisht i vranet me mundësi për të reshura të shiut në Tiranë,me temperatura nga 9 deri në 15 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 59304, Të shëruar:51713,të vdekur:1482
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *