Die. Nën 24th, 2024

NGJARJET E DITËS SË HËNË, 31.05.2021

Palmer dhe Lajçak takohen me kryeministrin Kurti

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Mathew Palmer së bashku me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak i kanë shkuar për takim kryeministrit të Kosovës, Abin Kurti.
Palmer i cili është edhe emisar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, gjatë ditës priti në takime të ndara edhe dy liderët e partive opozitare, kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Derisa, nesër së bashku me Lajçak do të mbajnë konferencë për medie…

Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadorit jo rezident të Estonisë, Sander Soone

Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit jo rezident të Estonisë në Prishtinë Sander Soone, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe e ka falënderuar për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës.
Osmani ka shfaqur shpresën në mbështetjen e mëtejme në Estonisë në rrugën evropiane të Kosovës, duke llogaritur në mbështetjen e saj edhe në organizata e mekanizma të tjerë ndërkombëtar.
Ajo ka diskutuar edhe për vizitën e saj në Estoni në pjesën e parë të qershorit, duke e konsideruar si një mundësi të mirë për vendosjen e bashkëpunimit në shumë sfera të interesit të përbashkët, e posaçërisht në atë të modelit transformues shtetëror të teknologjisë informative në ofrimin e shërbimeve për qytetarët për të cilën gjë ky shtet njihet në nivel global.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit bilateral..

Ashpërsohet dënimi me burgim ndaj të akuzuarit për plagosjen e nipit të Ramush Haradinajt

Gjykata e Apelit ka ashpërsuar dënimin me burgim ndaj të akuzuarit Fisnik Lajqi, ku ky i fundit akuzohej për plagosjen e nipit të Ramush Haradinajt, Mustafë Ahmetxhekaj.
Dënimi me 1 vit e 8 muaj burgim efektiv dhe 800 euro gjobë ndaj Lajqit, i shqiptuar nga Gjykata Themelore e Pejës, për tentim vrasje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, është konsideruar i butë nga Gjykata e Apelit.
Kjo pasi Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë së Pejës dhe ndaj tij ka rritur dënimin me burgim në 3 vite e 8 muaj dhe 800 euro gjobë.
Një vendim i tillë është marrë nga kolegji i gjykatësve të Apelit, i përbërë nga kryetari Xhevdet Abazi, me anëtarët Afërdita Bytyqi dhe Kreshnik Radoniqi.
Deri të ashpërsimi i dënimit ndaj Lajqit, sipas Apelit ishte pasi Gjykata e Pejës, kishte shqiptuar dënim të butë duke mbivlerësuar rrethanat lehtësuese ndërsa rrethanat rënduese nuk ishin vlerësuar objektivisht.
“Kolegji vlerëson se rrethanave të shpjeguara më lart nuk u është dhënë rëndësi në përcaktimin e dënimit dhe të njëjtat ndikojnë që dënimi të jetë me i ashpër dhe jo në kufijtë minimal, kolegji konkludon se gjykata e shkallës se parë ka vlerësuar vetëm rrethanat lehtësuese, duke i mbipeshuar në përcaktimin e dënimit që ka rezultuar në një vendim mbi dënimin që nuk i përgjigjet perspektivës së arritjes se qëllimit të dënimit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës se Apelit, raporton betimipërdrejtesi.
Apeli arsyeton se edhe përkundër faktit se i akuzuari Fisnik e kishte pranuar fajësinë, ishte penduar dhe ishte pajtuar me familjen e të dëmtuarve, këto rrethana nuk justifikojnë të shqiptohet dënim i butë.
Kjo pasi sipas Apelit, Gjykata e Pejës nuk kishte vlerësuar faktin se i pandehuri kishte kryer tri vepra penale të rrezikshme, duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit Mustafë dhe duke plagosur edhe një kalimtar të rastit.
“Sipas vlerësimit të kolegjit këto rrethana janë mbivlerësuar sidomos në lidhje me të akuzuarin F.L., ndërsa rrethanat rënduese nuk janë vlerësuar sa duhet kur kihet parasysh fakti se i akuzuari F.L. ka kryer tri vepra penale, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë dhe me kapacitet për dëm serioz për jetën dhe shëndetin e njerëzve, duke shtënë me revole tri herë në ambient të jashtëm në të dëmtuarin M.A. të cilin e ka goditur me dy plumba dhe i ka shkaktuar lëndime të renda trupore, ndërsa një predhë e ka goditur kalimtarin e rastit T.Q. dhe i ka shkaktuar lëndime të renda trupore”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Kurse pretendimet e mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Gëzim Kollqaku se gjykata e shkallës së parë nuk kishte vlerësuar faktin se i mbrojturi i tij kishte qenë i provokuar nga i dëmtuari, Apeli këtë pretendim e ka cilësuar si të përgjithësuar duke e refuzuar si të pabazuar.
Ndërsa për të pandehurin Demokrat Lajqi i cili për shkak të veprës së sulmit është dënuar me 200 euro gjobë nga Gjykata e Pejës, Apeli këtë dënim e ka marrë si të vërtetuar.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 4 mars 2021 kishte shqiptuar dënim me burgim efektiv ndaj të pandehurit Fisnik Lajqi për veprën penale të tentim vrasjes, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i pandehuri Lajqi për tentim vrasje ishte gjykuar me 15 muaj burgim, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm 10 muaj burgim, dhe 800 euro gjobë për armëmbajtje paleje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hoxhaj refuzoi takimin me Lajçakun, analisti tregon arsyet

Ushtruesi i detyrës së PDK-së, Enver Hoxhaj e ka refuzuar takimin me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçkun.
E lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se refuzimi i këtij takimi është i qëllimshëm ndaj qëndrimeve të ndryshme të Lajçakut.
Ai thotë se Kurti në krye të Qeverisë, Biden në SHBA, si dhe pjesëmarrja e SHBA-së në dialog, kanë bërë që Lajçaku të ndryshojë mendimin lidhur me dialogun e që janë në dobi të Kurtit.
“Refuzimi i takimit të Enver Hoxhajt me përfaqësuesin e BE-së për dialog me Serbinë, Mirosllav Lajçak, është e qëllimshme e protestuese ndaj qëndrimeve të ndryshme të Lajçakut kundruall takimeve dialoguese të Thaçit me Vuçiqin. Ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës, zgjedhja e presidentit të ri, Biden, në SHBA, pjesëmarrja e SHBA-së gjatë dialogut Kosovë-Serbi në krye me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit, Matthew Palmer, ka ndryshuar rrjedhën e dialogut në të mirë të Albin Kurtit e Kosovës, këto kahje diplomatike kanë detyruar Lajçakun të ndryshojë mendimin e dialogut me Serbinë në dobi të Albin Kurtit e kundër ideve të mëparshme të Thaçit e Vuçiqit për shkëmbime territoresh”, theksoi Mehazi.
Më tej, ai shtoi se kahja politike e Lajçakut drejt Kurtit si dhe inatet politike të PDK-së, kanë bërë që Hoxhaj të refuzoj takimin me Lajçakun, por pranoi të takohej me Palmer dhe Kosnett, pra e gjitha kjo për shkak të inateve politike ndaj Kurtit.
“Pra, kahja politike e Lajçakut drejt Albin Kurtit e kundër ideve të mëparshme dialoguese të Thaçit me Vuçiqin kanë revoltuar PDK-në e Thaçit dhe të Hoxhajt për ta refuzuar takimin me Lajçakun. Në njërën anë Hoxhaj me duar hapur pranon zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Phlilip Kosnett për të marrë poenë politike, në anën tjetër mohon takimin me Lajçakun, përse? Po për shkak të inateve politike ndaj Kurtit, marrëdhëniet e mira e pozitive të përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak me Albin Kurtin kanë hidhëruar PDK-në, ky hidhërim i Hoxhajt ndaj Lajçakut shprehet me anë të refuzimit të takimit me Lajçakun”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”…

184 të shëruar dhe 5 raste me Covid-19

Njoftimi i Plotë nga IKSHPK

ASNJË RAST I VDEKJES, 5 RASTE POZITIVE DHE 184 TË SHËRUAR NGA COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 2.007 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 5 raste pozitive.
Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Numri total i rasteve pozitive është 107.410 raste nga 611.357 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.243 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 184 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 102.966 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.201.
Rastet pozitive janë nga komunat: Fushë-Kosovë, Gjilan, Mitrovicë, Obiliq dhe Prishtinë, secila me nga një rast.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Ajet Potera i Vetëvendosjes e quan Ramush Haradinajn komandantin e parë të tij

Ajet Potera nga Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar sot një medalje nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj e ka vlerësuar lart veprën e Poterës duke kujtuar rikthimin e tij nga mërgimi për angazhimin në UÇK.
“Menjëherë pas fillimit të Luftës Çlirimtare, me 17 mars 1998, Ajet Potera u kthye nga mërgimi me grupin e Xhelal Hajdes – Tonit dhe u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fati e deshi që Ajeti të plagoset rëndë në Baballoq, si bashkëluftëtar i imi në ZO të Dukagjinit. Sot, me motivacionin për kontribut në çështje kombëtare, i kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, në shenjë mirënjohje për sakrificën e tij për lirinë e vendit” shkruan Haradinaj në njoftim.
Ndërkaq, Potera e ka quajtur Haradinajn si komandantin e parë të tij.
“Sot pranova një mirënohje nga Komandanti im i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z. Ramush Haradinaj” shkruan Potera në Facebook.
Ish-kandidati për kryetar të Podujevës nga Vetëvendosje, Ajet Potera para pak ditësh ka shfaqur pakënaqësinë ndaj Vetëvendosjes duke thënë se “ne po votojmë, e ata po përfitojnë”…

Kuvendi i Shqipërisë do të votojë për shkarkimin e Metës më 9 qershor

Kuvendi i Shqipërisë vendosi të hënën që të mbajë një seancë të jashtëzakonshme më 9 qershor, për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Një komision hetimor ka konstatuar javën e kaluar se Meta ka shkelur 16 nene të Kushtetutës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit dhe se ai duhet të shkarkohet një vit përpara se t’i përfundojë mandati.
Hetimet janë kërkuar nga 49 ligjvënës të Partisë Socialiste në pushtet, të cilët kanë argumentuar se Meta nuk e ka përmbushur detyrën kushtetuese për garantimin e unitetit kombëtar përpara zgjedhjeve, duke anuar kah opozita.
Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet e 25 prillit, duke siguruar 74 nga 140 ulëset e Parlamentit.
Për shkarkimin e Metës duhen dy të tretat e votave dhe socialistët nuk i kanë numrat për ta arritur këtë prag.
Por, nëse ligjvënësit votojnë për largimin e Metës nga zyra, miratimin përfundimtar duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë brenda tre muajsh.
Meta thotë se Kuvendi është në një periudhë tranzicioni pas zgjedhjeve dhe për këtë arsye nuk ka të drejtë të kryejë veprimtari të tilla hetimore.
Meta e ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama – i cili vjen nga Partia Socialiste – për “regjim kleptokratik” dhe për përqendrimin e të gjitha kompetencave legjislative, administrative dhe gjyqësore në duart e tij.
Presidenca e Shqipërisë është kryesisht ceremoniale, por ka disa kompetenca mbi gjyqësorin dhe forcat e armatosura..

Parashikimi i motit:

Gjatë ditës së martë parashikohet mot pjesërisht me diell pasta me vranesira dhe mundesi per te reshura shiu dhe bubullima,temperaturat do të lëvizin nga 6 deri në 15 gradë celcius, Mot pjeserisht me diell në Tiranë me temperatura nga 10 deri në 23 gradë celcius.

Covid-19 në Kosovë: Total Raste: 107.410 , Të Sheruar: 102.966 , Të vdekur: 2.243 ,Raste aktive: 2.201
www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *