Ligji për kontrollin e duhanit vazhdon të mos respektohet dhe të shkelet në mënyrë masive. Këtë nuk po e respektojnë as zyrtarët publik që janë pjesë e institucioneve. Sipas një hulumtimi, 27 për qind e qytetarëve i ekspozohen tymit të duhanit në punë. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk kanë dhënë shifra se sa është numri i gjobave të shqiptuara, megjithatë nga Ministria e Shëndetësis,ë është bërë e ditur se ka pasur raste të shkeljeve.
Drejtuesi i Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KADC, Shkumbin Spahiu tregon se gjatë hulumtimit të vitit 2020, në tërë Kosovën, kanë vërejtur se ligji për kontrollin e duhanit shkelet hapur dhe në mënyrë masive.
Se ky ligj pothuajse nuk respektohet fare, e dëshmojnë edhe shifrat që kanë dalë nga ky hulumtim.
“Ka dalë se rreth 81% e qytetarëve i ekspozohen tymit të duhanit kur frekuentojnë baret, kafenetë apo restorantet. Ndërsa përafërsisht 27% janë përgjigjur se i ekspozohen tymit të duhanit në vendet e tyre të punës. Pra, kjo në mënyrë indirekte, ndoshta mund të përdoret si indikator për shkak se edhe vendet e punës janë në institucione publike, se gjithsesi ka shkelje edhe në institucione publike të ligjit për kontrollin e duhanit, gjegjësisht të ndalimit të pirjes së duhanit në këto hapësira”, shton ai për KosovaPress.
Spahiu thotë se ky ligj nuk po zbatohet edhe nga vet institucionet publike dhe zyrtarët të cilët punojnë.
“Nga vizitat spontane që i kemi pas për punë të ndryshme, jo për qëllime të monitorimit është vërejtur qartë se shkelen edhe në institucionet publike dhe nuk përdoren kompetencat të cilat i kanë udhëheqësit e këtyre institucioneve publike për të përmirësuar zbatimin e këtij ligji, për shkak se me ligjin për kontrollin e duhanit, është në kompetencën e secilit udhëheqës të institucionit, pavarësisht nëse është pozitë e sekretarit të përgjithshëm, drejtorit të ndonjë departamenti, drejtorit të ndonjë shkolle apo ministrit të ndonjë ministrie e ka për obligim që personat apo punonjësit në atë institucion të cilët shkelin ligjin, udhëheqësi i atij institucioni e ka përgjegjësi që ta sanksionojë, apo e ka kompetencë dhe detyrë me ndalje të 50 eurove të rrogës së tij mujore për shkak të shkeljes që e ka bërë”, shton ai.
Por, një gjë e tillë nuk po ndodhë në realitet. Madje, nuk dihet as sa ka qenë numri i gjobave të shqiptuara gjatë këtij viti.
Zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaqi nuk tregon se sa kanë qenë shifrat e gjobave për moszbatim të këtij ligji, meqë sipas tij, disa kanë qenë për shkelje të masave anti-COVID dhe shkelje të ligjit të duhanit.
“Të ndara vetëm për Ligj të Duhanit nuk i kemi si statistika, por brenda gjobave për COVID-in, ka pasur edhe një numër i konsiderueshëm që janë shqiptuar për operatorët e bizneset, kryesisht ata të gastronomisë për moszbatim të ligjit të duhanit. Ne e kemi mandat ligjor dhe do ta vazhdojmë punën, sado që do të jetë në fuqi, gjithmonë do të punojmë që ta mbajmë të zbatueshëm”, thotë Thaqi.
Në një përgjigje për KosovaPress, Ministria e Shëndetësisë thotë se ligji për kontrollin e duhanit, ka probleme më të theksuara në sektorin e gastronomisë, sidomos kafe bare e klube nate.
“Nëse i referohemi MSh, është shembull i zbatimit të mirë të ligjit brenda këtij institucioni, ka edhe mjaft të tjera që e zbatojnë si duhet, por ka edhe raste individuale të shkeljeve të ndryshme, që shpesh janë denoncuar edhe në media. Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar ne disa raste gjoba për individë dhe subjekte mjekësore kur janë zënë duke e shkelur ligjin”, thuhet në këtë përgjigje.
Për shqiptimin e gjobave në institucione publike, KosovaPress ka pritur me javë përgjigje nga kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, por ai nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara në adresën zyrtare.