Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Mal të Zi për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brione.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani do të pritet nga nikoqiri i takimit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe nga presidentët e dy shteteve bashkëthemeluese të Procesit Bërdo Brione, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç dhe presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.
“Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, presidentja Osmani do të mbajë fjalim, gjersa do të realizojë takime edhe me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse”, thuhet në njoftim.
Takimi vjetor i liderëve do të fokusohet në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e anëtarësimit të rajonit në BE.
Tutje theksohet se në sesionin kryesor të liderëve, presidentja Osmani do të flasë për përkushtimin e Kosovës për integrim të plotë në institucionet euroatlantike, për paqe dhe siguri të qëndrueshme, si dhe për bashkëpunim rajonal.