Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpreson se Kuvendi i Kosovës do të konstituohet nesër, dhe menjëherë pas kësaj ajo ka theksuar se do të paraqesë një propozim të ri ligjor për heqjen e tarifës së njëanshme që Kosova i ka vendosur Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Osmani tha se kundërshtimi i këtij propozimi nga Qeveria ka dëmtuar interesin e Kosovës dhe ka humbur një mundësi të rëndësishme për forcimin e aleancës me SHBA-të.
Ajo theksoi se pas konsultimeve me aleatët dhe miqtë e Kosovës në SHBA, ajo ishte shteti i parë që bëri këtë propozim dhe e konsideron atë si një mundësi për të fuqizuar më tej marrëdhëniet me Amerikën.
“Fatkeqësisht, ky hap u humb për shkak të reagimit negativ të Qeverisë, i cili, sipas presidentes, ka pasur mangësi të njohurive bazike për funksionimin e Kushtetutës dhe institucioneve të Kosovës. Por, ajo shtoi se tani ligji për heqjen e tarifës është përgatitur dhe do t’i propozohet Kuvendit pas konstituimit të tij”, tha Osmani në një intervistë për RTV21
Ajo theksoi se nuk ka asnjë arsye logjike që Kosova të vendosë tarifa ndaj Shteteve të Bashkuara, kur trupat amerikane vazhdojnë të mbrojnë kufirin e Kosovës dhe të sigurojnë paqen dhe stabilitetin në vend.
“Unë tani nuk mund t’ua jap këtë përgjigje sepse kjo varet shumë nga deputetët e Kuvendit nga partitë politike. Shpresoj shumë që të bëhet një gjë e tillë, është në interes të Kosovës që të kemi konsolidim të shpejt të të gjitha institucioneve. Kosova ka shumë punë të cilat duhet të kryhen urgjentisht dhe Kuvendi është i domosdoshëm për një gjë të tillë prandaj mbes me shpresë që më datën 15 të jetë një ditë e suksesshme për gjithë Kosovë”, tha mes të tjerash Osmani.