Hën. Nën 25th, 2024

NGJARJET E DITES, E SHTUNE, 27.02.2021

Në një vjetorin e vrasjes, familja e Qerim Kelmendit i kërkon këtë gjë Prokurorisë

Në një vjetorin e vrasjes së Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi, në fshatin Llabjan të Pejës, familja e të ndjerit kanë njoftuar se deri më tani, organet e drejtësisë kanë dështuar që të zbardhin këtë rast.
Familja nëpërmjet një komunikate dërguar mediave, thotë se janë thellësisht të indinjuar më mënyrën se si institucionet e drejtësisë e kanë trajtuar këtë vrasje të rëndë, përfshirë këtu Policinë dhe Hetuesinë e Pejës, Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Mënyra e ekzekutimit të Qerimit, nga Prokuroria Themelore e Pejës, fillimisht është cilësuar si vrasje shumë e rëndë, shumë profesionale dhe tepër misterioze. Rasti i vrasjes së Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi, më vonë ka kaluar në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë. Përkundër faktit se Prokuroria Speciale e Kosovës prej muajsh ka në trajtim këtë rast, deri me tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete në drejtim të identifikimit të autorëve të vrasjes dhe vënies së tyre para drejtësisë. Ne, përfaqësuesit e familjes së Qerim Kelmendit, kemi takuar dy herë prokurorin e rastit në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Haki Gecaj si dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare i jemi drejtuar me dy kërkesa zyrtare, me qëllim që të kuptojmë se në cilën fazë kanë mbërritur hetimet. Më 21 shkurt 2021, prokurorit z. Haki Gecaj, me shkrim, ju kemi drejtuar me kërkesën e dytë, përmes së cilës kemi shprehur pakënaqësinë e familjes tonë se pse edhe pas 11 muajve e 25 ditëve nuk kemi asnjë informatë apo njoftim lidhur me zbardhjen e këtij rasti. Pas kësaj letre jemi ftuar në takim nga prokurori z.Gecaj, ku fatkeqësisht, më 22 shkurt 2021, në takimin tonë të fundit jemi njoftuar se akoma nuk ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve. Duke parë këtë mungesë të seriozitetit në hetimin e këtij rasti, ne i bëjmë thirrje edhe kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi, që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në kuadër të kompetencave të tij, për të zbardhjen e kësaj vrasjeje”, thuhet në komunikatë.
Çdo dështim për zbardhjen e vrasjes së Qerim Kelmendit, sipas familjarëve është dështim i institucioneve të drejtësisë për të ofruar drejtësi viktimës si dhe familjet e tyre.
“Siç dihet botërisht, Heroi i Kosovës, Qërim Kelmendit, ishte njëri ndër ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është ushtari i parë i plagosur i kësaj ushtrie. Zbardhja e kësaj vrasje makabër duhet të jetë pikënisje për zbardhjen e vrasjeve të të gjithë Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk kursyen asgjë për atdheun e tyre”, thuhet në komunikatë..
..

Erdogan i shkruan letër Albin Kurtit, ia përmend edhe ambasadën në Jerusalem

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë disa urime nga liderë të ndryshëm të botës pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit. Dy prej më të rëndësishmeve për nga substanca, ka qenë ajo e kryeministrit të Izraelit, Benyamin Netanyahu dhe ajo e presidentit të Turiqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Netanyahu në letrën e tij ka uruar Albin Kurtin, derisa ka theksuar se e mirëpret në Izrael për ta inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem.
Por ndryshe nga kryeministri izraelit, presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, ka thënë se mirëpret qëndrimet e partisë që drejton Albin Kurti, se do të shqyrtohet vendimi i Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem.
Erdogani i ka thënë Kurtit se po të shmangej një hap i tillë do të bëhej gjëja e dobishme.
“Për më tepër, jam i kënaqur, kur mësova për qëndrimin e partisë suaj që, nëse vjen në pushtet, do ta rishikojë angazhimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Besoj se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, ka shkruar Erdogani në letrën e tij..

3 të vdekur vdekur nga Covid, 426 raste të reja dhe 205 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
205 TË SHËRUAR DHE 426 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.454 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 426 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Malishevë 1 rast (81 vjeç), Prishtinë 1 rast (59 vjeç), Prizren 1 rast (78 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 68.777 raste nga 303.652 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.595 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 205 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 59.643 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.539.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 172 raste, Pejë 36 raste, Gjakovë 32 raste, Ferizaj 27 raste, Gjilan 26 raste, Mitrovicë 20 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Prizren 13 raste, Lipjan 9 raste, Rahovec 9 raste, Deçan 8 raste, Podujevë 8 raste, Vushtrri 8 raste, Kamenicë 6 raste, Shtime 6 raste, Viti 6 raste, Drenas 5 raste, Istog 5 raste, Graçanicë 3 raste, Kaçanik 3 raste, Obiliq 3 raste, Klinë 2 raste, Skenderaj 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Junik, Malishevë dhe Suharekë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Pandemia zbeh gjasat për liberalizim të vizave, këto dy shtete ende kundër

Në kohën kur Gjermania është duke rivendosur kufirin me Çekinë dhe Austrinë për shkak të pandemisë, liberalizimi i vizave apo heqja e kufijve për vendet e treta është e paimagjinueshme, thotë drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha.
Disa shtete evropiane, në mesin e të cilave Franca dhe Holanda, mendojnë se ende nuk është momenti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në Këshillin e Bashkimit Evropian, kanë thënë se shumica e vendeve anëtare pajtohen me vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Por, sipas burimeve diplomatike, Franca dhe Holanda, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për Kosovën, thirren në mungesën e dëshmive të mjaftueshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë.
Ato mendojnë se Komisioni në raportin për Kosovën, ka bërë vlerësimin “në mënyrë tepër formale”, por këto shtete, siç kanë thënë burimet diplomatike, duan më shumë dëshmi “përfshirë edhe përmes verdikteve finale të gjykatave” për dënimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera të korrupsionit, si dhe dëshmi për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Në rastin e Francës, disa burime në Bruksel thonë se ekziston edhe frika nga rritja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova, në rast të heqjes së vizave.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha shprehet tejet skeptik se gjatë vitit 2021 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave. Në këtë, sipas tij, ndikon edhe mjedisi politik i krijuar pas pandemisë së koronavirusit.
“Disa vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mendojnë se Kosova nuk ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, respektivisht në luftë kundër korrupsionit të niveli të lartë dhe krimit të organizuar. Që nga vendosja e këtij kriteri para pesë vjetësh, Kosova ende ka zero raste të suksesshme në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë”, tha ai.
Shasha tha se edhe gjatë votimit të Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën më 23 shkurt, është vërejtur se kishte kundërshtime dhe se eurodeputetët nga radhët e partisë së presidentit francez, Emmanuel Macron, “kundërshtuan çfarëdo gjuhe që do vlerësonte se Kosova ka përmbushur kriteret dhe çfarëdo gjuhe që bënte thirrje për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
Jehona Lushaku, profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka mbetur te vendimi i Këshillit të ministrave të BE-së, ku shtetet e kanë fuqinë vendimmarrëse.
Ajo shton se shumë shtete anëtare të BE-së, janë skeptike se Kosova duhet të ketë liberalizimin e vizave dhe se skepticizmi bazohet te kriteri me rendin dhe ligjin dhe luftimin e korrupsionit.
“Këto shtet do të mund ta ndryshonin mendimin e tyre nëse Kosova do të vazhdonte të dërgonte mesazhe e statistika të sakta se si është lufta kundër korrupsionit, cili është procesi i reformimit dhe de-fakto i sistemit të drejtësisë. Me gjasë, Kosova nuk po arrin që t’i bindë këto shtete me të dhëna se këto dy kritere janë përmbushur plotësisht”, thekson Lushaku.
Lushaku thotë se edhe pse Parlamenti Evropian e ka bërë rekomandimin për liberalizimin e vizave, ende vetë ky institucion i BE-së ka hezitime lidhur me atë nëse Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat.
“Parlamenti Evropian ka skepticizmin e vetë sa i përket pavarësisë së drejtësisë, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë. E dimë se kërkesa është të ketë hetime sa më shumë, të ketë vendime sa më shumë. Korrupsioni të jetë prioritet institucional i institucioneve të rendit dhe ligjit, pa u përzier politika, por ku edhe njerëzit e politikës do të ishin subjekt i hetimeve dhe vendimeve”, tha Lushaku.
Raporti për Kosovën, i miratuar të martën, më 23 shkurt, në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian ka vërejtje se në Kosovë rastet kryesore gjyqësore kanë shkuar tepër ngadalë dhe shpesh dënimet, nëse kanë ardhur, kanë qenë të buta.
Por, shumica e vendeve anëtare të BE-së janë të mendimit se Kosova duhet ta fitojë liberalizimin sepse dukuria e korrupsionit dhe krimit të organizuar është e pranishme edhe në vende tjera që tashmë kanë liberalizim. Po ashtu, me mosliberalizimin e vizave, po vlerësohet se po dënohem më shumë qytetarët sesa ata që vërtetë janë përgjegjës për situatën e krijuar.
Autoritetet në Kosovë vitin e kaluar janë kritikuar nga BE-ja për mbylljen e Departamentit Special Anti-Korrupsion, i cili ishte pjesë e Policisë dhe kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.
Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së në Kosovë për sundimin e ligjit, EULEX.
Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian ka përmendur se Kosova është “në fazën e hershme” në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shtuar se “nuk ka vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe një përgjigje të fuqishme të sistemit juridik ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2020, i organizatës ndërkombëtare Transparency International, ka thënë se Kosova është radhitur e 104-ta me 36 pikë, duke shënuar përkeqësim në luftën e korrupsionit, meqë ka rënë për tri pozita më poshtë sesa vitin paraprak./REL.

KQZ-ja tregon se kur do të nis numërimi i votave të diasporës

Ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të votave që kanë ardhur nga jashtë vendit në Kosovë. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se pritet që nesër të filloj numërimi i votave që kanë ardhur përmes postës, së bashku me ato me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
“Po punojmë shumë që nesër gjatë ditës të mund të fillojmë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Pastaj, edhe numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postë”, ka thënë Elezi.
Më tutje ai tha se nga të dhënat preleminare gjatë procesit të vlerësimit dhe verifikimit të votave të ardhura përmes postës, janë refuzuar 20 mijë e 400 zarfe me fletëvotime.
“Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së të premtën në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt. Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe. Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në QNR”, ka thënë ai.

Moti
Të dielen parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga minus 4 deri në 10 gradë celcius. Mot me diell parashihet në Tiranë,me temperatura nga 5 deri në 22 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 68777 , Të shëruar: 59643 ,të vdekur:1595
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *