Njohës të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, vlerësojnë se draft-statuti për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Ekipi menaxhues në Bruksel, nuk duhet të merret parasysh për krijimin e Asociacionit. Këtë e argumentojnë me atë se propozimi është antikushtetues dhe i dëmshëm për Kosovën.
Në takimin e 2 majit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, temë kyçe ishte prezantimi i draft-statutit për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ky dokument i përbërë nga 67 nene dhe i hartuar vite më parë nga Ekipi menaxhues u prezantua nga Danijella Vujiçiq, kryesuese e ekipit.
Menjëherë pas takimit, kryeministri Albin Kurti tha se draft-statuti i propozuar është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kosovën. Ndërkohë, nga ndërmjetësuesit e dialogut është kërkuar që draft-statuti të merret për bazë në rrugën tutje drejt formimit të asociacionit.
Marrë parasysh përmbajtjen antikushtetuese të dokumentit, draft-statuti i propozuar nuk duhet të merret si pikënisje për krijimin e Asociacionit, vlerëson për Radio Kosovën politologia Arta Tahiri-Beqa.
“Ky draft-statut është pikërisht ajo shkelja më e madhe e mundshme që mund t’i bëhet Kosovës, dhe me këtë mund të bëhet një “zajednicë” brenda Kosovës. Kështu që mendoj se është absolutisht i panevojshëm që të merret si pikë reference ose pikë fillimi ky draft-statut. Them kështu, sepse pasojat do të jenë më të dëmshme dhe mund të jenë të pa rikuperueshme”, tha Tahiri-Beqa.
Edhe njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Artan Muhaxhiri, thotë se draft-statuti për Asociacionin i propozuar nga një ekip i përbërë veç nga pjesëtarë të komunitetit serb, s’duhet marrë parasysh.
“Është një ekip i përbërë nga anonimus politikë, të cilët nuk e përfaqësojnë shtetin e Kosovës, as qytetarët dhe as institucionet. Kështu që, është mirë që ky draft-statut të konsiderohet si një fazë kalimtare e cila nuk do të duhet të ishte orientuese për zhvillimet e më vonshme në lidhje me krijimin e Asociacionit”, tha ai.
Ekipi që punoi draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i përbërë nga katër serbë, me në krye Danijella Vujiçiq, që aktualisht është deputete në Kuvendin e Serbisë, u shkarkua me 3 maj. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takimin e 2 majit propozoi një draft për statutin e asociacionit, i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicën serbe.