Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dha detaje plotësuese për takimin me të dërguarin e Bashkimit Evropian Peter Sorensen në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Në komunikim me gazetarë, presidentja Osmani tha riparaqiti vërejtjen për mospërputhshmërinë e draftit me Kushtetutën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Kemi përfaqësuesin e të BE-së Sorenesen. Ai po bën takimet e para. Ajo që e kam thënë në takimin e fundit është e njëjta që e kam thënë nga fillimi i dialogut. Procesit i ka munguar balanci palëve u ka munguar trajtimi i barabartë dhe kjo pastaj jo vetëm e ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në këtë proces, e cila është pala konstruktive, por po ashtu e ka dëmtuar kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësuese në dialogun Kosovë –Serbi.
E dyta çështje që e kam ripërsëritur dhe është qëndrim identik, që e kam mbajtur më herët ka qenë vërejtja për draft- statutin e asociacionit edhe në fillim kur është propozuar nga BE-ja, edhe tani: vërejtje për mospërputhshmërinë e draftit me Kushtetutën e Kosovës. Ato nuk janë vërejtje teknike se një president vendi nuk bën vërejtje teknike, por substanciale dhe për rrezikun që dispozita të caktuara të atij draft- statuti mund të dëmtojnë funksionalitetin e brendshëm të Kosovës”, tha presidentja Osmani.