Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E MARTË, 12.01.2021

Ramush Haradinaj me videomesazh, kërkon nga qytetarët që ta pranojnë si president

Kreu i AAK-së i është drejtuar qytetarëve nëpërmjet një videomesazhi në profilin e tij në Facebook, ku kërkon besimin e popullit dhe zotohet se do punojë vetëm në interesin e vendit dhe popullit të Republikës së Kosovës.
Duke ripërsëritur kërkesën e tij për president, ai ka shpjeguar edhe barrën të cilën e bart mbi supe një president në videomesazh.
Ai, tutje, ka përmendur edhe, siç thotë ai, gabimet politike të PDK’së e LDK’së.
Adresimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës, vëllezër dhe motra, në këto zgjedhje do të ndodhë rikonfigurim i skenës politike në Kosovë.
Që nga paslufta, që nga pavarësia, në Kosovë në etapa të ndryshme, kanë udhëhequr PDK dhe LDK, me të arriturat por edhe me gabimet e tyre.
Tani ju do të vendosni se kush do të udhëheqë në Kosovë.
Ashtu siç Qeveria që i ka përgjegjësitë e veta me rëndësi, edhe Presidenti i vendit ka përgjegjësi mjaft të rëndësishme.
Duke e pasur një President të qëndrueshëm, i cili përballet edhe me vendin fqinj tonë Serbinë, që ka qasje armike ndaj nesh, atëherë, ne jemi më të sigurtë.
Asnjëherë, nuk kam shërbyer dhe nuk kam vendosur kundër interesit të vendit tim, pra çdo herë në jetën time kam qenë me interesin e Kosovës, me interesin e popullit të Kosovës.
Kërkoj besimin tuaj, kërkoj votën tuaj, që të udhëheqë vendin, që të jemi presidenti juaj, presidenti i Republikës sonë.
Zoti e bekoftë Kosovën – ka përfunduar Haradinaj.

Arrihet marrëveshja: AKR garon me 10 kandidatë në listën zgjedhore të LDK-së

Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje.
Në bazë të së njëjtës, AKR do të garojë në listën zgjedhore të LDK-së me 10 kandidatë.
Këtë e ka konfirmuar edhe Vesel Makolli nga AKR. Ai ka thënë se ka pasur diskutime deri në momentet e fundit, por që është arritur marrëveshja.
“Kemi pasë diskutime deri në momentet e fundit, por që është arritur marrëveshja. Do t’i kemi 10 emra në Listën e Përbashkët”, ka thënë Makolli
dryshe, paraprakisht partia e Behgjet Pacollit ishte shprehur se preferon koalicion me LDK-në, para se t’i bashkëngjitet listës së kësaj të fundit.
Sidoqoftë, nga LDK nuk ishin shprehur të gatshëm për koalicion dhe kësisoj marrëveshja është arritur për listë të përbashkët.

4 të vdekur ,431 te sheruar dhe 279 raste të reja me COVID-19

Njotimi nga IKSHPK:
431 TË SHËRUAR DHE 279 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.751 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 279 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Dragash 1 rast (57 vjeç), Gjilan 1 rast (53 vjeç), Mitrovicë 1 rast (75 vjeç), Suharekë 1 rast (75 vjeç).Numri total i rasteve pozitive është 54.261 raste nga 200.093 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.387 raste të vdekjes.Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 431 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 47.079 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.795.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 126 raste, Prizren 32 raste, Gjilan 16 raste, Suharekë 14 raste, Gjakovë 12 raste, Fushë-Kosovë 10 raste, Podujevë 10 raste, Rahovec 9 raste, Vushtrri 8 raste, Lipjan 7 raste, Pejë 7 raste, Drenas 5 raste, Malishevë 4 raste, Istog 3 raste, Klinë 3 raste, Viti 3 raste, Ferizaj 2 raste, Junik 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Novobërdë, Obiliq dhe Skenderaj.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!Mbani higjienën!Respektoni distancën!!

Lajçak del kundër marrëveshjes së Washingtonit

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dalur haptas kundër marrëveshjes për normalizimin ekonomik që e kanë bërë Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020.
Lajçak tha se asnjëra nga palët nuk fiton asgjë nga ky dokument, që sipas tij nuk është as ligjërisht obligativ dhe mbetet vetëm në dëshirën e palëve për t’u implementuar, njofton Klan Kosova.
Pos kësaj diplomati sllovak, ka thënë se BE pret që nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë të del një Qeveri e fortë e cila do të merret fort edhe me çështjen e dialogut duke përmbushur të gjitha obligimet e dalura nga marrëveshjet paraprake.
Në debatin e organizuar nga Ambasadorja e Gjermanisë në Washington Emily Haber, Lajçak është pyetur nga diplomatja gjermane se si do të bëhet me marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi, që do duhet të ketë njohje reciproke.
Lajçak u tregua diplomatik duke thënë se ujdia duhet të jetë ligjërisht obliguese pa përmendur njohjen dhe se sipas tij pa një dokument të tillë Kosova e Serbia le ta harrojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Lajçak ka sqaruar se në funksion të implementimit të marrëveshjeve duhet ndryshim i ligjeve dhe se këto marrëveshje në fund të fundit duhet të votohen në Kuvendin e Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë aspekt mund të ketë edhe referendum….

KQZ’ja i ka thirrur edhe më herët në telefon mërgimtarët, kështu ishin anuluar votat e tyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës, në formularët për votim të shkruajnë edhe numrin e telefonit. KQZ do t’i telefonojë ata dhe nëse nuk lajmërohen, aplikacioni i tyre do të refuzohet. Kjo u kundërshtua, por nuk është hera e parë që KQZ merr një vendim të tillë, shkruan Gazeta Express
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Istogut në vitin 2017 ishin anuluar për shkak të konstatimit se janë bërë keqpërdorime në votat me postë.
Fletëvotimet e dërguara me postë, për kryetar të Komunës së Istogut, kishin qenë në pliko të njëjta, fletëvotime të printuara të gjitha njëjtë dhe të dërguara me postën e njëjtë për kandidatin e AAK’së për kryetar, Gani Dreshaj.
Në këto fletëvotime, 99 për qind ishin për Gani Dreshajn, ndërkaq vetëm 1 për qind për kandidatin e LDK’së, Haki Rugova.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte pranuar të qëndrueshme ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për anulimin e zgjedhjeve të raundit të dytë në Istog.
PZAP kishte bërë të ditur se disa nga votuesit, emrat e të cilëve ishin në fletëvotime, ishin të vdekur.
Kjo ishte konstatuar edhe në certifikatën e vdekjes, e në disa raste edhe me fotografi të lapidareve.
Kështu kishte rezultuar se fletëvotimet e personave të vdekur i kishte dërguar dikush në emër të tyre dhe të njëjtat ishin numëruar si fletëvotime të rregullta.
Procesi i votimit me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Istogut kishte rezultuar i paligjshëm.
Më 26 nëntor të vitit 2017, nga 60 persona nga Austria, emrat e të cilëve ishin në listën e votuesve, 56 prej tyre nuk ishin lajmëruar, e në vend të tyre ishte lajmëruar sekretaria e operatorit është i paqasshëm, ndërsa 2 votues që janë lajmëruar kanë qenë gjermanfolës, 1 votues i regjistruar kishte deklaruar se nuk ka votuar fare në raundin e dytë të zgjedhjeve, ndërkaq në shkresat e lëndës kishte rezultuar se i njëjti kishte votuar.
Një tjetër votues ishte paraqitur në emër të bashkëshortes, por kishte deklaruar se ajo nuk ka votuar e as nuk ka aplikuar për t’u regjistruar si votuese jashtë Kosovës.
Nga dhjetë votues nga Mali i Zi të kontaktuar nga PZAP, tetë nuk janë lajmëruar, por vetëm është lajmëruar sekretaria e operatorit se numri konkret është i paqasshëm, ndërkaq dy të tjerë kishin deklaruar se personi i kërkuar nuk e posedon atë numër të telefonit.
Njëjtë ka ndodhur edhe me votuesit nga Sllovenia. 9 prej tyre është lajmëruar sekretaria e operatorit, ndërkaq 1 tjetër ka refuzuar të flasë për arsyen e thirrjes.
PZAP kishte konstatuar se zarfet e dërguara nga shtete të ndryshme, ishin të njëjta për nga formati, ngjyra dhe firma.
Pas krejt këtyre gjetjeve, PZAP kishte marrë vendim për anulim të zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar të Komunës së Istogut.
“Paneli vlerëson se në këtë situatë zgjidhja e vetme e drejtë, është që raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale për Kryetar të Komunës së Istogut, të përsëritët dhe të shkohet në rivotim, pasi nuk është e drejtë që të anulohen vetëm fletëvotimet me postë, ndonëse është e qartë që me këto vota është manipuluar, nuk e kemi sigurinë e plotë të themi se të gjitha janë të manipuluara, sepse ka mundësi që në mesin e këtyre votave ka pasur edhe vota të rregullta. Me qëllim që do votë e qytetarëve të shkojë në destinacionin e saj, e vetmja zgjidhje e drejtë dhe jodiskriminuese është rivotimi edhe atë në të gjitha vendvotimet e Komunës së Istogut”, thuhej në vendimin e PZAP’së.
PZAP kishte kërkuar nga Komisionin Qendror i Zgjedhjeve që me rastin e riorganizimit të raundit të dytë të zgjedhjeve në Istog, të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të eliminuar parregullsitë e evidentuara.
KQZ kishte dalë me një vendim për votimin përmes postës.
Sipas këtij vendimi, votuesit e regjistruar suksesshëm për votim përmes postës për Komunën e Istogut, të cilët kishin aplikuar në datat e caktuara, duhet të dërgonin dëshmi zyrtare shtesë për adresën e vendbanimit jashtë Kosovës dhe numrin e telefonit kontaktues, ku do të kontaktoheshin për verifikim.
Kjo po bëhej me qëllimin për të vërtetuar se a janë votues që kanë aplikuar suksesshëm dhe personalisht nga jashtë Kosovës.
Votuesit jashtë Kosovës të cilët ishin regjistruar suksesshëm për Komunën e Istogut, të cilët nuk do të sillnin dëshmi zyrtare shtesë për adresën dhe numrin kontaktues të telefonit, në një periudhë të caktuar nga KQZ’ja, do të ktheheshin si votues në listën e votuesve brenda Kosovës, në qendrat e votimit sipas adresave të tyre në Regjistrin Qendror Civil.
Ndërkohë, të hënën KQZ ka vendosur që edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, votuesit jashtë Kosovës duhet të ndjekin procedurat e njëjta si ato të vitit 2017.
Ata duhet të regjistrohen për votim përmes emailit. Sipas vendimit të KQZ’së, një aplikues mund të aplikojë prej një e-maili për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër.
Por, në formularët e aplikimit, duhet të shënohet edhe numri i telefonit i personit që aplikon, nëse i njëjti nuk lajmërohet në telefon, do të humbë të drejtën e votës.
Ndaj këtij vendimi të KQZ’së pati kritika të ashpra.
Kundër vendimit të KQZ’së ka dalë ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani.
Përmes një letre dërguar KQZ’së të hënën, Osmani ka deklaruar se e drejta e votës është fundamentale dhe e garantuar dhe si e tillë nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë.
“Ky vendim, e specifikisht pika IV e tij, mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante”, ka shkruar Osmani në letrën dërguar KQZ’së.
Ndërkaq edhe pse dy anëtarë të saj në KQZ, Ismail Kurteshi dhe Alim Rama, e votuan vendimin për diasporën, Lëvizja Vetëvendosje sot ka dorëzuar ankesë në PZAP.
“Përfaqësuesit tanë për asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve dhe aq më pak që ato të anulohen përmes një thirrjeje të vetme nga KQZ-ja. Kjo teknikisht nuk është e mundshme dhe ligjërisht është e ndaluar”, thuhet në reagimin e VV’së.
Ankesë në PZAP ndaj vendimit të KQZ’së, ka dërguar edhe OJQ “Germin”.
Lirim Krasniqi nga Germin, ka kërkuar që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ta rishqyrtojë ose ta anulojë komplet vendimin e KQZ-së për votuesit nga diaspora.
“Ne si përfaqësues të organizatës Germin sapo deponuam ankesën kundër vendimit të KQZ-së. Ne konsiderojmë që ky vendim ka potencial që të shkel të drejtat themelore zgjedhore që rregullohen me Kushtetutën e Kosovës. Ne shpresojmë që PZAP do ta marrë parasysh ankesën tonë dhe do të veproj konform ligjit. Ekzistojnë elemente të të drejtave kushtetuese dhe tejkalimit të kompetencave të KQZ-së”, ka deklaruar Krasniqi……

Vdes një punëtor në Gjakovë, ra nga kati i pestë i objektit ku punonte

Një punëtor nga Malisheva, 38 vjeçar, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve që ka marrë, pasi ka rënë nga kati i pestë i objektit ku ishte duke punuar.
“Me datë 12.01.2021 rreth orës 16:20, stacioni policor-Gjakovë ka pranuar informatë lidhur me një person i cili kishte rënë nga një objekt në ndërtim e sipër nga kati i -V-të ne Rr.”Selman Riza”-Gjakovë”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Nysret Gjyrkaj.
Ai ka thënë se patrulla në vendngjarje ka konfirmuar incidentin. Në vendngjarje po ashtu ka dalë autoambulanca të cilët viktimën e kanë dërguar ne Spitalin Rajonal “Isa Grezda” – Gjakovë.
Në spital është konfirmuar vdekja e viktimës. I ndjeri është 38 vjeç nga Malisheva.
“Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitet përgjegjëse të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dhe prokurori kujdestar dhe inspektori i punës. Me urdhër të prokurorit kujdestar trupi i pajetë dërgohet për obduksion”, theksoi Gjurkaj.

Vjedhja në Ferizaj, Policia gjen veturën dhe llaptopët e vjedhur – ia kthen pronarit

Në orët e para të së hënës një vjedhje është raportuar në Ferizaj.
Persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një lokal ku kanë vjedhur 33 llaptopë modelesh të ndryshme.
Indeksonline ka siguruar videon e vjedhjes ku shihen tre persona të maskuar.
Por pas një aksioni të Policisë së Kosovës, pas 3 orësh është arritur që të identifikohet vetura e përdorur në vjedhje.
Sipas Policisë, pronarit të 33 llaptopëve iu janë kthyer mjetet e vjedhura.
Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnline, zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Agim Gashi.
Por sipas Gashit, ende nuk janë identifikuar personat e përfshirë në këtë rast.
“Nuk është arrestuar askush.
Por vetura është gjetur në Prishtinë me të gjitha mjetet e vjedhura. Në ora 05:00 të mëngjesit dhe iu kanë kthyer pronarit. Vetura është konfiskuar dhe jemi duke vazhduar me veprimet tjera policore për gjetjen dhe arrestimin e personave të përfshirë”, tha ai

Moti
Të merkuren parashikohet mot i vranet, me mundesi te reshurave te bores,temperaturat do të levizin nga -8 deri 2 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 1-12 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 54261. Të Shëruar: 47079. Të vdekur: 1387
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *