Mër. Tet 30th, 2024

NGJARJET E DITËS SË PREMTË, 04.06.2021

Certifikohen snajperistët e FSK-së dhe të policisë së Kosovës

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, sot në poligonin e Policisë së Kosovës u mbajtë ceremonia e certifikimit të përbashkët të pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës me rastin e përfundimit të suksesshëm të trajnimit për snajperë.
Në ceremoninë përkatëse, të pranishëm ishin komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, të cilët ndanë certifikatat për personelin e trajnuar. Me këtë rast, gjeneral Rama dhe drejtori Mehmeti vlerësuan lartë angazhimin e përbashkët në mes dy institucioneve dhe u zotuan për bashkëpunim dhe koordinim edhe në të ardhmen në fushat e interesit të përbashkët.
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës bashkëpunimin e tyre po e realizojnë me aktivitete konkrete dhe me angazhime e trajnime të përbashkëta në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e taktike.
Ngritja e kapaciteteve profesionale dhe taktike është prioritet i FSK-së. Nga sot FSK-së i shtohen kuadro specialistike, mirë të përgatitura nga instruktorë të Policisë së Kosovës edhe në këtë fushë shumë të rëndësishme operacionale.

Hoxhaj godet Kurtin: I është nënshtruar Serbisë dhe Vuçiqit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot gjatë zyrtarizimit të kandidaturës së Agim Aliut për kryetar të komunës së Ferizajt kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti për mashtrimin që po u bën qytetarëve të Kosovës.
Hoxhaj tha se Kurti dhe vartësit e tij janë mohues të lirisë e pavarësisë, të cilët për 20 vjet kanë akuzuar të tjerët për tradhëti, sidomos Presidentin Hashim Thaçin dhe kryetarin Kadri Veselin, sa herë që Kosova ka dashur ta mbyllë marrëveshjen me Serbinë.
“Mos e takoni Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia për krimet gjenocidiale në Kosovë dhe pa i kthyer të pagjeturit, thoshte Albin Kurti.E sot jo vetëm po e takon pa ndodhur asnjëra nga këto, por ai i është nënshtruar Serbisë dhe Vuçiqit pa kushte dhe po e përgatitë ndarjen e Kosovës. E këtij mashtruesi do t’i themi ndal kur të vjen koha.”, theksoi Hoxhaj.
Ai tha se këtë klimë të urrejtjes dhe modelin e mashtrimit e të rrënimit e ka krijuar Albin Kurti, i cili çdo ditë po zhgënjen edhe votuesit më besnik të tij duke u shfaqur qesharak kur po i arsyeton pa fije turpi punësimet familjare e nepotike.
“Çka bënë daja për nipin? E shtin në punë. Ky është model i kësaj qeverie ku fatkeqësisht është provuar në komunat si Prizreni dhe Prishtina e do ta përjetojmë edhe në nivel qëndror së shpejti.”, tha Hoxhaj.”.

Vuçiq me tone kërcënuese drejt Kosovës: Mos bëni lojra…

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka folur sot për dialogun me Kosovën, pas takimit me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perendimor, Mathew Palmer dhe emisarin special të BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak.
Vuçiq thotë Serbia po përballet me ditë të vështira dhe theksoi se shpreson që, siç tha ai, të tregojë mençuri në bisedime.
“Unë jam duke shkuar në Bruksel për bisedime me shqiptarët, shpresoj se do të kemi mjaft mençuri dhe mbështetje për të bërë gjëra të mira për vendin tonë,” tha Vuçiç në fjalimin e tij për publikun.
Vuçiq tha se ai bisedoi me Lajçak dhe Palmer për faltoret serbe në Kosovë dhe për situatën me energjinë elektrike në veri, duke paralajmëruar reagim të ashpër të serbëve nëse dikush do të provojë të bëj lojra me këto çështje.
“Ne biseduam për vendet e shenjta, për Valacin, situatën e energjisë elektrike dhe pozicioni im ishte shumë i qartë. Shpresoj se dikush nuk do të luajë me stabilitetin e rajonit për atë çështje, sepse reagimi i popullit serb, në Kosovë dhe kudo, do të ishte jashtëzakonisht i fortë. “dhe askujt nuk i duhet kjo,” tha Vuçiç kur u pyet nëse ka folur me Lajcakun dhe Palmerin rreth mbrojtjes së kishave dhe manastireve serbe..

Konjufca vizitën e parë si kryeparlamentar e bën të hënën në këtë shtet

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, të hënën, më 7 qershor, do të realizojë vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë qëndrimin në Tiranë, kryekuvendari Konjufca do të takojë krerët më të lartë institucionalë të Shqipërisë.
Ai do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryekuvendarin Gramoz Ruçi dhe kryeministrin Edi Rama.
Njëherësh kjo është vizita e parë zyrtare jashtë vendit e Konjufcës, në cilësi të kryetarit të Kuvendit..

1 i vdekur ,147 të shëruar dhe 7 raste me Covid-19

Njoftimi i Plotë nga IKSHPK

04 Qershor 2021: Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon:
ℹ Në 24 orët e fundit janë dhënë 2.915 doza të vaksinës kundër COVID-19.
ℹ Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 75.553 doza të vaksinës.
ℹ Nga 2.295 testime, 7 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
ℹ Gjatë 24 orëve të fundit, është shënuar 1 rast i vdekjes.
ℹ Sot janë shëruar 147 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 103.711.
ℹ Në total numri i rasteve aktive është 1.511.
➡ Të dhënat e detajuara mund të i gjeni në linkun:
https://datastudio.google.com/…/2e546d77…/page/MT0qB
Mbani maskat!
Respektoni distancën!
Mbani higjienën!

Tahiri i LDK-së fillon përgatitjet për zgjedhjet e reja, prezanton aderimin më të ri

Ditë më parë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook e ka zyrtarizuar Xhafer Tahirin si kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë.
E, ky i fundit ka filluar tashmë përgatitjet për zgjedhjet e reja,
Tahiri sot ka prezantuar Fitore Zekollin, fizioterapeute, njohëse e 5 gjuhëve të huaja, që është bashkuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ja shkrimi i tij:
Fitore Zekolli, fizioterapeute, njohëse e 5 gjuhëve të huaja, sot është bashkuar në rrugëtimin tonë për Vushtrrinë + 4.
Ajo punon në sektorin privat dhe ka një vizion të qartë dhe energjinë e duhur për vazhdimin e ndryshimit në qytetin që e duam!
Fitorja do të jetë pjesë e ekipit tonë fitues në zgjedhjet lokale 2021.
Faleminderit…

Gani Geci dënohet me burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vite e 6 muaj burgim lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.
Sipas aktgjykimit të shpallur të premten, nga gjykatësi Radosllav Markoviq, Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të rëndë, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.
Ndaj tij u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv.
Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Geci u ngarkua edhe me shpenzimet procedurale në shumën prej 400 euro, paushallin gjyqësor në shumën prej 250 euro, si dhe shumën prej 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit. Të gjitha këto pagesa duhet t’i kryejë në afat prej 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.
Kurse, pala e dëmtuar për kërkesën pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.
Gani Geci akuzohej edhe për veprën e përdorimit të armës. Mirëpo, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për këtë vepër.
Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.
Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.
Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.
“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.
Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.
Sipas aktakuzës, Gani Geci e kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.

Parashikimi i motit:

Gjatë ditës së shtune parashikohet mot pjesërisht me diell ,temperaturat do të lëvizin nga 11 deri në 26 gradë celcius, Mot pjeserisht me diell në Tiranë me temperatura nga 16 deri në 29 gradë celcius.

Covid-19 në Kosovë: Total Raste: 107.456 , Të Sheruar: 103.711, Të vdekur: 2.244 ,Raste aktive: 1.511
www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *