Nisma kërkon që Specialja të tregojë nëse po përgatit aktakuza edhe ndaj serbëve
Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kërkuar të dijë nga Prokuroria Speciale e Kosovës se cili është bashkëpunimi me Dhomat e Specializuara. Kjo pas deklarimeve të kryetares së saj, Ekaterina Trendafilova, se do të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime pa marrë parasysh etnisë.
Sherifi po ashtu ka kërkuar të dijë nëse Prokuroria Speciale ka dorëzuar dosjet që lidhen me krimet që janë kryer në Kosovë.
Nëse një gjë e tillë nuk është bërë, Nisma Social demokrate ka kërkuar që ky institucion ta bëjë.
“Nisma kërkon nga Trëndafilova që të sqarojnë nëse janë duke përgatitur aktakuza kundër përfaqësuesve serbë siç kanë deklaruar për trajtimin e krimeve pa dallim”, ka thënë ai. “Kërkojmë vepra dhe jo vetëm fjalë, nëse qëllimet e tyre s’janë vetëm propagandistike”.
Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, ishte në mesin e figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përmendura në aktakuzën për krime lufte ndaj krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi…
11 të vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit në Kosovë, 765 raste të reja
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1791 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 765 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 3 raste (71, 71, 69 vjeç), Prishtinë 3 raste (82, 68, 60 vjeç), Ferizaj 1 rast (50 vjeç), Gjakovë 1 rast (70 vjeç), Mitrovicë 1 rast (76 vjeç), Prizren 1 rast (77 vjeç), Vushtrri 1 rast (70 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 28.616 raste nga 117.585 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 809 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 193 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 17.055 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.752.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 290 raste, Gjilan 96 raste, Mitrovicë 61 raste, Pejë 53 raste, Fushë-Kosovë 42 raste, Lipjan 27 raste, Vushtrri 22 raste, Podujevë 20 raste, Klinë 19 raste, Skenderaj 18 raste, Viti 17 raste, Gjakovë 14 raste, Kamenicë 13 raste, Obiliq 13 raste, Malishevë 11 raste, Suharekë 9 raste, Prizren 8 raste, Drenas 7 raste, Deçan 4 raste, Ferizaj 4 raste, Istog 3 raste, Junik 3 raste, Leposaviq 2 raste, Novobërdë 2 raste, Rahovec 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Dragash, Graçanicë dhe Kaçanik.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Klinaku reagon pasi Mustafa, Gucati e Haradinaj nuk u vendosën në ekranin gjigant “Liria ka emër”
Anëtari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar pas ekranit gjigant që është vendosur në sheshin e Prishtinës, ku nën logon “Liria ka emër” janë vendosur fotografitë e Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Ai përmes një postimi në Facebook tha se liria ka emër, por jo emra të përveçëm.
“Kjo fushatë, do të duhej që të fillonte me të akuzuarin e parë komandantin Sali Mustafa – Cali, i cili nuk e ka votuar këtë gjykatë, por gjatë fjalimit të tij kërkoj që t’i zgjerohen kompetencat me qëllim që të ndjek krimet, masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar në Kosovë nga serbët dhe Serbia pushtuese”, ka shkruar Klinaku.
Ai shtoi se fushata duhej të vazhdonte pastaj me Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, e pastaj të përfundonte me Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin.
Postimi i plotë:
Liria ka emër, por jo emra të përveçëm
Organizatorët e fushatës “Liria ka emër”, të cilët në anën ballore të hotelit Grand e kanë vendosur një ekran gjigant, por edhe të tjerët që në këtë fushatë (pavarësisht se është në mbrojtje të UÇK-së), janë duke bërë padrejtësisht diskriminim duke i ndarë të akuzuarit, të cilët janë në Gjykatën e padrejtë në Hagë.
Kjo fushatë, do të duhej që të fillonte me të akuzuarin e parë komandantin Sali Mustafa – Cali, i cili nuk e ka votuar këtë gjykatë, por gjatë fjalimit të tij kërkoj që t’i zgjerohen kompetencat me qëllim që të ndjek krimet, masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar në Kosovë nga serbët dhe Serbia pushtuese.
Fushata duhej të vazhdonte me kryetarin e OVL UÇK-së, Hysni Gucati dhe me nënkryetarin e OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, të cilët nuk janë atje në burg për qëllime të tyre personale, por për të përgjithshmen, për shokët, për UÇK-në, për popullin dhe për Kosovën, sepse ata poashtu nuk e kanë votuar dhe nuk e kanë njohur këtë Gjykatë, por edhe kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta zhbëjë ose ta ndryshoj këtë Gjykatë njëetnike, e cila mund të jetë gjithçka tjetër, por veç krim nuk gjykon.
Pastaj, fushata “Liria ka emër” mund të vazhdonte me Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e Kadri Veselin.
Istogu ndez qirinj për asamblistin që vdiq sot
Qytetarë të shumtë të Komunës së Istogut janë mbledhur sot në qendër të qytetit për të nderuar Labinot Aliajn, asamblistin e PDK’së që ndërroi jetë sot.
Të pranishëm në këtë ceremoni nderimi kanë qenë edhe deputet nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputetja Ganimete Musliu ka mbajtur edhe një fjalim para të pranishmëve.
I pranishëm ka qenë edhe deputeti i AAK’së, Bekë Berish
Ende asgjë konkrete për studimin e fizibilitetit të Ujmanit
Pika më e kontestuar në Kosovë nga marrëveshja e Uashingtonit ende nuk ka nisur të zbatohet në praktikë.Studimi i fizibilitetit për Ujmanin, bazuar në këtë marrëveshje, do të kryhet nga ekspertë amerikanë të Departamentit të Energjisë “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.
Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se ky proces nuk ka nisur ende.
“Deri tash, ministrit Blerim Kuçi i është dorëzuar nga Sekretari i Departamentit të Energjisë në SHBA, një letër ku tregohet në lidhje me këtë studim, në të cilin do të marrin pjesë ekspertë nga ky departament”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit janë zotuar që të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë së SHBA-së dhe njësive tjera të Qeverisë amerikane, duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit.
“Ky grup është në proces të konsolidimit”, deklaruan nga zyra për komunikim me publikun e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, pa dhënë detaje shtesë.
Më 20 tetor, një ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi Planin e zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit, në Kosovë qëndroi një delegacion amerikan i udhëhequr nga zëvendës ndihmësi kryesor i Sekretarit për Energji të Shteteve të Bashkuara, Matthew Zais, e ku njëra nga çështjet kryesore të bisedimeve ishte studimi i fizibilitetit për Ujmanin.
Në delegacionin amerikan ishin edhe dy ekspertë, njëri i energjisë dhe njëri i ujërave, që të dy nga Laboratori Kombëtar i Paqësorit Veriperëndimor afër Siatëll.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zais pati thënë se qëllimi i vizitës ishte mbledhja e informatave dhe vlerësimeve teknike për Liqenin e Ujmanit.
“Dhe në parim, për të kuptuar mundësitë dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga shfrytëzimi i liqenit dhe tërë ajo që ofron liqeni, qoftë kjo energjia elektrike apo uji. Jemi këtu në kapacitet teknik dhe kjo është përcaktuar me marrëveshjen ekonomike në Shtëpinë e Bardhë. Dhe, sërish, ky është përkushtim. Kur isha herën e fundit, paraqita një letër nga sekretari i Energjisë, sekretari Dan Brouillette, në të cilën përfshihej ky përkushtim për studimin e fizibilitetit dhe tri javë më vonë ja ku jemi, duke e zbatuar atë”, pati thënë ai në intervistën për Zërin e Amerikës.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, pret që administrata e re amerikane megjithatë do të vazhdojë të kërkojë zbatimin e disa prej pikave, nëse jo të tërë marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Në këtë aspekt, pika që ka të bëjë me Liqenin e Ujmanit, do të vazhdojë të trajtohet edhe nga administrata e re, për shkak se është një çështje që medoemos duhet të diskutohet dhe për të cilën duhet të gjendet një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Zeka pret që Kosova dhe Serbia të angazhohen seriozisht për përmbushjen e zotimeve të bëra më 4 shtator në Uashington.
“Çfarëdo dështimi i Kosovës dhe Serbisë që të shtyjnë përpara zbatimin e pikave të marrëveshjes që ato kanë marrë përsipër, do të mund të përcillet me presion të shtuar nga SHBA-ja, por në të njëjtën kohë me mosfinancim të projekteve të përfshira në marrëveshje”, shtoi Zeka.
Ai kërkon që Qeveria e Kosovës të jetë sa më e përgatitur në këtë proces dhe të kërkojë ndihmën e profesionistëve vendorë.
Dragisha Mijaçiq, drejtor i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial, një organizatë joqeveritare në Beograd, në një deklarim për Radion Evropa po ashtu pret që administrata e re amerikane të mos tërhiqet nga ky proces.
Ai përmend edhe qëllimin e SHBA-së për ndërtimin e një termocentrali të ri, e ku siguria për ujë është qenësore.
“Ajo (SHBA-ja) nuk do të lejojë që çështja e Ujmanit dhe menaxhimit të këtij resursi strategjik, të mbetet e pazgjidhur, para se të hyjnë në këtë investim kaq të madh. Prandaj, do të ketë presion nga pala amerikane që ta zgjidhin çështjen e menaxhimit të këtij resursi, në një mënyrë apo tjetër, qoftë përmes privatizimit, ndonjë modeli të përbashkët qeveritar apo përmes koncesionit. Por, mendoj se kjo çështje do të zgjidhet shpejt”, tha Mijaçiq.
Në procesin e dialogut, Serbia kishte insistuar vazhdimisht që menaxhimi i Ujmanit të jetë në kompetencë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë të cilën e kishte refuzuar kategorikisht pala kosovare.
Ky liqe konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, “Trepça” dhe “Ferronikeli” varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit..
MOTI
Të dielen parashikohet mot i pjeserisht me diell, temperaturat do të levizin nga 1 deri 11 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-20 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 28616. Të Shëruar: 17055. Të vdekur: 809
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com