Mbyllen gërmimet në Kizhevak, bëhet thirrje për hapjen e arkivave ushtarake në Beograd
Në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës sot është përmbyllur procesi i gërmimeve.
Në këtë lokacion janë gjetur dhjetë trupa, ndërkohë që vetëm në fazën e dytë të gërmimeve të vazhduar më 5 maj janë gjetur shtatë prej tyre. Për të njëjtit priten analizat e ADN-së, por që kjo varrezë masive ndërlidhet me atë të Rezallës.
Përkundër fakteve të fshehjeve të krimit, asnjë person nuk është i dënuar. Kosova po kërkon përgjigje për 11 lokacione të tjera, ku dyshohet për trupa të kosovarëve, të cilët u vranë, masakruan dhe u zhdukën.
Po ashtu, nga Kizhevaku, delegacioni i Kosovës ka kërkuar edhe hapjen e arkivave ushtarake në Beograd.
Kjo varrezë masive është zbuluar me ndihmën e fotografimeve të Kryqit të Kuq, ku për muaj të tërë kanë qëndruar ekspertë nga Kosova të cilët kanë marrë pjesë gjatë procesit të zhvarrimit të mbetjeve mortore.
Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Kosovë, ka vizituar sot lokacionin e varrezës masive në Kizhevak. Në mbyllje të gërmimeve, kryetari i delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli tha se në këtë lokacion janë gjetur trupat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar, e të cilët janë sjellë në këtë lokacion me qëllim të fshehjes së gjurmëve.
Makolli: Në Serbi gjenden 16 varreza masive
“Vazhdojmë të kemi edhe mbi 1600 persona të zhdukur, për fatin dhe vendndodhjen e cilës nuk dihet. Angazhimet tona do të jenë edhe në të ardhmen që të mësojmë sa më tepër, përkitazi me vendndodhjen e tyre. Në këtë kuadër kemi edhe një numër të lokacioneve të dyshuara edhe brenda Serbisë, që besojmë se do të trajtohen javëve dhe ditëve në vijim. Sikurse është bërë publike nga ana e zyrtarëve serbë, thuhet që në brendësi të territorit të Serbisë gjenden 16 varreza masive me trupa të vrarëve dhe të masakruarve. Ndërkaq, ky është lokacioni i pestë ku është gjetur varreza masive. Pra, kërkojmë përgjigje edhe për 11 lokacione të tjera. Në të cilën mund të gjenden trupat e të vrarëve”, ka thënë Makolli.
Makolli tha se kjo varrezë ndërlidhet me varrezën masive të zbuluar në vitin 2014 nga cila janë identifikuar 54 trupa nga fshati Rezallë i komunës së Skenderajt.
Makolli: Janë identifikuar viktima që i takojnë masakrës së Rezallës
“Në dy identifikime që janë bërë deri më tash, janë identifikuar viktima që i takojnë masakrës së Rezallës. Ndërkaq vazhdojnë të mbesin edhe më tutje një numër i tyre të zhdukur. Pra, nga kjo që mësojmë këtu vërehet që ka pasur një planifikim të mirë të autoriteteve jo vetëm për vrasjen e masakrimit të viktimave, por edhe zhdukjes së kufomave. Dhe kjo dëshmon shumëfish me vetë faktin që janë sjellë brenda territorit të Serbisë. Kemi lokacione në Kosovë që edhe më tutje na mungon një numër i të zhdukurve. Na bën të mendojmë që edhe më tutje ka trupa në këto lokacione. Por kjo varrezë është e ndërlidhur me masakrën në regjionin tonë, Drenicë, konkretisht në fshatin Rezallë”, ka deklaruar ai.
Makolli nga Kizhevaku i Serbisë ka kërkuar nga autoritetet serbe që sa më parë të tregojnë për vendndodhjen e trupave të të pagjeturve.
Makolli: Është kryer krim i trefishtë
“Prapa nesh është lokacioni në të cilin janë gjetur trupat, ndaj të cilëve, është bërë krim i trefishtë, së pari duke i vrarë e masakruar. Krimi i dytë duke i zhvarrosur dhe bartur në këtë pjesë. Dhe krimi i tretë fshehja për 22 vjet me radhë e trupave të të vrarëve dhe masakruarve, sikur e thashë me qëllim të fshehjes e gjurmëve të krimit”, tha ai.
Makolli u ka bërë thirrje kolegëve nga Beogradi që të ndihmojnë në mbledhjen e informatave. Po ashtu, ka bërë të ditur që ende askush nuk ka dalë para drejtësisë për këto krime.
Ai ka kërkuar edhe hapjen e arkivave ushtarake në Beograd, që të dihen lokacionet e mbi 1600 personave që tash e më shumë se dy dekadave nuk dihet gjë për ta.
Makolli: Të hapen arkivat në Beograd
“Hapja e arkivave ushtarake në Beograd do të na mundësojë qe të gjejmë nëse jo gjithë, shumicën e personave të vrarë dhe lokacionet ku ata gjenden. Sepse edhe vrasjet po edhe bartja e kufomave e pastaj fshehja e tyre shihet që ka ndodhur me urdhrin e kreut më të lartë shtetëror. Pra, informatat e besueshme gjenden në arkivat ushtarake. Dhe në momentin kur ato do hapen për opinionin apo për neve si mekanizma në hulumtimin e fatit të personave të pagjetur, atëherë do të kemi shumë të lehtë t’i lokalizojmë. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në kryerjen e këtyre krimeve duhet të përballen me drejtësinë dhe duhet të marrin dënimin e merituar. Ani pse jemi në kohë të vonuar, por megjithatë nuk do të ketë asnjëherë qetësi për familjet, përderisa përgjegjësit nuk përballen me drejtësinë. Numri i atyre që kanë kryer këto krime është i madh”, tha ai.
Kryetari i delegacionit të Serbisë, Velko Odaloviq ka treguar për ecurinë e gërmimeve në Kizhevak, duke thënë se do të vazhdojnë kërkimet, por se për këtë iu nevojiten informacione konkrete.
Odaloviq: Familjet meritojnë informacion
“Ne e vlerësojmë që familjet meritojnë informacion nga të dy anët në mënyrë identike, ajo që është e rëndësishme të dini është se javën e kaluar, me kërkesë të një familje nga Rezala, ne i lejuam anëtarët e familjes të ishin këtu në këtë vend, ata vizituan vendndodhjen, kështu që ne donim ta plotësonim kërkesën e tyre. Ne nuk kemi asnjë arsye për të fshehur ose mos lejuar ndonjë gjë në këtë kohë. Ne duam që i gjithë ky proces të zhvillohet në një mënyrë të tillë që thjesht të rivendosim besimin së pari te mekanizmi i grupit të punës, por gjithashtu t’u japim familjeve sa më shumë përgjigje sepse 1639 njerëz janë ende të pa gjetur nga Kosova, dhe kjo është diçka që, përkundër gjithçka që kemi bërë deri më tani, është shqetësuese”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka treguar për numrin e trupave që janë gjetur në këtë varrezë masive.
Gërxhaliu: Janë dhjetë të gjetur në total
“Vitin e kaluar, më 16 nëntor kemi hasur në mbetjet e para kockore. Janë gjetur apo identifikuar dy raste të reja dhe një ribashkim, i cili ndërlidhet me gjysmën e trupit i cili është dorëzuar me vitin 2015 në rastin e Rudnicës. Kjo ka qenë indikatori që mund t’i takojnë regjionit të Rezallës. Ndërsa, në fazën e dytë, e cila ka filluar më 5 maj dhe sot po mbyllet zyrtarisht janë minimum shtatë persona për të cilit duhet t’i presim analizat e ADN-së. Janë nëntë trupa dhe një ribashkim, në total dhjetë persona”, tha Gërxhaliu.
Në territorin e Serbisë, në katër lokacione të tjera janë zbuluar varreza masive me trupat e mbi 940 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në vitin 1999. Tash e pesë vjet në Kizhevak të Rashkës janë kërkuar mbetjet mortore të personave që u vranë e zhdukën gjatë luftës.
Lajçak takohet me Palmerin, flasin për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor
I Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka takuar Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer.
Lajçak ka shkruar në Twitter se ka mirëpritur shokun e mirë Palmer me të cilin ka folur për dialogun.
“I gëzuar që mirëprita shokun tim të mirë, Matthew Palmer në Bruksel sot.
S’ka qenë surprizë që ne biseduam për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun”, ka shkruar Lajçak..
Abdixhiku flet pas takimit me Kurtin, tregon ofertën që ia bënë për dialog
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur në takimin me kryeministrin Albin Kuri kanë biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.
Abdixhiku tha se ka kërkuar nga kryeministri që të tregojë pozicionin dhe qëndrimin e Qeverisë për dialogun.
Ai theksoi se për Kurtin kanë pasur edhe një qartësim për sa i përket çështjes së dokumenteve të dialogut.
Abdixhiku bëri të ditur se Kurtit i kanë dorëzuar edhe një ofertë me qëndrimin politik të LDK-së për këtë proces.
“Biseduam për çështjen e dialogut. Kryeministri na njoftoi për qëndrimin e tij për këtë proces dhe për pritjet. Ne e bëmë që ka të bëj e dokumentet që janë dorëzuar tek kryeministri, nga qeveria e kaluar. I rikonfirmuam edhe një herë që të gjitha dokumentet që i ka pasur qeveria e kaluar i janë dorëzuar kryeministrit. Nëse nuk i kanë ose i kanë humbur le t’i kërkojnë sërish”.
“E bëmë një kërkesë që qeveria të tregojë pozicionin politik dhe ta prezantojë në Kuvend. Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi i qeverisë në dialog dhe po presim një pozicionim të tillë”.
“E bëmë një ofertë ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Kryeministri e ka një dokument, pozicionin politik të LDK-së që duhet ta trajtojë në dialog në Bruksel. Ky dokument përmban parime që Kosova duhet t’i mbroje”.
Abdixhiku tha se kryeministri përveç për reciprocitetin, ka ndryshuar qëndrim edhe për disa çështje të tjera.
“E vërejta që kryeministri jo vetëm për temën e reciprocitetit por edhe për shumë tema të tjera ka ndryshuar qëndrim në dialog. Është koha e tij që të dëshmojë veten dhe Kosovën në këtë proces”.
“Gjitha pozicionet jona janë për të reciprocitetit, kërkim faljes, dialogut të brendshëm para atij të jashtme. Tani janë edhe pozicione të ridizajnuara të kryeministrit”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që të tregojë pozicionin dhe qëndrimin e qeverisë për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
I pari i LDK-së theksoi se për Kurtin kanë pasur edhe një qartësim për sa i përket çështjes së dokumenteve të dialogut, për të cilat Kurti po pretendon se nuk i ka marrë të tëra nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.
“Sot e mbajtëm takimin e parë së bashku me nënkryetarin e partisë, z.Lutfi Haziri me kryeministrin Kurtin dhe zëvendësin Bislimi. Biseduam për çështjen e dialogut. Kryeministri na njoftoi për qëndrimin e tij për këtë proces dhe për pritjet. Ne e bëmë që ka të bëj e dokumentet që janë dorëzuar tek kryeministri, nga qeveria e kaluar. I rikonfirmuam edhe një herë që të gjitha dokumentet që i ka pasur qeveria e kaluar i janë dorëzuar kryeministrit. Nëse nuk i kanë ose i kanë humbur le t’i kërkojnë sërish”, deklaroi Abdixhiku.
Më tutje ai bëri të ditur se Kurtit i kanë dorëzuar edhe një ofertë me qëndrimin politik të LDK-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“E bëmë një kërkesë që qeveria të tregojë pozicionin politik dhe ta prezantojë në Kuvend. Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi i qeverisë në dialog dhe po presim një pozicionim të tillë”, deklaroi ai.
“E bëmë një ofertë ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Kryeministri e ka një dokument, pozicionin politik të LDK-së që duhet ta trajtojë në dialog në Bruksel. Ky dokument përmban parime që Kosova duhet t’i mbroje”, ka thënë ai. ..
Të enjten seancë në Kuvend, publikohet rendi i ditës
Të enjten do të mbahet seancë plenare në Kuvend me fillim nga ora 10:00.
Në Seancë do të jenë disa pika të rendit të ditës. Do të shqyrtohet Raporti vjetor i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, e do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Bordit të RTK-së. Po ashtu edhe do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Ndër tjera do të ketë edhe debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në gjendjen e pandemisë.
Rendi i ditës
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
4. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2020,
5. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
6. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media,
7. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,
8. Debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19..
152 të shëruar dhe 44 raste me Covid-19
Njoftimi i Plotë nga IKSHPK
ASNJË RAST I VDEKJES, 44 RASTE POZITIVE DHE 152 TË SHËRUAR NGA COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 2.840 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 44 raste pozitive.
Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Numri total i rasteve pozitive është 107.313 raste nga 599.859 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.241 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 152 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.877 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.195.
Rastet pozitive janë nga komunat: Lipjan 8 raste, Vushtrri 7 raste, Prishtinë 6 raste, Gjilan 4 raste, Pejë 3 raste, Drenas 2 raste, Malishevë 2 raste, Obiliq 2 raste, Podujevë 2 raste, Prizren 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat Ferizaj, Klinë, Mitrovicë dhe Skenderaj.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!!
Holanda zotohet të shtoj intensitetin në avancimin e FSK-së
Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve mike në Kosovë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj priti sot në takim, ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.
Me këtë rast, ambasadorja Lobbezoo e uroi ministrin Mehaj për detyrën dhe i dëshiroi suksese në punën e tij duke theksuar interesimin e Qeverisë së Holandës që bashkëpunimi në mes dy vendeve edhe në fushën e mbrojtjes të vazhdojë me intensitet të shtuar drejt avancimit të mëtejmë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Nga ana e tij, ministri Mehaj e falënderoi ambasadoren Lobbezoo për mbështetjen e qeverisë holandeze me ministrinë dhe forcat e saj ushtarake për të arriturat e deritashme dhe theksoi nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit në përputhje me interesat e përbashkëta të dy ministrive dhe ndikimit të tyre në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë..
Tronditet Italia, frenat e teleferikut u çaktivizuan qëllimisht, vdiqën 14 vetë
Tre persona janë arrestuar në Itali lidhur me incidentin tragjik në linjën e teleferikut që iu mori jetën 14 njerëzve.
Hetuesit njoftuan se frena e emergjencës ishte çaktivizuar qëllimisht për të shmangur ndërprerjen e aktivitetit.
Përgjegjësit, presidenti i firmës menaxhuese, inxhinieri kryesor dhe kreu i shërbimit mbikëqyrës kanë pranuar fajin dhe se ishin në dijeni të problemeve.
“Bëhet fjalë për një zgjedhje të vetëdijshme për arsye ekonomike. Impjanti nuk duhej vënë në punë”, u shpreh prokurorja Olimpia Bossi.
Prokurorja e çështjes tha se sistemi frenues paraqiste anomali të shumta dhe se linja kishte nevojë për një ndërhyrje më radikale me një pezullim të punës, ndoshta për shumë kohë.
Për çaktivizimin e tyre ishte përdorur një pirun. Sipas zyrtarëve të transportit lokal, dështimi në mekanizmin e emergjencës bëri që kabina të udhëtojë me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë në momentin kur kavoja u këput, raporton cnn.
Kabina ra më pas në një lartë prej 20 metrash në malin Mottarone afër liqenit Maggiore në veritë Italisë. I vetmi i mbijetuar i tragjedisë është një 5-vjeçar.
“Operacioni i rizgjimit ka nisur dhe përgjigja e vogëlushit Eitan është pozitive me disa lëvizje dhe frymëmarrje spontane. Po vijojmë me shumë kujdes dhe qetësi pasi situata klinike e fëmijës mbetet kritike”, u shpreh Giovanni La Valle, drejtori i shëndetësisë në Torino.
Akuza ndaj 3 të arrestuarve është vrasje të pavullnetshme dhe neglizhencë.
Parashikimi i motit:
Gjatë ditës së enjte parashikohet mot pjesërisht me diell,pastaj vranesira dhe mundesi per te reshura shiu dhe bubullima temperaturat do të lëvizin nga 12 deri në 25 gradë celcius, Mot pjeserisht me diell në Tiranë me temperatura nga 12 deri në 27 gradë celcius.
Covid-19 në Kosovë:
Total Raste: 107.313 , Të Sheruar: 101.877 , Të vdekur: 2.241 ,Raste aktive:3.195
www.rtvarberia.com