Mar. Nën 26th, 2024

Opozita organizon protestë, vjen paralajmërimi nga policia

Opozita do të mbajë aktin e radhës të së ashtuquajturës mosbindje civile, kundër qeverisë së kryeministrit Rama dhe kërkesës së saj që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me një kabinet teknik.

Pas incidenteve në kuvend, djegies së karrigeve, protestës me molotov ndaj institucioneve dhe asaj me pankarta në duar në dyert e PE-së, akti i radhës i opozitës këtë herë është bllokimi i akseve rrugore kryesore në vend.

Në kryeqytet, protestuesit do të bllokojnë mbikalimin e kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës. Teksa do të ketë bllokime dhe në rrethrrotullimet në Milot, Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë dhe Levan.

Organizatorët e kësaj proteste kanë kërkuar një leje prej orës 17:00 deri në 20:00 për këtë protestë të saj, diçka që në fakt është refuzuar nga Policia e Shtetit.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat Policia njofton se bllokimi i akseve rrugore është vepër penale, teksa u ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

“Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njofton policia.

Ndërkohë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit njofton se ka marrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *