Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË 30.11.2020

Isa Mustafa: Disa njerëz të LDK’së i janë gëzuar fitores së Vetëvendosjes

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, po thotë se janë gabim ata që mendojnë se mund ta përmbysin partinë e tij, pas humbjes në Podujevë. Por, thotë se brenda partisë së tij ka njerëz që i janë gëzuar humbjes në Llap. Mustafa deklaron se LDK është e gatshme qysh nesër t’u dalë përpara qytetarëve për të kërkuar votën, shkruan Gazeta Express
Pas 20 vjetësh qeverisje në Komunën e Podujevës, LDK të dielën ka humbur zgjedhjet nga ish-anëtari i saj, tani pjesë e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi.
Por kjo humbje, për kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa, nuk është përmbysje e partisë së tij. Madje, ai thotë se kur Agim Veliu dha dorëheqje nga Podujeva për t’u bërë ministër, ishin të vetëdijshëm se vazhdimin e mandatit të tij mund ta marrë ndonjë parti tjetër.
“Ata që mendojnë se do ta kthejmë përmbys LDK-në, pasi që në Podujevë ka fituar VV për një mbetje të mandatit prej 10 muajsh, e kanë gabim. Kur e kemi tërhequr z. Veliu nga Kryetari i Komunës për ministër, kemi llogaritur se mbetjen e mandatit edhe mund ta merr tjetërkush”, ka deklaruar Mutafa për Gazetën Express.
I pari i LDK’së deklaron se partia e tij e merr humbjen si akt të dekmoracisë, derisa gëzimin e Vetëvendosjes për fitoren në Podujevë e sheh si etje për pushtet.
“Zoti Veliu dhe veprimtarët tanë në Podujevë kanë merita për fitoret e parreshtura atje. Edhe mosfitorja kësaj radhe është pjesë e jetës demokratike. Ne jemi më pak të hidhëruar, kurse VV ka rënë në ekstazë nga gëzimi euforik. LDK-së nuk i mbetet hatri nga gëzimi i VV-së. Por kjo flet se LDK humbjen e merr si akt normal të demokracisë, kurse VV e sheh fitoren si etje për pushtet”, ka thënë Mustafa.
Lideri i LDK’së ka deklaruar se brenda partisë së tij ka njerëz që i janë gëzuar fitores së VV’së në Podujevë.
“Disa njerëz nga LDK që i janë gëzuar fitores së Vv-së po e dëshmojnë se kurrë s’kanë qenë me LDK-në. Na kanë gënjyer në mënyrë perfide”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se LDK si parti e qendrës së djathtë, dallon nga partitë majtiste revolucionare. Sipas tij, brenda partisë bëhen shpesh reforma.
“LDK është parti e qendrës së djathtë, parti konzervatore, me program dhe orientim te qartë. Dallojmë shumë nga partitë majtiste, revolucionare. Ne bëjmë reforma të vazhdueshme, por në suaza të orientimeve të Partive Popullore Evropiane”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK’së thotë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, qoftë komunale apo të përgjithshme.
“Sa u përket zgjedhjeve komunale apo të përgjithshme, që nesër jemi të gatshëm. Pa fije hezitimi”, ka deklaruar Mustafa.
Ndërkohë, me 51.64 për qind të votave, Shpejtim Bulliqi i VV’së arriti të fitojë në Podujevë, pa pasur nevojë të shkohet në balotazh.
Kryetari i ri i Podujevës ka qenë për shumë vjet pjesë e pushtetit të vjetër, Megjithatë VV’ja si subjekt po e provon për herë të parë qeverisjen aty.
Podujeva shkoi në zgjedhjet e parakohshme pasi kryetari i saj, Agim Veliu, la detyrën për t’u bërë pjesë e qeverisë në muajin shkurt të këtij viti. Në garën për kryetar të Podujevës kanë qenë Shpejtim Bulliqi i LVV’së, Nexhmi Rudari i LDK’së dhe Naim Fetahu i PDK’së.
Shpejtim Bulliqi do ta udhëheqë komunën për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjet komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021.

Zbulohet vaksina 100 përqind efektive kundër koronavirusit

Vaksina e kompanisë “Moderne”, ka rezultuar të jetë 100 përqind efektive. Kështu është bërë e ditur në bazë të një lajmi të publikuar pak më parë, transmeton IndeksOnline .
Ndryshe ka kohë që po synohet gjetja e një vaksine, dhe ajo e kompanisë “Moderna”, deri më tani ka rezultuar në bazë të hulumtimeve dhe analizave të bëra si vaksina më efektive..

11 të vdekur,574 te sheruar nga COVID-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, 539 raste të reja

11 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 539 raste të reja të infeksionit.
Nga dy të vdekur janë nga Podujeva (75, 50 vjeç) e Prizreni (75, 65 vjeç), e nga një nga Dragashi (64 vjeç), Drenasi (82 vjeç), Gjakova (77 vjeç), Gjilani (44 vjeç), Malisheva (63 vjeç), Pejë (65 vjeç) dhe Rahoveci (82 vjeç).
Shifra totale e të vdekurve ka arritur në 1016, ndërsa e të infektuarve në 39.596.
539 raste të reja janë nga testimi i 1219 mostrave.
Rastet e reja janë të infeksionit janë nga: Prishtinë 179 raste, Gjilan 63 raste, Mitrovicë 50 raste, Gjakovë 40 raste, Viti 26 raste, Pejë 24 raste, Ferizaj 22 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Vushtrri 13 raste, Kamenicë 12 raste, Skenderaj 12 raste, Drenas 11 raste, Lipjan 10 raste, Obiliq 10 raste, Prizren 9 raste, Klinë 7 raste, Suharekë 6 raste, Istog 5 raste, Malishevë 5 raste, Shtime 4 raste, Deçan 3 raste, Kaçanik 3 raste, Rahovec 3 raste, Zubin-Potok 3 raste, Graçanicë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Hani i Elezit, Kllokot, Novobërdë dhe Podujevë.
Sërish numri i të shëruarve ka qenë më i lartë se të infektuarve. Në 24 orët e fundit janë shëruar 574 pacientë, ndërsa numri total i të shëruarve ka arritur në 25.001. Janë 13.579 raste aktive..

Kërcënimet nga Serbia, KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse cenohet siguria në Kosovë.

Forca që i ruan kufijtë e Kosovës aktualisht nuk ka ndonjë indikacion të brendshëm apo të jashtëm që mund ta cenojnë situatën e sigurisë.
Komandanti i ri i KFOR-it, Franco Federici, gjatë një konference online me disa gazetarë, pjesë e së cilës ishte edhe KOHA ka folur për rrethanën pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale.
Ai pret sjellje të moderuar, por edhe janë të gatshëm për intervenim si reagues i tretë.
“Nuk kemi asnjë indikacion që tregon se situata do të ndryshojë. Jemi të bindur që secili do të sillet në mënyrë të moderuar. Më lejoni të theksoj se KFOR-i nuk është i përfshirë në Gjykatën Speciale. Kjo është temë tërësisht jashtë mandatit tonë. KFOR-i nuk bën hetime. Megjithëkëtë, ne e përcjellim situatën dhe jemi të vëmendshëm. Ne jemi të gatshëm të intervenojmë nëse ka tensione e protesta pas ngritjes së aktakuzave…”, ka pohuar Federici.
Ai ka thënë se KFOR-i nuk është i shqetësuar as me armatosjen e Serbisë dhe deklaratat e zyrtarëve nga Beogradi për mundësinë e një konflikti nëse nuk ka zgjidhje politike.
Sipas Federicit, deri tani nuk kanë hetuar ndonjë rrezik që mund ta prishë qetësinë as në veriun e populluar me shumicë serbe.
Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë.
“Sikurse ka thënë sekretari gjeneral, NATO e mbështet dialogun. Ne mirëpresim çdo hap që forcon bashkëjetesën mes komuniteteve dhe do ta luajmë rolin tonë si ndihmues në këtë drejtim”, ka shtuar ai.
Gjeneral-majori italian ka përsëritur se bashkëpunimi me FSK-në po vazhdon sipas mandatit të kaluar, përderisa nuk vendos ndryshe selia e NATO-s në Bruksel.
KFOR-i aktualisht ka 3 mijë e 500 ushtarë në Kosovë dhe siç ka thënë Federici, për momentin nuk planifikojnë reduktim të trupave.

Qeveria vazhdon të premtojë Ligjin për rimëkëmbje, por assesi t’i sigurojë votat

“Unë sot po jap edhe premtim publik se ligjin për rimëkëmbje ekonomike do ta kalojmë javën tjetër dhe do të përfundojë kjo çështje”.
Kështu ishte shprehur kryeministri Avdullah Hoti të premten e kaluar gjatë një vizite në Suharekë, e të njëjtin qëndrim të hënën e shfaqi edhe shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
Por opozita nuk e ka ndërmend t’ia japë votat pushtetit për kalimin e ligjit, derisa thonë se ende nuk kanë një marrëveshje, raporton KOHA.
Megjithatë, nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se deklaratat e Hotit e Gashit mund të shihen si reflektim për kërkesat e tyre.
“Nuk janë kërkesa për subjektin tonë politik, por janë kërkesa që kanë ardhë nga diskutimet që kemi pasë edhe me komunitetin e biznesit. Si duket më në fund qeveria ka reflektu në bazë të kërkesave tona dhe besoj se deklaratat e Hotit lidhen me propozimet tona”, ka deklaruar Kujtim Gashi, deputet i PDK-së.
Gashi ka thënë për televizionin se kërkesë e tyre mbetet që personat që i tërheqin deri në 10 mijë euro nga trusti t’iu rimbursohen paratë, atyre që e kanë humbur punën shkaku i rrethanave të krijuara me pandeminë, t’u kompensohen tri paga radhazi nga 300 euro dhe të ketë një fond 200 milionë eurosh për të gjitha bizneset në sektorin privat, i cili do të jepet si ndihmë në formë të granteve.
Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur se nuk është arritur kurrfarë marrëveshjeje ende.
“Jo nuk ka dakordim, ne e kemi shpreh qëndrimin tonë, i kemi dhënë alternativat qysh çka mundet me u bo. Qeveria mundet me i shfrytëzu paratë që i ka në bilanc bankar edhe të kredive, pa pasë nevojë me i prekë opsionet tjera”, ka thënë Hekuran Murati, deputet i VV-së.
Vetëvendosja qysh nga fillimi ishte shprehur kundër mundësisë së tërheqjes së 10 % nga kursimet në trust.
Kalimin e projektligjit, me urgjencë e ka kërkuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, derisa kryetari i saj, Berat Rukiqi, shkroi se nëse nuk kalon edhe këtë javë, projektligji e humb kuptimin.
“Projektligji për rimëkëmbje ekonomike kishte kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 12 tetor, pas shtatë tentimesh. E që nga ajo kohë, ky projektligj nuk po mundet të kalojë edhe në lexim të dytë, çka nevojitet për t’u bërë ligj. Projektligji kap vlerën e 385 milionë eurove dhe nëse miratohet, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor të vitit 2021. Miratimi i këtij projektligji parasheh edhe plotësim/ndryshimin e ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale, ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat dhe ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, ka shkruar Berat Rukiqi në Facebook.
Komisioni për Buxhet dhe Transfere do ta shqyrtojë projektligjin këtë të mërkurë, por ende nuk dihet zyrtarisht se kur do të shkojë ai në Kuvend.

Merret vendimi për largimin e shtatores së Adem Jasharit në Prizren

Është vendosur për heqjen e shtatores së Adem Jasharit në Prizren.
Menaxhmenti i “Abi Çarshisë” ia ka konfirmuar ekipit të Kohavisionit që shtatorja e Adem Jasharit, që u inaugurua më 28 nëntor, e që u përcoll me shumë kritika për dizajnin, pasi nuk i përngjan aspak figurës së heroit, do të hiqet.
Shtatorja do të largohet nesër. Berrina Sharri, zëvendësmenaxhere e qendrës tregtare ka thënë se vendimi është marrë së bashku me familjen Jashari, pas kritikave të shumta që i kanë vlerësuar si konstruktive. Sipas tyre shtatorja do të dërgohet për tu rimodeluar, dhe do të kthehet sërish në qendrën tregtare në Prizren.

MOTI

Të marten parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga -7 deri 2 gradë Celsius. Mot i ngjashemnë Tiranë, me temperatura nga 6-17 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 39596. Të Shëruar: 25001. Të vdekur: 1016
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *