Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË,07.12.2020

Ligji për Rimëkëmbjen publikohet në gazetën zyrtare

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 është publikuar në gazetën zyrtare, vetëm dy ditë pasi atë e dekretoi ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.
Ligji është votuar të premten, gjashtë muaj pasi ishte iniciuar nga Qeveria Hoti. Në ligj, ndër të tjera parashihet mundësia që qytetarët të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre nga Trusti.
Trusti, në ditën e votimit, ka njoftuar se në momentin që del në gazetën zyrtare, qytetarët do të kenë mundësi të nisin aplikimin për tërheqje të parave përmes një aplikacioni të veçantë.

14 të vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, 519 raste të reja,926 të shëruar

14 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit në Kosovë si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar edhe 519 raste të reja të infeksionit me koronavirusin e ri.
Katër të vdekur janë regjistruar në Gjakovë (75, 66, 61, 36 vjeç) e nga një në Podujevë (68 vjeç), Prizren (58 vjeç), Podujevë (68 vjeç), Malishevë (63 vjeç), Ferizaj (67 vjeç), Mitrovicë (79 vjeç), Vushtrri (70 vjeç), Shtime (58 vjeç), Kaçanik (65 vjeç), Kamenicë (72 vjeç) dhe Suharekë (68 vjeç).
Numri total i të vdekurve ka arritur në 1.120.
Në 24 orët e fundit janë testuar 1407 mostra dhe prej tyre 519 kanë dalë pozitive.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 215 raste, Mitrovicë 49 raste, Ferizaj 33 raste, Podujevë 33 raste, Gjakovë 30 raste, Fushë-Kosovë 25 raste, Pejë 21 raste, Drenas 15 raste, Lipjan 14 raste, Obiliq 9 raste, Vushtrri 9 raste, Istog 7 raste, Klinë 7 raste, Prizren 7 raste, Shtime 7 raste, Skenderaj 7 raste, Kaçanik 6 raste, Suharekë 5 raste, Rahovec 4 raste, Deçan 3 raste, Gjilan 3 raste, Graçanicë 3 raste, Malishevë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Dragash, Junik, Kamenicë, Viti 1 rast dhe Zubin-Potok.
Shifra totale e të infektuarve ka rritur në 43.324.
Edhe sot shifra e të shëruarve është më e lartë se e të infektuarve të rinj. Janë shëruar 926 pacientë në 24 orët e fundit. Numri i të shëruarve ka arritur në 29.430. Janë 12.774 raste aktive..

Qeveria e konfirmon: PO, i kemi dhënë leje Petkoviqit!

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, ka marrë lejen nga Qeveria e Kosovës për hyrje në Kosovë.
Indeksonline ka raportuar ekskluzivisht për këtë lajm, i cili sapo është konfirmuar.
Qeveria e Kosovës ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje, duke zyrtarizuar lejen për Petkoviqin.
“MPJD-ja në konsultim me kryeministrin Hoti i kanë dhënë leje z. Petkoviq për vizitë në vendin tonë.
Qeveria respekton marrëveshjen e arritur në Bruksel, lidhur me lëvizjen e lirë dhe vizitat e zyrtarëve të lartë serbe, në të cilën thuhet qartë se secila kërkesë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë dhënë për Indeksonlinen.
Ende nuk dihet se cili është qëllimi i kësaj vizitë, ndërkohë që pak javë më parë leje kishte kërkuar edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuqiq.

Besnik Tahiri: Qeveria po përgatit përgjigje institucionale për raportin e PE-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova është duke e përgatitur një përgjigje institucionale lidhur me raportin e Parlamentit Evropian.
“Unë e kam lexuar raportin nga fillimi deri në fund. Është një raport ku që në hyrje shihet se ka kualifikime dhe konstatime për krejt vendet e Ballkanit Perëndimor ku për Kosovën janë dy-tri faqe. Kur merret në tërësi duhet të shihet metodologjia dhe elementet që e pengojnë”, tha Tahiri.
“Kam biseduar me kryeministrin Avdullah Hoti. Sot kam pasur në takim Ministren e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi dhe përgjigja institucionale është në përgatitje e sipër. Nesër do të tentoj ta takoj edhe presidenten Vjosa Osmani për këtë temë në mënyrë që ne si shtet të kemi qasje të saktë, përmbajtjesore, dhe më pak emocionale. Shteti e ka për detyrë të ketë reagim të arsyeshëm, përmbajtësor dhe të bazuar në fakte dhe argumente. Nëse e sheh pozicionin që e ka politika është goxha reagim emocional, derisa nëse e sheh reagimin e ekspertëve të kësaj teme ka qëndrime shumë të sakta”, theksoi Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Kur ti jep një përgjigje empirike profesionale përmbajtësore një institucioni si Parlamenti Europian duhet të jetë i bazuar saktësisht në rrethana dhe strategji që hyn në funksion të shtetit të Kosovës dhe jo individit”.
Tahiri ka thënë se Kosova nuk duhet ta trajtojë këtë raport sikur e ka raportuar raportin e Dick Martyt.
“Nuk guxojmë ta trajtojmë këtë raport sikur që e kemi trajtuar raportin e Dick Martyt që javën e ardhshme bëhen 10 vjet prej kur është prezantuar. Nuk është raport i ngjashëm, por kur kemi raport që vjen nga një institucion shumë serioz, atëherë qasja duhet të jetë shumë serioze. Këtë qasje e kemi marrë ne si qeveri”.

Albulena Haxhiu: Kjo Qeveri po e shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në FB ka thënë se Qeveria Kurti ishte e përkushtuar për adresimin e krimeve të luftës të shkaktuara nga Serbia.
Duke folur rreth kësaj, Haxhiu, ka thënë se Qeveria aktuale po e shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti.
Ky është postimi i plotë i tij:
Së pari, me mbështetjen e institucioneve për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe së dyti, me themelimin pa vonesa të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ekipi i mandatuar për themelimin e Ekipit kishte nisur punën në këtë drejtim. Mandati i tij ishte deri në shtator 2020.
Për shkak të pazareve për rrëzimin e Qeverisë nuk na lejuan ta finalizojmë.
Qeverisë së pazareve të vjetra, kësaj aktuales iu deshën 6 muaj për ta bërë një vendim, e një ekip. Kjo zvarritje për një çështje tejet me rëndësi dëshmon mungesën e vullnetit për adresimin e krimeve të luftës.
Kjo Qeveri po e shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti. Fat i mirë që kjo Qeveri nuk ka jetëgjatësi dhe punët e mira që i kemi nisur, do t’i shtyejmë përpara me vullnet dhe angazhim maksimal.”.

Qytetarëve u pëlqen dekorimi i shesheve në Prishtinë, por ankohen për orën policore

Qytetarë të shumtë e kanë mirëpritur dekorimin e shesheve të Prishtinës për festat e fundvitit, por kanë shprehur pakënaqësi për orën policore pasi sipas tyre po i pengon ta shijojnë ndriçimin e shesheve.
Disa prej tyre po e konsiderojnë të nevojshme që të hollat të ju ndaheshin familjeve me kushtet të rënda ekonomike.
Qytetarës, Ermira Kastrati dekorimi i sheshit po i pëlqen, megjithatë ajo ka shprehur mendimin e vet që kishte me qenë më mirë që të hollat të shkonin për familjet në nevojë pasi që është edhe kohë pandemie.
Ndërsa, Ibrahim Bajgora ka thënë se dekorimi është ai i njëjtë siç ka qenë çdo vit. Tutje ai ka pohur se dekorimi ka qenë i nevojshëm më shumë edhe për fëmijët, por ai ka thënë se kufizimi i lëvizjes po pengon që ta shijojnë siç duhet.

Moti
Të martën parashikohet mot i vranet , temperaturat do të levizin nga 3 deri 8 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 11-19 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 43324. Të Shëruar:29430. Të vdekur: 1120.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *