Sht. Nën 23rd, 2024

O’Brien: Nuk do të lejojmë dhunë në veri të Kosovës

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.

Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme, veçmas pas ngjarjeve në shtatorin e kaluar, ku një grup tentoi të importonte një numër të madh të armëve që do të mund të shkaktonin dhunë të madhe, nëse do të lejoheshin të çonin në fund planet e tyre, kjo është diçka që të dyja palët duhet ta kuptojnë se ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë sërish”, tha ai.

Zyrtari i lartë amerikan tha se Ballkani Perëndimor “duhet të jetë evropiane, stabile dhe e sigurt, mbi të gjitha ky rajon ka nevojë për integrim ekonomik”.

Ai tha se kjo çështje është kyçe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia e tyre po largohet për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.

O’Brien përsëriti se qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar sa i përket mbështetjes së procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai u bëri thirrje palëve që të zbatojnë përgjegjësitë e tyre që dalin nga ky proces.

Ai tha po ashtu se është i kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin e Policisë së Kosovës me misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në pjesën veriore të Kosovës.

Ndryshe, O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

Nga viti 2022, Jim O’Brian ka punuar si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.

O’Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.

O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.

Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit./REL

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *