Telashe në zgjedhjen e Presidentit, ka gjasa të ndryshojë edhe lista e deputetëve të LVV-së
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës po paralajmëron telashe shtesë në zgjedhjen e presidentit të Kosovës pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese rreth procedurave në bazë të të cilave janë zëvëndësuar deputetët pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Cakolli thotë se bazuar në interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese për legjislaturën e kaluar, atëherë edhe lista aktuale e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje mund të pësojë ndryshime.
Megjithatë ai shton se për të sqaruar gjithçka duhet të pritet publikimi i plotë i Aktgjykimit.
“Bazuar në interpretimin e Gjykatës lista e deputetëve të zëvendësuar të LVV-së mund të pësojë ndryshime. Duke qenë se zëvendësimet e fundit janë bërë pikërisht mbi bazën e këtij kriteri, tashmë krijohet dilema se a duhet të vijohet me dhënien e betimit të këtyre deputetëve të zëvendësuar, apo të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë, e të kërkohet nga KQZ q të rishikohet rekomandimi i fundit”, ka shkruar ai.
Cakolli ka thënë se njoftimi i Kushtetueses do ta komplikojë edhe më tej, madje edhe ta rrezikojë zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zëvendësimin e deputetëve mbi kriterin gjinor, do t’a komplikojë, e madje rrezikojë zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit”, shton ai.
Madje ai paralajmëron se presidenti mund të bie si shkak i ndonjë vote.
“Ndryshe, rrezikohet që ndonjë votë të jetë shkaktare e kontestimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit, e madje edhe rrëzimin e tij, siç ka ndodhur me rastin e ish-deputetit Etem Arifi”, ka përfunduar ai.
Këta janë deputetët që janë zëvëndësuar dhe pritet të betohen në seancën e radhës.
AAK
Daut Haradinaj – Shemsedin Dreshaj
LVV
Donika Gërvalla Schwarz – Shqipe Isufi
Arben Vitija – Enver Haliti
Hekuran Murati – Mirsad Shkreta
Faton Peci – Gramos Agusholli
Liburn Aliu – Alban Bajrami
Arbërije Nagavci – Yllza Hoti
Hajrullah Çeko – Jahja Kokaj
Rozeta Hajdari – Gresa Bytyqi Kelmendi
Xhelal Sveçla – Hydajet Hyseni Kaloshi
KDTP
Fikrim Damka – Enis Kervan
IRDK
Elbert Krasniqi – Fridon Lala
NDS
Emilija Redžepi – Samra Ilijaz..
Baza ushtarake e FSK’së në Mitrovicë , vijnë reagime nga Beogradi
Komuna Jugore e Mitrovicës ka ndarë një truall për ushtrinë e Kosovës për të ndërtuar një bazë ushtarake në vendin e quajtur “Kodra e Cërrnushës”. Ky vend po konsiderohet si pikë strategjike, meqë shihet qartë e gjithë Mitrovica.
Megjithatë nga Serbia një lëvizje të tillë po e konsiderojnë si provokim për të frikësuar serbët që jetojnë në Kosovë.
Kështu ka thënë profesori serb i Fakultetit të Sigurisë në Beograd, Zoran Dragisiç,
“Baza e FSK-së në jug të Mitrovicës vazhdon frikësimin, presionin ndaj serbëve dhe provokimet nga Prishtina”, ka thënë ai.
“Unë e perceptoj faktin që baza më e madhe e FSK-së po ndërtohet në Mitrovicë, menjëherë pranë territorit ku jetojnë shumica e serbëve, si një lloj frikësimi dhe presioni ndaj serbëve në Kosovë”, ka shtuar tutje Dragisiç.
Marrëveshja për të pagjeturit mbetet enigmë
Familjarët e personave të pagjetur në Kosovë dhe opinioni vendor ende nuk kanë arritur të kuptojnë se cilat janë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën zyrtarët e delegacionit të Kosovës në dialogun në Bruksel, qysh në shtator të vitit 2020, kishin deklaruar se është arritur me Serbinë.
Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, patën theksuar se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet i qeverisë së tij. Por, as zyrtarët e qeverisë aktuale, nuk kanë dhënë ende ndonjë sqarim se çfarë përmbajnë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën palët në Bruksel, kishin arritur pajtim.
Makolli: Pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, nuk janë bërë publike
Sqarime lidhur me pikat, për të cilat ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve, nuk ka dhënë as kryesuesi i deritashëm i delegacionit për bisedime për çështjen e të pagjeturve në grupin punues të Kosovës, Ibrahim Makolli.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se megjithëse janë arritur pikat e pajtimit për çështjen e të pagjeturve, ato nuk do të zbatohen në rast se nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Pikat për të cilat jemi pajtuar, nuk janë bërë publike, përderisa nuk arrihet marrëveshja e përgjithshme sepse janë të paqena në qoftë se nuk ka marrëveshje të përgjithshme”, tha Makolli.
Megjithatë, më 19 nëntor të vitit 2020, në mbledhjen e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, Makolli kishte theksuar se në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për shtyllat, që janë parime, për çështjen e të pagjeturve. Sipas tij, kjo nënkuptonte krijimin e “një komisionit të përbashkët, i udhëhequr nga një i emëruar special i Bashkimit Evropian, mekanizëm ky i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”.
“Ndërkaq që mekanizmat e tjerë në terren, do të jenë po të njëjtit, të cilët kanë vepruar deri më tash. E dyta, është qasja e pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”, pati deklaruar atëherë Makolli.
Familjarët dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, pa informacion
Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, thotë se tash e rreth shtatë muaj, prej kur është thënë se është arritur pajtimi për çështjen e personave të pagjetur, as përfaqësuesit e familjarëve të tyre nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me këtë marrëveshje.
“Askush për asgjë nuk na ka informuar. Vetëm na kanë thënë që është diskutuar, por kurrfarë materiali nuk na kanë dhënë. Na thanë që më vonë do ta diskutojmë, se do ta përpunojnë materialin dhe të na e sjellin. Por, nuk na e kanë dhënë. Ata qe 22 vjet i kanë pasur të njëjtat premtime, por nuk kanë bërë asgjë”, theksoi Grajçevci.
11 të vdekur vdekur nga Covid, 873 raste të reja dhe 544 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
544 TË SHËRUAR DHE 873 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.371 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 873 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Skënderaj 3 raste (83, 74, 69 vjeç), Prishtinë 2 raste (85, 70 vjeç), Gjakovë 1 rast (79 vjeç), Klinë 1 rast (62 vjeç), Lipjan 1 rast (69 vjeç), Pejë 1 rast (76 vjeç), Prizren 1 rast (36 vjeç), Suharekë 1 rast (63 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 87.067 raste nga 410.169 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.830 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 544 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 71.813 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.424.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 372 raste, Gjilan 83 raste, Fushë-Kosovë 60 raste, Gjakovë 53 raste, Mitrovicë 51 raste, Vushtrri 42 raste, Podujevë 37 raste, Pejë 36 raste, Ferizaj 32 raste, Obiliq 18 raste, Kamenicë 15 raste, Drenas 11 raste, Prizren 9 raste, Viti 9 raste, Skenderaj 6 raste, Deçan 5 raste, Graçanicë 5 raste, Leposaviq 5 raste, Rahovec 5 raste, Junik 4 raste, Klinë 4 raste, Lipjan 3 raste, Istog 2 raste dhe me nga një rast komunat: Dragash, Kaçanik, Malishevë, Novobërdë, Shtime dhe Suharekë.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 873 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm në Prishtinë janë raportuar 372 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 11 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Cimës i jepet lamtumira e fundit
Në varrezat e fshatit Vukovc të Drenasit sot është varrosur humoristi Rasim Thaçi-Cima. Ai vdiq dje si pasojë e COVID-19, raporton T7.
Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë familjarë, kolegë e miq të tij.
Humoristi i shumë skeçeve televizive kishte disa ditë që ishte i shtrirë në spital nga COVID-19, për të cilin edhe ishte kërkuar gjak.
Skeçet me të njohura të tij janë: Treshi Përsheshi, Cimë Baushtella, Nusja nga Diaspora, Lajmi në Gurbet, Cimë kulleri te Lec katunari, Leci te mulla Cima, Cima Taxi 1, Cimë Baksuzi – Cima ne Cia, Cimë Polici etj.
Komisioni Evropian: Së shpejti vijnë vaksinat në Ballkanin Perëndimor
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen thotë se së shpejti do të arrijë vaksinat e financuara nga Bashkimi Evropian në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Përmes disa postimeve në Twitter, von der Leyen ka njoftuar se ka biseduar me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës, të cilëve u ka thënë se BE-ja është “pranë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor”, për ta tejkaluar pandeminë e koronavirusit.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nga Bashkimi Evropian do të vijë 651 mijë vaksina kundër koronavirusit të kompanisë amerikane, Pfizer.
Shtetet e rajonit tashmë kanë nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit. Vetëm Kosova ende nuk ka siguruar asnjë vaksinë kundër sëmundjes COVID-19.
Më herët, autoritetet kanë thënë se në Kosovë gjatë marsit do të arrijë kontingjenti i parë me vaksina të kompanisë britanike, AstraZeneca. Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave që Kosova do të marrë falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Moti
Gjatë dites se diele parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të lëvizin nga 1 deri në 13 gradë celcius Ne Tirane mot pjeserisht me diell poashtu , temperaturat do te levizin nga 6 deri në 16 gradë celcius .
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 87067 , Të shëruar: 71813 ,të vdekur: 1830