Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË 11.11.2020

Situatë e re: Kushtetuesja thërret seancë publike dhe përfshin Komisionin e Venecias për rrëzimin ose jo të Hotit

Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë publike për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rastin e deputetit Etem Arifi që votoi në ditën e formimit të Qeverisë Hoti. Nga Kushtetuesja kanë bërë të ditur për Gazetën Express se kjo seancë është caktuar me datë 2 dhjetor dhe do të mbahet përmes një video konference. GJK-ja për këtë temë do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.
Qeveria Hoti mund të rrëzohet nëse Gjykata Kushtetuese e interpreton si ndesh me Kushtetutën votën e deputetit Etem Arifi që edhe pas dënimit me burg kishte vazhduar të marrë pjesë në seanca.
Kjo çështje që është dërguar për interpretim gati gjashtë muaj më parë ende nuk ka marrë epilog, derisa, në Gjykatën Kushtetuese kanë bërë të ditur në një përgjigje për Gazetën Express se për këtë rast do të mbahet seancë publike.
Kjo seancë që do të zhvillohet përmes video konferencës do të mbahet me datë 2 dhjetor.
“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë. Për shkak të rrethanave aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore do të organizohet nëpërmjet video-konferencës, në përputhje me rekomandimet dhe udhëzimet në fuqi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thonë nga Kushtetuesja, derisa, bëjnë të ditur se Gjykata për këtë çështje do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.
“Njëherësh, duke pas parasysh çështjet e ngritura në kërkesë, Gjykata po ashtu ka marrë vendim që t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me praktikat dhe rregullat e aplikueshme në situata të ngjashme, në shtetet anëtare të Komisionit”, thonë nga Kushtetuesja për Express.
Në Kushtetuese thonë tutje se që nga fillimi kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe palët e përfshira në këtë rast.
“Bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, Gjykata ka afat 60 ditë për shqyrtimin e kësaj kërkese, që fillon pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve të nevojshme për shqyrtim kushtetues të lëndës. Përkitazi me këtë çështje, Gjykata ka pasur komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe palët e përfshira në rast edhe gjatë muajit shtator, me qëllim të kompletimit të dosjes së lëndës”, thuhet në përgjigje.
Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit,Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.
Për këtë arsye nga LVV-ja ishin drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend..

4 të vdekur, 733 raste të reja me Covid-19, brenda 24- orëve

Gjatë 24- orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.519 mostra të marra nga SHSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 733 raste pozitive. Brenda 24- orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitivë. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Drenas 1 rast (75 vjeç), Prishtinë 1 (62 vjeç), Shtime 1t (77 vjeç), Skenderaj 1 rast (72 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 26.121 nga 111.560 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2 dhe 777 raste të vdekjes.
Gjatë 24-orëve të fundit, janë shëruar 137 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është gjithsej 16.499 raste, kurse numri i rasteve aktive është 8.845.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 328 raste, Pejë 59 raste, Gjakovë 42 raste, Prizren 34 raste, Mitrovicë 29 raste, Deçan 28 raste, Fushë-Kosovë 27 raste, Gjilan 27 raste, Ferizaj 25 raste, Vushtrri 17 raste, Klinë 16 raste, Podujevë 15 raste, Lipjan 13 raste, Shtime 13 raste, Drenas 12 raste, Obiliq 9 raste, Viti 9 raste, Suharekë 8 raste, Rahovec 5 raste, Skenderaj 5 raste, Malishevë 4 raste, Dragash 3 raste dhe me nga një rast komunat: Istog, Junik, Kaçanik, Kllokot dhe Mamushë…

Tahiri iu kundërpërgjigjet gastronomëve: S’i paskeni kuptuar masat, nesër ju pres në zyre për kafe dhe ua shpjegojë

Zëvendësëkryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, iu ka kundërpërgjigjur Shoqatës së Gastronomëve, të cilët morën vendim që të mos iu shërbejnë kabinetit qeveritar si shenj proteste për masat e ndërmarra.
Numri dy i ekzekutivit i ka ftuar ata për nesër në zyrën e tij që t’iu shërbejë kafe dhe t’ua shpjegojë masat e marra, pasi nuk i kanë kuptuar.
“Meqë nuk e paskeni kuptuar saktë vendimin e Qeverisë që në një situatë tmerrësisht të rëndë u ka lënë hapësirë që të punoni, minimalisht 14 orë në ditë, edhe pse ka pasur ide që të mbyllej gjithçka, dhe meqenëse ju nuk po qitni kafe, atêherë ju thërras unë të gjithë juve nesër në ora 12 për kafe, në zyrën time, në Qeveri. Aty do të sqaroheni edhe më shumë! Mirë se vini!”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook….

BE: Kosova duhet ta kuptojë se dialogu nuk ka alternativë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe Prishtina dhe Beogradi duhet të jenë të gatshme për vazhdimin e tij dhe arritjen e kompromisit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi për Çështje të Jashtme i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kur u pyet për të komentuar disa qëndrime në Kosovë, përmes së cilave kërkohet pezullimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
“Ne jemi të bindur se, për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të Kosovës për të ardhme evropiane, Kosova duhet ta kuptojë dhe pranojë se nuk ka alternativë përveç dialogut”, tha Stano.
Sipas tij, “BE-ja vlerëson vizionin e qartë të kryeministrit, Avdullah Hoti, për këtë dhe gatishmërinë e tij për të bërë zgjedhjen e vështirë, duke dëshmuar konsistencë dhe pjekuri, posaçërisht në këto kohë sfiduese”.
“Shoqëria e Kosovës është mjaft e pjekur për të kuptuar se dialogu nuk mund të përdoret për argumente afatshkurtëra politike. Perspektiva evropiane e Kosovës është reale. Por, përmbushja është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe liderëve të tyre të zgjedhur. BE-ja mbetet e gatshme tu ofroj çfarëdo ndihme. Lehtësimi i dialogut është një aspekt i kësaj ndihme”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Gjatë këtij viti dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar në Bruksel, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.
Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje të përgjithshme, në të cilën do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë.
Pas shpalljes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara për ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë disa përfaqësues institucionalë dhe liderë politikë kanë kërkuar ndërprerjen e dialogun me Serbinë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka thënë për transmetuesin publik gjerman, Deutsche Welle (DW) se nuk është momenti të vazhdohet dialogu. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që është pjesë e koalicionit qeveritar, ka kërkuar pezullimin e tij.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 10 nëntor, kryeministri Avdullah Hoti, kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.
“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur ketë të dytën”, ka thënë Hoti.
Ai shtoi se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera.
Ndërkohë nga Brukseli, zëdhënësi Stano, ka thënë se Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak mbeten të përkushtuar të vazhdojnë të lehtësojnë dialogun në mënyrë që të arrihet “marrëveshja gjithëpërfshirëse”, pasi “ata janë sinqerisht dhe thellësisht të bindur se ky është opsioni më i mirë dhe i vetëm për Kosovën”.
Zëdhënësi i BE-së ka paralajmëruar se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret në Bruksel, sa më parë që të lejojnë mundësitë. Në ndërkohë BE-ja thotë se do të ishte mirë sikur Prishtina dhe Beogradi të përgatiten për diskutime, duke treguar frymën e nevojshme të pragmatizmit dhe vullnetit politik për kompromis..

Sqarohet Ahmeti: S’jam kundër masave, por kundër kritereve koti që e veçojnë Prishtinën

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është sqaruar rreth qëndrimeve të tij për kundërshtimin e masave të reja të Qeverisë për parandalimin e virusit Covid-19.
Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka thënë se nuk është kundër maave, sepse e kuptojnë të gjithë situatën, porse është kundër masave, siç i ka quajtur ai, koti, për kalkulime të gabuara.
Sqarimi i Ahmetit në Facebook:
Për shkak se plotë prej juve po më shkruajnë më duhet të qartësoj:
1. Nuk jam kundër masave – të gjithë e kuptojmë se gjendja është përkeqësuar jo vetëm tek ne por në krejt regjionin e plotë shtete të botës.
2. Jam kundër kritereve koti që e vecojnë Prishtinën me kalkulime të gabuara. Pra këto masa e vështirësojnë situatën e nuk e ndihmojnë situaten me COVID. Në qoftë se masat merren në krejt Kosovën me arsyetime të bazuara se do ta ngadalësojnë virusin, atëherë e bëjmë.
3. Nuk mërzitem për mirëqenien e pronarëve të bizneseve në aspektin e sigurisë financiare sepse mendoj se ata gjinden në fund. Por, bizneset janë burim i punësimit dhe unë e kam hallin e punëtorit që paraqitet në komunë duke kërkuar ushqim e barna.
4. Masat duhet të jenë të targetuara mirë dhe që kanë efekt. Përndryshe mos me arrit qëllimin e vet e prapë me pas rritje të numrit të të infektuarve do jetë kosto e dyfishtë.
5. Mbyllja pa masat ekonomike të subvencionimit dhe injektimit të parave në ekonomi shkakton kosto të madhe shëndetësore. Përvec situates goxha të rëndë psikologjike për qytetarët nga covidi po i shtojmë edhe probleme të pakalkueshme ekonomike e sociale.

5. Para se me mbyll tjerët duhet me pastru oborrin tonë. Sa punëtorë në institucione publike e edhe në KOmunën e Prishtinës i përmbahen rregullave? sepse është e qartë që edhe kjo është vatër e përhapjes. Këtu kemi përgjegjësi bukur shumë të gjithë ne.
Në fund, e thash disa herë që me këto kritere Prishtina po penalizohet për shkak se teston më shumë. Kjo është e padrejtë dhe është motivim i keq për mos me testu. Ne duhet ta bëjmë të kundërten të testojmë sa më shumë. P.sh. Si ka mundësi që Prishtina të ketë vdekshmërinë rreth 1 përqind e Prizreni 4 përqind, kur numri është shumë më i madh në Prishtinë. Kjo ka kuptim vec kur e kuptojmë që Prishtina teston më shumë.
– Pra – po, situata është e rëndë dhe duhet masa.
– Kriteret duhet të jenë shkencore e jo ad-hoc!
– Masat duhet të kenë qëllime dhe kufizime të bazuara në argumente të forta.
– Duhet të testojmë edhe më shumë dhe duhet të shtojmë kapacitetet shëndetësore në rast të një krize edhe më të madhe. Duhet të sigurohemi që ka oksigjen mjaftueshëm për krejt spitalet regjionale dhe duhet të kemi plane kontingjete per spitale mobile. Psh. Prishtina e ka këtë plan!
– në qoftë se mbyllemi tash, cka ndodh kur e hapim prapë krejt, apo ideja është që ta mbyllim deri në vakcinë, apo dicka tjetër.
Këtë çka po e them as nuk po e them për gastronomët, odat ekonomike apo pronarët e bizneseve, sepse profiti i tyre është brenga ime më e vogël. Por humbja e tyre nënkupton humbje të vendeve të punës, dhe pastaj ndihma sociale për qytetarët. E bëjmë edhe këtë si masë, por ama ky vendim nuk merret tu diskutu thua se po flasim për ndonjë shtet tjetër. Ne shkojmë rahat në shpi sonte sepse kemi të ardhurat e sigurta në sektorin publik, por plotë prej neve sonte nuk i zen gjumi..

MOTI

Të enjten parashikohet mot me diell . Temperaturat do të levizin nga 1 deri 12 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 10-22 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 26121.Të Shëruar: 16499. Të vdekur:777
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *