Njëri nga katër të plagosurit në Lupç të Podujevës është në rrezik për jetë. Kështu ka bërë të ditur stafi emergjent i QKUK-së.
Po ashtu, mjeku kujdestar në klinikën emergjente ka thënë se edhe njëri prej të plagosurve është në gjendje më të rëndë se dy të tjerët.
“Kanë mbërri katër raste, trajtimi ka zgjatur deri tani. Prej tyre në gjendje më të rëndë, dy më të lehtë ata mund të lëshohen. Ata kanë plagë shpuese, dhe plagë skopetale, trajtimi është duke vazhduar, tash njëri do të futet në sallë. Për momentin njëri prej tyre mund të themi se është në rrezik për jetë, të tjerët jo”, ka deklaruar mjeku kujdestar në QKUK, Agron Çitaku, në konferencë për media.
Çitaku ka bërë të ditur se dy nga të lënduarit janë të rinj, dy pak më të vjetër se 50 vjeç.
Pasditen e së mërkurës, katër persona kanë mbetur të plagosur, tre prej tyre me armë zjarri dhe një me thikë, si pasojë e një konflikti të armatosur.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.