Mër. Tet 30th, 2024

NGJARJET E DITËS, E PREMTE 18.12.2020

Partitë politike deklarohen për emrin e Murat Jasharit si president

Lëvizja Vetëvendosje thonë se duhet ta diskutojnë në parti emrin e Muratit Jasharit si kandidat konsensual për president. AAK’ja thotë se e kanë propozimin e tyre dhe nuk e kanë diskutuar në parti emrin e anëtarit të familjes Jashari. PDK’ja mbetet në pozicionet e saj sa i përket emrit për shef të shtetit. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka qenë i paqasshëm për ta pyetur rreth kësaj teme, ndërsa shefi i GP të Nisma-AKR-6 plus, Endrit Shala, nuk ka pranuar të flasë, duke u shprehur se për këtë temë mund të prononcohet dikush nga zyra për media e kësaj partie
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka deklaruar se nëse 2/3 e deputetëve bien dakord që dikush nga familja Jashari të marrë postin e presidentit, ata janë të gatshëm të marrin një përgjegjësi të tillë. Sipas tij, më i denjë për pozitën e shefit të shtetit është Murati, djali i Rifat Jasharit.
“Unë mendoj se më i miri për këtë pozitë është Murati. Nëse 2/3 bien dakord për atëherë adresa është Murati. Nëse nuk ka dakordësim ne nuk bëhemi pjesë e pazareve politike”, ka deklaruar mbrëmë ai.
Moskoordinimi i subjekteve politike për temat e mëdha në vend duket se do ta pasojnë edhe zgjedhjen e presidentit të ri. Emri i Murat Jashari si kandidat konsensual për president deri më tani nuk ka marrë përkrahje të partive politike të përfaqësuara në Kuvend.
Kështu të paktën kanë deklaruar disa nga zyrtarët e partitive politike të pyetur nga Gazeta Express sot gjatë ditës.
Zëdhënësi i PDK’së, Avni Bytyçi, tha se qëndrimi i PDK’së nuk ka ndryshuar, përkatësisht deklarata e ushtruesit të detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj, sa i përket çështjes së presidentit.
“Nuk e kemi biseduar asnjë emër. Përgjegjësi për këtë situatë ka koalicioni qeverisës, nëse i kërkojnë votat e PDK’së atëherë ne insistojmë që emri të jetë i PDK’së, ne nuk mund t’ia votojmë qeverisë propozimin e tyre. Ky është qëndrimi nuk ka ndryshuar asgjë. Qëndrimi i PDK’së është ai i ushtruesit të detyrës së kryetarit Enver Hoxhaj”, ka thënë Bytyçi.
Arbër Rexhaj, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka mohuar se partia e tij do ta diskutonin një emër të familjes Jashari, veçse sipas tij kryesia e VV’së duhet të mblidhet për të përcaktuar disa kritere për çështjen e presidentit.
“Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje duhet ta mbajë një mbledhje të kryesisë dhe t’i përcaktojë kriteret se çfarë ne mendojmë për çështjen e presidentit. E dyta, çështja e presidentit ne mendojmë se duhet ta përfaqësojë vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, mbi këtë bazë ne do ta diskutonim edhe emrin e respektuar të një anëtari të familjes Jashari. Këto parti politike, LDK, PDK dhe AAK janë të bllokuara tek emrat e kryetarëve të tyre. Prandaj nuk shoh tek partitë tjera që do të avanconin qoftë ndonjë emër të respektuar të familjes Jashari apo ndonjë emër tjetër. Presidenti duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve. Vetëvendosje nuk ka propozuar ndonjë emër pasi ne jemi parti opozitare”, ka thënë Rexhaj për Express.
Ndërkaq, deputeti i AAK’së, Rasim Selmanaj tha se Aleanca mbetet tek propozimi i Ramush Haradinajt për president dhe se emrin e Murat Jasharit nuk e kanë diskutuar në parti.
“Ne si parti politike e kemi një qëndrim dhe e kemi një propozim tonin. Ne nuk jemi ulur për të diskutuar këtë propozim. Ne mbesim tek propozimi jonë tash varet qysh kanë me reflektu partitë tjera politike. Nuk mund të jap ndonjë konstatim për këtë çështje pasi nuk e kemi diskutu”, tha Selmanaj.
Gazeta Express ka tentuar gjatë ditës të marrë një qëndrim të shefit të Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi por që i njëjti nuk e ka hapur telefonin.
As shefi i Grupit Parlamentar të Nisma-AKR-6plus, Endrit Shala s’ka pranuar të flas për këtë çështje me arsyetimin se dikush nga zyra për media e partisë duhet të përgjigjet.
Kosova për më shumë se një muaj ka ushtrues detyre të presidentit e cila në këtë pozitë mund të qëndrojë gjashtë muaj.
Subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend kanë kohë gjashtë muaj që të zgjedhin një president të ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Deri më tani partitë politike i kanë të betonuara qëndrimet për çështjen e presidentit të ri dhe një mosunitet i tillë rrezikon zgjedhjet e reja..

Vjosa Osmani: Serbia vazhdon të paraqes qindra barriera në raport me Kosovën – po destabilizon edhe Bosnjën e Malin e Zi

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia shtiret se është pro bashkëpunimit rajonal, por një gjë të tillë nuk e praktikon asnjëherë në zbatimin e marrëveshjeve.
Tutje Osmani thotë se Serbia, në këtë mënyrë po shkakton destabilizim edhe në vendet e rajonit në Ballkan.
”Argumentet tjera kanë të bëjnë me procesin e Integrimit Europian. Një gjë duhet ta dijmë, ka një sërë iniciativash rajonale që më herët janë iniciuar, që janë bërë në mbështetje të plotë, edhe të vendeve siç është Gjermania”.
”Në procesin e Berlinit, kanë filluar disa prej këtyre iniciativave, të tjerat kanë ekzistuar edhe më herët. Problemi themelor gjithmonë ka qenë i njëjti, nuk ka qenë mungesa e gatishmërisë së Kosovës, por ka qenë mospërmbushja e obligimeve që kanë dalë nga këto iniciativa nga ana e Serbisë”.
”Pavarësisht se çfarë ka nënshkruar Serbia, qoftë në procesin e Berlinit, ata në praktikë e kanë bërë të kundërtën. Pra fakti që CEFTA kërkon që të eleminohen barrierat, kurse Serbia vazhdon të paraqes qindra barriera edhe jotarifore në raport me mallrat e Kosovës, duke krijuar kështu një disbalanc total tregtar mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo tregon se ata nënshkruajnë kot iniciativa rajonale”.
”Ata e bëjnë sa për sy e faqe, e bëjnë për të treguar se kinse janë pro bashkëpunimit rajonal përderisa në të njëjtën kohë, destabilizojnë Kosovën, destabilizojnë Bosnjën, destabilizojnë Malin e Zi dhe tentojnë të paraqiten kinse fqinj të mirë kinse nuk janë. Nuk është problemi tek mungesa e iniciativave, problemi është që në ato iniciativa ne e kemi një shtet, që bllokon gjithçka dhe i cili nuk iu përmbahet asnjërës prej këtyre premtimeve”.
”Kryeministria vet ka kërkuar që ai takim të jetë i mbyllur, nuk ka qenë kërkesa ynë, prandaj nuk do ishte në rregull të tregohej se çfarë kemi diskutuar”..

351 të shëruar , 385 raste të reja dhe 7 të vdekur nga koronavirusi në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar edhe për 385 raste të reja me koronavirus, shkruan Gazeta Express.
Gjatë 24 orëve të fundit, nga 1 mijë e 442 testime, përveç rasteve të reja janë shëruar 351 persona si dhe 7 të tjerë kanë humbur jetën.
Njoftimi i plotë:
351 TË SHËRUAR DHE 385 RASTE ME COVID-19!Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.442 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 385 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Klinë 2 raste (80, 73 vjeç), Prizren 1 rast (76 vjeç), Deçan 1 rast (86 vjeç), Gjakovë 1 rast (69 vjeç), Gjilan 1 rast (64 vjeç), Graçanicë 1 rast (73 vjeç).Numri total i rasteve pozitive është 48.337 raste nga 169.653 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.240 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 351 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 35.790 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.307. Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 153 raste, Pejë 37 raste, Podujevë 34 raste, Ferizaj 30 raste, Gjakovë 19 raste, Fushë-Kosovë 15 raste, Gjilan 12 raste Vushtrri 10 raste, Drenas 9 raste, Istog 8 raste, Klinë 8 raste, Lipjan 8 raste, Obiliq 7 raste, Mitrovicë 6 raste, Prizren 6 raste, Suharekë 6 raste, Rahovec 4 raste, Kamenicë 3 raste, Viti 3 raste, Kaçanik 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Deçan, Hani Elezit, Novobërdë, Shtime dhe Skenderaj.Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!Mbani higjienën!Respektoni distancën!

Trusti nis zbrazjen e llogarive, 10-përqindëshi ekzekutohet nga 23 dhjetori

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar të premten kontribuuesit që kanë aplikuar prej datës 11 e deri më 17 dhjetor për tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti, bazuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, se ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet më 23 dhjetor.
Në njoftimin e Trustit në Facebook s’janë bërë të ditura detaje të tjera, por llogaritë e kontribuuesve tashmë kanë nisur të zbrazen me shifrat të cilat ata kanë aplikuar për tërheqje.
Në këtë postim ka pasur shumë ankesa të qytetarëve të cilët deklaronin se shuma e tërhequr nga Trusti nuk është identike me atë që ishte paraqitur në momentin e aplikimit. Për këtë Trusti ka kërkuar që qytetarët që të presin ekzekutimin e pagesës në banka që të kontrollohet gjendja e bilancit dhe shumës përfundimtare në bankë.
Me Ligjin për rimëkëmbje, kontribuuesit që kanë më pak se 10 mijë euro në Trust në kohën e aplikimit, do të rimbursohen pas disa vitesh.

Vjosa Osmani pezullon sekretarin Driton Gashi nën dyshimin për shkelje

Ushtruesja e detyrë së presidentes, Vjosa Osmani, ka pezulluar nga puna sekretarin e Zyrës së Presidentit, Driton Gashin, me dyshimin për shkelje të rënda në detyrat e punës.
Vendimi është marrë më 15 dhjetor, bazuar në dokumentin që ka siguruar KOHA.
“Pezullohet nga puna Sekretari i Zyrës së Presidentit, z. Driton Gashi, me dyshimet për shkelje të rëndë të detyrave të punës”, thuhet në pikën pikën e parë të vendimit.
Driton Gashi para se të bëhej sekretar në Presidencë kishte qenë shef i AKI-së. Ai thotë të mos e ndiejë veten përgjegjës për asgjë në lidhje me këtë ngjarje.
“Përgjigjen zyrtare e ka dhënë Prokuroria – institucioni i shtetit – nëse unë jam përgjegjës për ndonjë veprim ose jo… Për atë çështje ka pasur një lloj hetimi preliminar”, ka thënë Gashi të enjten për KOHËN. “Në atë hetim preliminar është konfirmuar zyrtarisht që nuk ka kurrfarë përgjegjësie penale”.
Më 30 mars të vitit 2018, Ramush Haradinaj si kryeministër i kishte kërkuar Driton Gashit ta linte detyrën e kreut të AKI-së, në formë pakënaqësie për aksionin që ishte marrë në fshehtësi për kapjen dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq, me kërkesë të Ankarasë zyrtare. Në vend të tij ishte vendosur Shpend Maxhuni, një tjetër njeri i afërt me Thaçin. E në fundvitin e shkuar Maxhuni dha dorëheqje për arsye shëndetësore. Pas kësaj, Kreshnik Gashi, njeri që shihej i afërt me PDK-në, ishte bërë drejtor i AKI-së, kurse Burim Ramadani, eksponent i AAK-së, ishte emëruar inspektor i përgjithshëm..

Tahiri i PDK-së me kritika të ashpra për njerëzit në qeveri, i quan të pafytyrë e të pacipë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se është hera e parë që në Kosovë janë mbledhur më shumë se 51 iniciativa në Kuvendin e Kosovës, e që sipas tij nuk po arrijnë që të kalojnë.
“Është hera e parë që në Kuvendin e Kosovës mblidhen mbi 51 rezoluta të cilat nuk po arrijnë që ta kalojnë. Asnjëherë nuk e kemi pasur një shumicë më të dobët sesa që ka sot Kosova. Sot kemi hyrë në një ngërç si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka thënë Tahiri.
Deputeti i PDK-së ka folur edhe për veprimet e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje karshi zëvendëskryeministrit Selmanaj.
“Qeveria e ka vendin e vet aty por njëkohësisht është e papranueshme edhe fyerja apo degradimi që e ka bërë një zv.kryeministër i Kosovës dhe shpërfillja e tij si rezultat i organizatave që avokojnë për të pagjeturit në Kosovë”, ka thënë më tutje ai.
Dy fjalë Tahir i pati edhe rreth rastit të fitimit të tenderit 5 milion euro nga ministri Blerim Kuçi.
“Nuk është duke i shkarkuar ata që po abuzojnë dhe është bërë shumë normale që të merr tender 65 milion euro ministri në vendin e vet. Me një kryeministër normal gjënë e parë që do të duhej të bënte është që ri kërkojë ministrit të mos e nënshkruaj kontratën ose të ofroj dorëheqjen”, ka thënë ai.
Tahiri theksoi se njerëzit e kësaj Qeverie janë të pacipë e të pafytyrë.
“Kjo që po e shohim sot, vjedhjen qe po e shohim sot, kaq të pafytyrë, kaq të pacipë, nga këta njerëz, nga kjo Qeveri dhe vijnë pa marre dhe përballen në Kuvendin e Kosovës dhe tentojnë që të nxjerrin një temë normale kjo nuk është aspak normale”, ka deklaruar ai në T7.
“Po dyshoj që ky është pjesë e pazareve sepse në të kundërtën le të shkonte në shtëpi. Kjo që ka ndodhur sot është fyese, degraduese”, ka thënë më tutje ai.
Deputeti i PDK-së ka folur edhe për mocionin e mosbesimit të iniciuar nga VV-ja kundrejt Qeverisë “Hoti”.
“Përveç ftesave përmes zyrave televizive nuk kemi pasur ftesa të tjera. Asnjëherë nuk na kanë ftuar zyrtarisht, përveç atyre prej studiove. Interesi është për ta rrëzuar këtë Qeveri dhe për ta çuar Qeverinë në zgjedhje, interesi është për ta kthyer vendin tek qytetarët”, ka thënë ai.

Moti

Të shtunën parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga -1 deri 7 gradë Celsius. Mot i ngjashem ne Tiranë, me temperatura nga 8-18 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 48337. Të Shëruar: 35790. Të vdekur: 1240.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *