Die. Nën 24th, 2024

NGJARJET E DITES SE SHTUNE 03.07.2021

Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së, vjen reagimi i parë nga LDK-ja

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar pas zgjedhjes së Memli Krasniqit kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Bajram Gecaj i LDK-së, me anë të një postimi në Facebook uroi Krasniqin, duke vlerësuar se tashmë u bë më mirë se që ishte për PDK-në.
“Më mirë se ç’ishte … urime pozita e Kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, djali i mikut tim dhe njërit nga themeluesit e LDK-së!”, shkruan Gecaj.
Krasniqin e uruan për postin e ri bashkëpartiakët e tij, por edhe disa anëtarë të partive të tjera.

Mbyllet afati i aplikimit në Vetëvendosje për kandidim për kryetarë komunash

Afati për paraqitjen e kandidaturave për kryetar komune brenda Lëvizjes Vetëvendosje është mbyllur këtë të shtunë në ora 17:00.
Kjo është konfirmuar nga Zyra për Media e Vetëvendosjes.
Arlind Manxhuka nga ky departament ka thënë se nuk e dinë numrin e saktë e aplikacioneve të paraqitura.
“Me siguri se nëpër të gjitha komunat ka të paraqitur kandidatë”.
Afati për paraqitjen e aplikacioneve për kandidaturë brenda VV-së ka qenë i hapur nga 1 deri më 3 korrik.

Presidentja Osmani takoi senatoren amerikane,

Presidentja Vjosa Osmani u takua sot me senatoren e Iowa-s në Senatin e SHBA-së Joni Ernst, me të cilën bisedoi për raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve mike dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të cilin Kosova e ka me shtetin e Iowa-s.
Osmani e falënderoi senatoren Ernst për kontributin e saj në promovimin e shtetësisë së Kosovës dhe u shpreh shumë e lumtur që dy vendet tona po e thellojnë dita-ditës bashkëpunimin në shumë fusha.
“Përkrahja që shteti i Iowa-s, Garda Nacionale e këtij shteti i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës është e jashtëzakonshme. Falë mbështetjes suaj, FSK-ja sot po shndërrohet në forcë të armatosur, të përgatitur profesionalisht, e gatshme për t’i shërbyer ruajtjes së paqes”, tha Osmani.
Sipas saj, se partneriteti të cilin dy vendet tona e kanë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin e përbashkët për demokraci po thellohet vazhdimisht dhe ne presim që ai të zgjerohet në shumë fusha.
“22 vjet më parë ushtarët tuaj i shpëtuan jetët tona. 22 vjet më pas ne shohim mundësi të reja për ta thelluar edhe më tej partneritetin ndërmjet vendeve tona, duke investuar në bujqësi, arsim, ekonomi e në fusha të tjera”, tha Osmani.
Presidentja Osmani i kërkoi senatores Ernst ndihmën e SHBA-ve për anëtarësim të Kosovës në NATO, ngaqë ky është synim yni strategjik.
Senatorja Ernst, ndërkaq, u shpreh e lumtur që po rikthehej në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ajo tha se ndihet tejet e lumtur me zhvillimin profesional të FSK-së dhe transformimin e saj në forcë të aftë për t’i shërbyer paqes në rajon dhe në botë…

Pas Osmanit, Konjufca takohet me senatoren amerikane

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Senatoren republikane nga Iowa, njëherësh veterane e ushtrisë amerikane, Joni Ernst.
Në këtë takim, Senatorja Ernst shoqërohej nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Pete McAleer, Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett, Atasheu ushtarak i ShBA-ve në Kosovë, Kolonel Stephen Rose, dhe Amy Carnie, Shefe e sektorit politik/ekonomik në Ambasadën Amerikane.
Senatorja Ernst përgëzoi kryekuvendarin Konjufca për marrjen e detyrës së re dhe shprehu përkrahjen e parezervë të ShBA-ve për Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, kryekuvendari Konjufca shprehu falënderime dhe konsideratë të lartë për kontributin e ShBA-ve dhe të Senatores Ernst, si përkrahëse e fuqishme e Kosovës, veçanërisht për transformimin e FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale të ndërveprueshme.
Z. Konjufca rikonfirmoi po ashtu gatishmërinë për forcimin e miqësisë së palëkundur dhe partneritetit ndërmjet vendeve tona, duke theksuar se roli i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në rajonin tonë dhe në botë…


VOA: Kjo do të jetë sfida e parë e Memli Krasniqit

Memli Krasniqi nga sot është kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Zgjedhja e tij u bë në konventën e dhjetë të kësaj partie, e cila u mbajt në Prishtinë.
Ai u zgjodh me votim të hapur dhe pa asnjë kundër kandidat. Pas votimit, ai tha se do të drejtojë partinë me synimin për t’u rikthyer në udhëheqjen e shtetit.
“Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë, por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme, unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, tha ai.
Zoti Krasniqi para se të zgjidhej, paraqiti platformën me anë të së cilës synon të reformojë partinë. Ai tha se konventa është imponim i asaj që ka ndodhur në nëntorin e kaluar, kur dy udhëheqësve të mëhershëm të partisë padrejtësisht ua ndalën veprimtarinë politike.
Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ishte themelues i partisë të cilin e kishte udhëhequr deri në vitin 2016, dhe ish kryetari i saj, Kadri Veseli, nga nëntori ndodhen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për dy liderë të PDK-së, por bëhet fjalë edhe për dy liderë të Kosovës. Sepse, le të thotë kush çka të dojë, por pa këta liderë, nuk do të kishte shtet të Kosovës, as në kohën kur kemi dashur ta kemi, as si kemi dashur ta kemi, e as si duam ta kemi në të ardhmen”, tha ai
Zoti Krasniqi tha se Partia Demokratike tashmë duhet të mendojë nga e ardhmja dhe të hapet për të njerëzit e rinj.
“Për t’u rikthyer, nuk duhet të harrojmë kush jemi, por të transformohemi në atë që duam të bëhemi, në atë që do të na rikthejë si bindje politike te qytetarët e Kosovës. Për t’i arritur këto, unë jam i vetëdijshëm se kemi shumë punë. Por, unë besoj në PDK-në dhe në secilin prej jush. Në ata që janë, e ata që do vijnë tani e tutje për të ndarë rrugëtimin bashkë me ne, drejt fitores. Sot na duhet një front me i gjerë për betejën politike”, tha ai.
Memli Krasniqi është kryetari i tretë me radhë i Partisë Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj.
Kush është Memli Krasniqi?
I lindur në janar të vitit 1980, Memli Krasniqi është shkolluar në Prishtinë ku përfundoi studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike, ndërsa studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
Para se të përfshihej në jetën politike, Memli Krasniqi ishte I njohur për karrierën e tij muzikore më grupin “Ritmi i Rrugës”. Në vitet 1999-2000 kishte punuar për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Në vitin 2004, ai u anëtarësua në Partinë Demokratike të Kosovës dhe ishte pjesë e strukturave drejtuese, duke shërbyer si anëtar i kryesisë dhe si nënkryetar u saj dhe në disa mandate u zgjodh deputet në parlamentin e Kosovës.
Në vitin 2011 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërsa në vitin 2014 mori drejtimin e ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti ai u zgjodh sërish deputet.
Që nga vjeshta e vitit të kaluar partia u drejtua nga ushtruesi i detyrës së kryetarit Enver Hoxhaj i cili hoqi dorë nga kandidatura për postin e kryetarit disa ditë para konventës. Në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti Partia Demokratike doli e dyta.
Sfida e parë e kryetarit të ri është përgatitja e partisë për zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor./VOA

Publikohen detaje nga dosja e falsifikimeve për kontratën mbi 8 milionë euro për ushtarët

Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë veprime hetimore ndaj kompanisë “Beni Dona Plast”, pronë e afaristit Ragip Mustafa, për shkak të dyshimeve se kjo kompani ka falsifikuar ISO certifikatat në dosje të tenderit për furnizimin me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këto certifikata dëshmojnë kapacitetet e kompanive për kryerjen e veprimtarive të ndryshme.
Çështja se si është arritur deri në pikën që kontrata për furnizimit me ushqim të FSK-së të hetohet nga prokuroria, pas shqyrtimit për rreth dy vjet në Ministrinë e Forcës së Sigurisë dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), është temë e hulumtuar nga emisioni ‘Iustitia’ që prodhohet nga Radio Evropa e Lirë dhe Betimi për Drejtësi.
Lufta për kritere
Lufta për kontratën e parashikuar në vlerë 9 milionë euro për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka nisur në prill të vitit 2018 dhe fillimisht, në garë për këtë kontratë kishin hyrë katër kompani.
Pas vlerësimit të ofertave, Ministria e Forcës së Sigurisë i kishte vlerësuar si të përgjegjshme vetëm dy grupe të operatorëve ekonomikë, N.T.P. “Global Parajsa”; “Ciano Trading&Services” dhe N.T.P.T “Florenti, Sori-AL, KPL, Ushqimi” Sh.A. Mitrovicë.
Kontratën e kishte fituar operatori ekonomik “Global Parajsa”; “Ciano Trading&Services”, tri herë radhazi, me ofertën 7.211.000.00 euro, e cila ishte 1.461.000.00 euro më i lirë sesa operatori tjetër.
Kjo kontratë, ishte kontestuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nga dy operatorë tjerë ekonomikë, përfshirë kompaninë “Beni Dona Plast”, të cilët ishin ankuar se kompania “Global Parajsa” nuk i kishte plotësuar kriteret sipas tenderit.
Nesim Grabanica, menaxher në kompaninë “Global Parajsa”, në emisionin ‘Iustitia’, ka sqaruar se në rastin e parë, kur operatorët tjerë e kanë bërë ankesën, ata janë thirrur në kriterin që kërkon një teknolog të ushqimit me nivelin master apo bachelor. Siç thotë ai, OSHP-ja më pas e kishte anuluar vendimin e Ministrisë së FSK-së për dhënien e kontratës, pavarësisht mendimit që ka dhënë eksperti shqyrtues i vet këtij organi.
“Analiza e ekspertit ligjor, që është bërë me këtë rast, i ka dhënë të drejtën kompanisë tonë, sepse ne kemi kërkuar edhe interpretime nga Ministria e Arsimit, gjë që edhe aty na është konfirmuar që niveli bachelor dhe niveli master, në raport me diplomat e teknologut, janë të njëjta, nuk kanë ndryshime”, ka thënë Grabanica.
Lojë pingpongu e MFSK-së dhe OSHP
Ministria e Forcës së Sigurisë, për tri herë radhazi kishte vendosur që kontrata t’i jepej grupit të operatorëve ekonomikë “Global Parajsa” dhe “Ciano Trading & Services”, duke e vlerësuar si ofertues i përgjegjshëm, vlerësim i cili nuk i ishte dhënë edhe kompanisë “Beni Dona Plast”.
Kontrata, tri herë me radhë, me vendime të OSHP-së, ishte kthyer në rivlerësim në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, e cila, më 19 dhjetor 2019, më në fund njoftoi se kontrata i është dhënë “Beni Dona Plast”, me çmim prej 8.417.800.00 euro apo 1.206.800.00 euro çmim më i lartë sesa oferta e “Global Parajsa & Cianoo Trading & Services”, i cili për tri herë më parë ishte shpallur fitues.
Ankesat dhe akuzat
Dy kompanitë “Florenti” dhe “Global Parajsa”, janë ankuar me pretendimet se Ministria e Forcës së Sigurisë ka shkelur ligjin kur e ka shpallur fitues “Beni Dona Plast”.
Sipas tyre, kjo kompani nuk kishte arritur asnjëherë më parë, të argumentonte kriterin e domosdoshëm të qarkullimit financiar prej 10 milionë eurove në tri vjetët e fundit, për natyrën e njëjtë apo të ngjashme të kontratave. Për këtë kriter, “Beni Dona Plast” vazhdimisht më parë ishte shpallur e papërgjegjshme.
Gjithashtu, në seancën e fundit të mbajtur në OSHP, përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë “Global Parajsa” dhe “Ciano Trading & Services”, kishin ofruar dëshmi përmes të cilave pretendohej se “Beni Dona Plast” kishte falsifikuar dokumente, përkatësisht dy certifikata ISO.
Këto pretendime të shpalosura në seancën publike të OSHP-së, nuk janë marrë fare parasysh nga paneli i OSHP-së.
OSHP-ja injoroi pretendimet për falsifikim dokumentesh
Gjatë seancës së OSHP-së, eksperti shqyrtues i këtij organi, nuk është pajtuar që t’i jepet kontrata “Beni Dona Plast”, pasi sipas tij, nuk i ka përmbushur kriteret ligjore. Ai ka kërkuar që të anulohet vendimi dhe lënda të kthehet sërish në rivlerësim nga Ministria e Forcës së Sigurisë.
Por, kjo nuk ka ndodhur. Pas përfundimit të kësaj seance, OSHP-ja i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Forcës së Sigurisë që të vazhdojë me procedimin e kësaj kontrate për “Beni Dona Plast”. Në fund, pas pesë betejave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, kjo kontratë ka përfunduar në mars të vitit 2020, në favor të Ragip Mustafës, pronar i kompanisë “Beni Dona Plast”.
Dyshimet e ngritura për falsifikim të ISO certifikatave
Derisa në OSHP po zhvilloheshin beteja në mes të kompanive për ta fituar kontratën 9-milionëshe të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, në lidhje me dyshimet për falsifikim të ISO certifikatave të ofruara nga “Beni Dona Plast”, Task-Forca Anti-korrupsion e Policisë së Kosovës, kishte filluar të grumbullonte informacione për të verifikuar validitetin e tyre.
Asokohe, përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Global Parajsa”, po ashtu kishin ndërmarrë veprime për të verifikuar validitetin e tyre.
ISO certifikatat e kontestuara, të deponuara nga “Beni Dona Plast”, figurojnë si të lëshuar nga “Royal Cert International”. Bëhet fjalë për certifikatën ISO 22000, dhe për certifikatën ISO 9001.
“Royal Cert International”: Certifikatat ISO, jovalide
Ekipi i hulumtuesve të emisionit ‘Iustitia’, ka siguruar dokumentet zyrtare të komunikimit të kompanive dhe hetuesisë së policisë me përfaqësuesit e kompanisë “Royal Cert International”, në të cilat kjo kompani ka konfirmuar se dy ISO certifikata ishin keqpërdorur nga “Beni Dona Plast”.
Menaxherja e operimit kompanisë “Royal Cert International”, Carolin Hofner, përmes një letre i ka kërkuar kompanisë “Beni Dona Plast” , të ndalojë përdorimin e këtyre ISO certifikatave, sepse në të kundërtën kompania do të ndërmarr veprime ligjore.
“Shfajësimet” e Prokurorisë dhe OSHP-së
Paraprakisht, derisa kjo lëndë po trajtohej me ankesa në OSHP, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte vendosur të mos ndërmarrë veprime hetimore lidhur me pretendimet për ISO certifikatat e falsifikuara.
Në një vërtetim të lëshuar nga prokurorja e shtetit Merrushe Lllugiqi, e të cilin e ka siguruar emisioni ‘Iustitia’, thuhet që “rasti mbyllet me shënim zyrtar dhe nuk ka mundësi për ndërmarrjen e ndjekjes penale”, për shkak se ky rast ka qenë duke u trajtuar nga OSHP-ja.
Vërtetimi ishte lëshuar me kërkesën e pronarit të kompanisë “Beni Dona Plast”, Ragip Mustafa.
Ndërkohë, në të gjitha fazat e zhvilluara në seancat e OSHP-së, Paneli Shqyrtues, sa herë janë ngritur dyshimet për falsifikime të ISO certifikatave, u ka sugjeruar kompanive që t’i drejtohen prokurorisë.
Miftaraj: Skandal, për interesa të caktuara
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi vlerëson që ky veprim i prokurorisë, paraqet skandal të llojit të vet, duke krijuar mundësinë e abuzimit me buxhetin publik, i cili mund të ndahet për kompani, të cilat përmes falsifikimeve, mund të jenë përfituese të kontratave milionëshe.
“Është nonsens i llojit të vet. Në këso raste, kushdo që ngreh dyshime për kryerje të një vepre penale, siç është në këtë rast dyshimi për falsifikim, pushon çdo procedurë administrative, sepse pasojat e kryerjes së veprës penale mund të jenë të pariparueshme. Nuk ka logjikë që prokurori të marrë këso vendime, por këtu paraqitet shkelja e hapur e ligjit, e cila vetëm nga padituria nuk mund të ketë ndodhur. Pra, kjo formë e veprimit shihet qartë se është bërë qëllimshëm për interesa të caktuara”, ka thënë Miftaraj.
Heshtje gjatë hetimeve
Lidhur me dyshimet e ngritura, emisioni ‘Iustitia’ ka kërkuar sqarime nga kompania “Beni Dona Plast”. Avokati i kësaj kompanie, Besnik Berisha, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se rasti është duke u trajtuar nga prokuroria dhe se “se për ta ruajtur hetimin në progres”, “do të përmbahen nga paraqitjet publike”.
Se “nuk mund të flasin, sepse për këtë rast, prokuroria është duke kryer hetime”, kështu janë përgjigjur edhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët janë pyetur nga emisioni ‘Iustitia’, nëse ky institucion ka përmbushur obligimet ligjore, për t’u siguruar se këto ISO certifikata janë valide sipas ligjit.
Ish-kryetarin e OSHP-së, Blerim Dina, nuk ka pranuar që të intervistohet. Por, në një bisedë telefonike me hulumtuesit e emisionit ‘Iustitia’, Dina, në parim, ka theksuar që rreth kësaj teme, të gjitha gjenden në vendimet e OSHP-së. I pyetur se çfarë kanë bërë për të verifikuar dyshimet e ngritura për falsifikim të ISO certifikatave nga “Beni Dona Plast”, Dina është përgjigjur kështu:
“Çka duhet të bëj unë, t’i arrestoj njerëzit a?”, ka deklaruar Dina.
Sidoqoftë, pas insistimit të emisionit ‘Iustitia’, për të siguruar vendimin për mbylljen e rastit, prokuroria është aktivizuar për të ndërmarrë veprimeve hetimore. Se si do të veprohet për zbardhjen e këtij rasti, mbetet të shihet./REL

Largohet flamuri serb nga Kodra e Zveçanit

Prej disa vitesh, nga e gjithë Mitrovica dukej flamuri serb që ishte vendosur në Kodrën e Zveçanit.
E nga sot, sipas dëshmitarëve, ai flamur nuk po shihet në pikën më të lartë të veriut.
Dëshmitarët edhe kanë sjellë edhe fotografi, ku shihet kjo kodër pa flamuj. Sipas tyre, flamuri është hequr sot.
Por, ata nuk kanë treguar për arsyen e largimit. Nuk dihet nëse fryma e fortë që preku rajonin ditët e fundit, apo dora e njeriu ka bërë që flamuri serb të hiqet.
Sidoqoftë, veriu i Mitrovicës është i mbushur me flamuj të Serbisë, nga qytetarët serbë që nuk njohin shtetin e Kosovës.
Madje, flamuri i vendosur në Kodrën e Zveçanit, ishte bërë temë shpesh. Atë kishin provuar ta largonin para disa vitesh, mirëpo serbët kishin vendosur një edhe më të madh.
Duhet theksuar se nga ajo Kodër e lartë, duken disa Komuna. Duke nisur nga Zveçani, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut si dhe një pjesë e Vushtrrisë..

Parashikimi i motit:

Gjatë ditës së premte parashikohet me pjeserisht me diell,, temperaturat do të lëvizin nga 14 deri në 28 grade celcius. Mot me diell në Tiranë me temperatura nga 22 deri në 35 grade celcius.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *