Mër. Nën 27th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË, 03.02.2021

Mbledhja e KQZ-së, përplasje mes VV-së dhe LDK-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e zgjedhjeve do të angazhohen 15 mijë e 110 persona në të gjitha vendvotimet.
Po ashtu, KQZ në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të shtypë më pak fletëvotime, një praktikë kjo e ndjekur edhe në zgjedhjet e kaluara.
Votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa do të shtypen 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë.
Rrjedhimisht i bie që do të shtypen 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9,89 për qind më pak. KQZ-ja ka bërë edhe akreditimin e disa vëzhgueseve nga OJQ të ndryshme.
Ahmetaj: Do t’i korrigjojmë problemet e votuesve nga diaspora
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se do t’i zgjidhin të gjitha problemet e votuesve jashtë Kosovës, që atyre u janë paraqitur në procesin e regjistrimit dhe verifikimit.
Ahmetaj ka theksuar se do të përgatisin një raport dhe do ta sjellin atë në KQZ.
“Edhe unë kam familjarë që s’janë në listën e votuesve dhe gjithë ne kemi marrë shqetësime nga të gjitha anët. Megjithë këto shqetësime, ne do të mundohemi t’i korrigjojmë këto çështje teknike dhe do të përgatisim një raport dhe ta sjellim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, ka thënë Ahmetaj në mbledhjen e sotme të KQZ-së.
Ai ka pohuar që kanë proceduar më shumë se 170 mijë aplikacione të votuesve
“I kemi proceduar më shumë se 170 mijë aplikacione të votuesve, por ne jemi bazuar në të dhënat që i kanë shënuar. Mund të ketë lëshime rrugës, por i kemi pasë katër procese deri te verifikimi. Kemi printuar rreth 1 milion fleta për gjithë këta votues. Hapi i dytë ka qenë regjistrimi dhe pastaj verifikimi. Kështu që, do t’i rishikojmë dhe aty ku mund të korrigjojmë në bazë të ligjit”, tha ai.
Votimi nga diaspora ka filluar ditën e djeshme, 2 shkurt.
Në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Alim Rama ka përmendur vështirësitë për të shkuar në veri.
Ai ka thënë se komisionerët po ndihen të frikësuar për të shkuar atje.
Ndërsa, pas kësaj deklarate ka reaguar anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti.
Ai ka thënë se trimërinë nuk ta jep askush.
Kaq fletëvotime do të shtypen për ditën e zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shtyp më pak fletëvotime se numri i përgjithshëm i votuesve. Kjo është një̈ praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e KQZ-së.
Bazuar në Listën Përfundimtare të Votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa do të shtypen 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë. Rrjedhimisht i bie që do të shtypen 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9,89 % më pak.
KQZ-ja ka edhe akreditimin e disa vëzhgueseve nga OJQ të ndryshme.
Kurteshi tregon problemet me të cilat po ballafaqohen votuesit jashtë vendit
Sami Kurteshi nga radhët VV-së në mbledhjen e KQZ-së, ka ngritur disa shqetësime që sipas tij po ballafaqohen votuesit nga jashtë vendit.
Ai ka thënë se ka marrë disa mesazhe ku anëtarë të një familje kanë aplikuar, por nuk janë të gjithë në listën e votueseve.
Ai po ashtu ka përmendur edhe raste ku të dhënat personale janë ngatërruar.
Kurteshi tutje ka propozuar që këto raste teknike të adresohen tek një Email zyrtar i KQZ-së.
Dakaj tha që ata duhet të votojnë dhe mos të humbin kohë.
Në anën tjetër Alim Rama tha që duhet të shtyhet afati pak i votuesve nga diaspora.
“Duhet të jemi të barabartë për të gjithë votuesit, dhe tu zgjatet afati” tha Rama..

Albulena Haxhiu reagon ndaj KQZ-së dhe PZAP-it

Kandidtaja për deputete nga LVV, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj PZAP-it dhe KQZ-së, duke thënë se ata po tallen me votat e mërgimtarëve.
“Mijëra bashkatdhetarë nuk janë përfshirë në listën e votimit jashtë vendit ndërsa PZAP tallet dhe kërkon që ankesat pranohet vetëm me postë dhe jo me email”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Postimi në Facebook:
KQZ dhe PZAP kanë kaluar çdo kufi lidhur me votat e mërgatës. Mijëra bashkatdhetarë nuk janë përfshirë në listën e votimit jashtë vendit ndërsa PZAP tallet dhe kërkon që ankesat pranohet vetëm me postë dhe jo me email!
Kjo tallje, kjo padrejtësi e ky absurd duhet të marrë fund. Gjyqtarët e kanë për obligim të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe jo t’i shërbejnë atyre që do të ndëshkohen me votën qytetare me 14 Shkurt!..

3 të vdekur nga Covid, 341 raste të reja dhe 207 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

207 TË SHËRUAR DHE 341 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.357 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 341 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Pejë 1 rast (75 vjeç), Suharekë 1 rast (40 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (90 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 61.086 raste nga 240.696 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.509 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 207 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 53.017 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.560.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 113 raste, Prizren 57 raste, Podujevë 21 raste, Vushtrri 14 raste, Gjilan 13 raste, Lipjan 13 raste, Ferizaj 12 raste, Pejë 12 raste, Gjakovë 11 raste, Mitrovicë 11 raste, Suharekë 10 raste, Fushë-Kosovë 9 raste, Malishevë 9 raste, Skenderaj 7 raste, Klinë 5 raste, Viti 5 raste, Drenas 4 raste, Obiliq 3 raste, Rahovec 3 raste, Dragash 2 raste, Istog 2 raste, Kamenicë 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Shtime dhe Shtërpcë 1 rast.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Avdullah Hoti për suksesin e filmit “Zgjoi”: Kështu promovohet e nderohet shteti

Kryeministri Avdullah Hoti ka uruar regjisoren dhe aktorët e filmit “Zgjoi” për suksesin e arritur.
Me një postim në “Facebook”, Hoti ka shkruar se Kosova edhe njëherë ka marrë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar.
“Kështu promovohet e nderohet shteti! 3 çmime për filmin “Zgjoi” në “Sundance Film Festival””, ka shkruar ndër tjera kryeministri i vendit.
Postimi i plotë i tij:
“Edhe njëherë Kosova në vëmendjen e opinionit ndërkombëtar! Filmi që trajton ngjarjen e vërtetë të Fahrije Hotit, gruas guximtare nga Krusha, që tashmë do të jetë e njohur edhe përtej Kosovës. Kultura, arti e sporti po na bëjnë krenarë prandaj duhet të investojmë më shumë në këto fusha. Urime për regjisoren Blerta Basholli, aktoren kryesore Yllka Gashi dhe gjithë ekipin e këtij filmi!”.
Ndryshe, Filmi artistik nga Kosova arriti të marrë trofeun për “Filmin më të mirë”, “Çmimin e publikut” si dhe “Regjinë më të mirë”…

Mustafa thumbon Vetëvendosjen, ja mesazhi i tij nga hapja e fushatës zgjedhore

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën zgjedhore në Podujevë, në një nga komunat ku për disa vite radhazi e kishte udhëhequr pikërisht kjo parti.
Me këtë rast, lideri i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se e ka të vështirë të zgjedh se çfarë të thotë, por që sipas tij LDK duhet të fitojë dhe LDK do të fitojë.
“Ne ia lëmë Vetëvendosjes sondazhet dhe ne do t’i marrim votat. Sepse ne kemi besimin e qytetarëve. Ne e kemi qeverisur Kosovën dhe e kemi qeverisur në mënyrën më të mirë, kemi pas besimin e qytetarëve dhe ne i besojmë ata për këtë besim. I falënderojmë edhe për besimin që ia keni dhënë z.Agim Veliut këtu për kryetar të komunës e nesër edhe kandidatin tjetër të LDK-së për kryetar komune. Se asnjëri prej nesh s’mund ta sheh Llapin pa e parë një njeri të LDK-së në krye të Podujevës e një njeri të LDK-së në krye të Kosovës.Ne e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër, asnjë prej atyre që janë aty s’i bën dëme. Njeri i mençur, i urtë e që di të komunikojë me qytetarët e Kosovës”, tha Mustafa.
Tutej ai shtoi se Avullah Hoti është njeri që di ti zgjidhë problemet e qytetarëve e që mund të komunikojë me zyrat më të rëndësishme të shteteve më të mëdha në vend e që është njeriu që e pruri njeriun nga Izraeli dhe nënshkroi marrëveshjen e parë në Shtëpinë e Bardhë.
Isa Mustafa tha se as s’duhet t’i shkojë mendja qytetarëve që të votojnë dikë tjetër.
“Duhet të votoni kandidat për deputet të LDK-së, duhet të votoni kandidatin për kryeministër të LDK-së, ky është fati i Kosovës, e ardhmja e Kosovës. Unë sot këtu s’dua t’u flas se si do të zhvillojmë ekonominë apo si ta forcojmë shtetin ligjor, apo se si do ti bëjmë reformat në arsim, se si do të zhvillojmë kulturën, sportin e si do të përkrahim rininë sepse konsideroj se në këto zgjedhje kemi probleme me të mëdha se të shtyjmë një njeri në punë, e këto probleme janë se kah po shkon Kosova. Ne kemi dallime të mëdha, ne me VV-në dhe me ata që janë afër Vetëvendosjes kemi dallime të mëdha ideologjike, ne dallojmë shumë, prandaj ata që janë për demokraci janë me ne, ata që janë për një shtet unitar janë me VV-në. Do të mendojë qytetar i Kosovës se kë duhet ta përkrahë”, shtoi Mustafa.

Haradinaj-Stublla nga Prizreni: Erdhi koha për Ramushin President

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, mori sot në hapjen e fushatës zgjedhore të AAK-së, që u mbajt në qytetin e Prizrenit.
Ajo tha se po e nisim rrugëtimin tonë në këto zgjedhje nga Prizreni historik, më të bindur se kurrë për suksesin e Aleancës dhe domosdoshmërinë e Ramushit President.
“Unë si pjesë e listës së Aleancës, me numër 12, falënderoj secilin bashkëqytetar që u bashkua me ne sot, për kuazën tonë të nesërme, për t’i dhënë forcë Kosovës”.
Haradinaj-Stublla tha se ka ardhur koha që Kosova të qëndrojë e fortë mbi këmbët e saj, dhe të realizojë potencialin e saj të vërtetë, të bëhet pjesë e NATO-s dhe mekanizmave tjerë të rëndësishëm ndërkombëtare e të thellojë edhe më tej miqësinë e përjetshme me SHBA-të.
“Këtë e garanton vetëm një President i dinjitetshëm, i besueshëm e i pranueshëm për të gjithë, me përjashtim të Serbisë!”.
“Forcën e Kosovës e gjeni në numrin 135, Presidentin në numrin 1, dhe zgjedhjen tuaj në numrin 12”..

Vjosa Osmani kujton 21 vjetorin e vrasjes së 10 shqiptarëve në Mitrovicë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 21 vjetorin e vrasjes së 10 shqiptarëve në Mitrovicën Veriore. Në një dalje publike Osmani ka thënë se para 21 vitesh në 3 dhe 4 shkurt 10 shqiptarë u vranë 25 u plagosën dhe 1564 familje u dëbuan nga banesat e tyre për shkak të serbëve.
Gjatë fjalës së saj Osmani ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë as paqe dhe as stabilitet nëse njerëzit nuk do të lëvizin lirishëm dhe të jetojnë të qetë. Ajo gjithashtu ka thënë se këto krime duhet të trajtohen nga organet e drejtësisë dhe se këto krime nuk duhet të përsëriten më.
“Njëzetë e një vjet më parë, më 3 e 4 shkurt struktura paralele të dirigjuara nga shteti i Serbisë vranë në Mitrovicë 10 qytetarë shqiptarë, i plagosën 25, teksa i dëbuan nga shtëpitë e tyre 1564 familje”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se dy dekada më pas, kujtimi për civilët jeton bashkë me brengën për ata që më nuk arritën të kthehen në vatrat e tyre. Nuk mund të ketë as paqe të qëndrueshme e as stabilitet nëse njerëzit në çdo cep të Kosovës nuk ndihen të lirshëm për të jetuar e për të lëvizur.
“Koha është që tërësia territoriale e Kosovës të mos jetë vetëm në letër, por edhe në praktikë. Për një Kosovë në të cilën krimet nuk mbeten statistika në raporte, por trajtohen në organet e drejtësisë! Që historia e 3-4 shkurtit kurrë më të mos përsëritet, nevojitet vendosmëri dhe guxim shtetëror për ta garantuar sigurinë e secilit qytetar të Kosovës, në çdo cep të saj. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët shqiptarë të varë me 3-4 shkurt!”, ka thënë ndër të tjera Osmani.

Hoxhaj nga Broboniqi i Kadri Veselit: UÇK e solli lirinë, PDK pavarësinë

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë nga Mitrovica kanë qëndruar pasdite në vendlindjen e kryetarit Kadri Veseli në Broboniq.
Hoxhaj nga Broboniqi theksoi se janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, ata që i kanë prirë projekteve kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Neve na e kanë mundësuar që të jemi të lirë dhe të pavarur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Dy njerëz i kanë prirë këtyre projekteve kombëtare, e këta janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.”, tha ai.

Moti
Të enjten parashikohet mot me diell, temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 13 gradë celcius.Mot me diell në Tiranë,me temperatura nga 6 deri në 19 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 61086, Të shëruar:53017,të vdekur:1509
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *