Sht. Nën 23rd, 2024

Nikki Haley tërhiqet nga gara presidenciale

Nikki Haley njoftoi të mërkurën se po tërhiqet nga gara presidenciale përballë ish-presidentit Donald Trump.

Kjo do të thotë se ish-presidenti Donald Trump e ka të garantuar emërimin nga Partia Republikane dhe do të përballet sërish me demokratin Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut dhe ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, e bëri njoftimin me një fjalim në Charleston një ditë pas votimeve të Super së Martës, ku zoti Trump fitoi bindshëm në 14 nga 15 garat për emërimin e republikanëve.

“Ka ardhur koha që ta pezulloj fushatën time,” tha zonja Haley. “Nuk jam penduar”.

Ajo tha se gjasat janë që zoti Trump të jetë kandidati republikan, por nuk shprehu mbështetjen për të.

“Tani i takon Donald Trump-it të fitojë votat e anëtarëve të partisë sonë dhe të tjerëve”, tha ajo. “Dhe shpresoj që ai ta bëjë një gjë të tillë.”

Duke folur nga përvoja e saj në politikën e jashtme në OKB, zonja Haley tha se është e rëndësishme që SHBA të vazhdojë të luajë rolin e vet udhëheqës.

Gjatë gjithë fushatës së saj, zonja Haley ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndihmojnë Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus, një pozicion që bie ndesh me atë të zotit Trump.

“Nëse zmbrapsemi në qëndrimin tonë, do të ketë më shumë luftë, jo më pak,” tha ajo. Nuk ka pasur sinjale se zoti Trump do ta zbusë mesazhin e tij.

“Ai do të vazhdojë të përqëndrohet tek çështjet që kanë rëndësi: imigracioni, ekonomia, politika e jashtme”, tha Karoline Leavitt, sekretare e shtypit për fushatën e tij të martën vonë.

Zonja Haley qëndroi në fushatë më gjatë se çdo rival tjetër republikan i zotit Trump, por në asnjë moment nuk paraqiti një kërcënim serioz për ish-presidentin.

52-vjeçarja Haley, kishte siguruar mbështetjen e donatorëve me ndikim që synonin të frenonin kandidaturën e zotit Trump, veçanërisht pas paraqitjes së mirë në disa debate në të cilat ish-presidenti Trump nuk mori pjesë.

Por ajo nuk arriti të bëjë për vete një numër të mjaftueshëm votuesish konservatorë përballë mbizotërimit të zotit Trump.

Por fakti që mbështetja për të ishte më e dukshme mes republikanëve të moderuar dhe të pavarurve, mund të jetë një tregues se stili i politikës i zotit Trump mund të paraqesë sfida për të në zgjedhjet e përgjithshme më 5 nëntor.

Nga ana tjetër, zoti Biden përballet me fidat e tij, përfshirë shqetësimin e përhapur për moshën e tij.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *