Sht. Nën 23rd, 2024

Opozita kritikon për agjendën legjislative, Qeveria: BE thotë se po ngutemi

Deputetët e opozitës në Komisionin për Integrime Evropiane kanë kritikuar zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bisilimi se kjo qeveri ka ngecur në përmbushjen e Planit të veprimit për integrime evropiane, ERA II.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu Kodra tha se agjenda për reforma evropiane ka ngecje.

“Do të ndalem tek shtylla II dhe III dhe konkretisht tek agjenda e gjelbër, çka kemi parë në raportin që e kemi marrë, agjenda për reforma evropiane ka ngecje dhe këtë po e shohim edhe brenda raportit. Do t’i përmend vetëm disa prej treguesve që përballen me vonesa serioze të cilat do të duhej t’i trajtojmë. Është miratimi i Projektligjit për mbeturinat që hyn tek vonesat, për mbrojtjen e natyrës, projektligji për ujërat e Kosovës, trajnimi I inspektorëve”, tha ajo.

Zëvendëskryeministri Bislimi pranoi se ka ngecje reformash, por sipas tij, procesi në tërësi ka ecur mirë.

“Ne kemi miratuar planin e veprimit në tetor, është plan dyvjeçar i veprimit, i cili parasheh 341 reforma konkrete. Për këtë periudhë 6-mujore për të cilin po raportojmë janë të përmbushura 79 dhe janë në përmbushje 108. Pra 108 edhe 79 bëjnë 187 që është më shumë se 50 përqind e reformave të parapara. Kështu, është gabim me thënë ka ngecje. Ka ngecje në disa reforma, por si tërësi procesi ka ecur shumë më mirë se sa pritjet dhe shumë më mirë se sa plani i veprimit të ERA I. ERA I ka pasur 50 përqind realizim në fund të procesit, pas përfundimit të dyvjeçarit shkalla e implementimit ka qenë 50 përqind. Tash pas 6 muajve e kemi një program 24 muajsh ka në implementim 50 përqind. A kishim dashur ne që me qenë ritmi edhe më i shpejtë, po”, theksoi ai.

Deputeti nga radhët e VV-së, Agon Batusha theksoi se ka munguar vullneti politik në të kaluarën për zbatimin e reformave për ERA I, derisa tha se për ERA II ka pasur progres.

“Siç e theksuat edhe ju, në ERA I ne kemi dështuar për shkak, sepse as 50 përqind nuk është realizuar si shtet. Kështu që performanca shihet që është më e mirë se herën e kaluar dhe po shihet se 25 përqind të kohës keni arritur t’i realizoni mbi 50 përqind, dhe 75 përqind e kohës sa ka mbetur është në dispozicion të ministrive për reformat”, tha ai.

Në anën tjetër, sa i përket zbatimit të MSA-së, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi kritikoi se Ministria e Shëndetësisë dhe ajo për Kthim nuk kanë zbatuar dhjetë masa.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Komuniteteve të Kthimit, të dyja kanë nga 5 masa dhe zero masa janë të zbatuara. A mundet të na tregojë dikush arsyen e moszbatimit të këtyre masave”, tha ajo.

Derisa, edhe deputetja tjetër nga AAK, Time Kadriaj, ka thënë se qeveria po dështon për sjelljen e projektligjeve në Kuvend.

“Po ju propozoj, meqenëse jeni i dyti në qeveri, të kërkoni nga ministrat që ta respektojnë agjendën legjislative, sepse në fakt po dështoni ju në sjelljen e projektligjeve në Kuvendin e Kosovës, por po dështojmë edhe ne si komisione parlamentare për shkak se ne planin e punës e bëjmë në bazë të agjendës legjislative. Dhe kështu po del dështim i dyfishtë, Qeveria dhe Kuvendi”, theksoi ajo.

Kritika e deputetes Kadrijaj e bëri të reagojë zëvendëskryeministrin Bislimi, i cili tha se po ndihen midis dy zjarreve.

Derisa përmendi se BE-ja po iu thotë që janë duke u ngutur në përmbushjen e agjendës legjislative, ndërsa Komisioni për Integrime dhe opozita po e quajnë qeverinë të dështuar.

“Ju 6 herë theksuat, ‘keni dështuar’, dhe kjo fjalë mbetet në kamera, dështim, dështim. Unë mendoj se ky nuk është mesazhi që ne duhet të çojmë te lexuesit… Ne jemi në një situatë mes dy zjarreve, kur vijmë të raportojmë në komision, na thuhet se ‘po ecni ngadalë, keni dështuar’, sot në takim me BE-në na thanë ‘jeni duke u ngutur pak më shumë se që duhet’. Tash nuk e dimë e jemi duke shkuar shumë, shumë shpejt a jemi duke shkuar shumë ngadalë. Pra, ka një mosharmoni”, theksoi Bislimi.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *